E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Presidenti i ri, sipas Kushtetutës

“Respektimi i Kushtetutës është e vetmja rrugë që ne do të zgjidhim të gjithë axhendën e ardhshme të institucioneve të ndryshme”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ashtu si edhe kryeministri Sali Berisha, vlerëson se zgjedhja e kreut të ri të shtetit në korrikun e ardhshëm do të bëhet sipas Kushtetutës. Çka nënkupton se ai do të jetë produkt i një shumice të thjeshtë votash nga ana e mazhorancës dhe jo një president konsensual me pëlqimin edhe të opozitës. Deklaratën kryetarja e Kuvendit e ka bërë gjatë prezantimit të veprimtarisë njëvjeçare legjislative të institucionit që ajo drejton, ku ka evidentuar faktin se përgjatë dy sesioneve të këtij viti u miratuan 219 akte, ndërmjet të cilave një pjesë e madhe janë ligje.

Presidenti

Ashtu si edhe numri 1 i mazhorancës, kryeministri Sali Berisha, edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka nisur të tregohet e kujdesshme në deklaratat e saj në lidhje me të ardhmen e institucionit të presidentit, pas largimit prej tij të presidentit Topi. E njohur tashmë ambicia e saj për të zënë postin më të lartë shtetëror në vendin tonë, Topalli, pyetjes së gazetarëve në lidhje me këtë moment, i ka bishtuar, ndërsa është shprehur se ajo që është e sigurt është se Presidenti i ri do të zgjidhet sipas përcaktimeve kushtetuese, pra me shumicë të thjeshtë votash. “Për sa i takon axhendës së institucioneve të ndryshme, unë respektoj institucionin e Presidentit i cili është në detyrë deri në momentin e caktuar. Ajo që unë besoj fort në ndërgjegjen time politike është respektimi i Kushtetutës së Shqipërisë. Kushtetuta është kontrata më e rëndësishme që ne kemi me institucionet dhe me qytetarët. Kushtetuta është shkruar mbi bazën e një konsensusi të gjerë. Kështu që respektimi i Kushtetutës është e vetmja rrugë që ne do të zgjidhim të gjithë axhendën e ardhshme të institucioneve të ndryshme”, - tha Topalli në fjalën e saj. Ndërkohë që vetë kryeministri Berisha, pyetur në lidhje me këtë garë, ka bërë të qartë se PD-ja do të propozojë për këtë post një nga drejtuesit e saj të lartë politik, një prej të cilëve është dhe vetë Topalli.

Kuvendi

Përmes një konference të bërë traditë në çdo fundviti me mediat, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, prezantoi bilancin e punës së Kuvendit për vitin 2011, ku evidentoi si momentet më të rëndësishme realizimin e reformave ekonomike, masat ligjore në mbrojtjen e të drejtave të grave, të fëmijëve, ligjet në mbrojte të kujdesit shëndetësor, ligjet që garantuan liberalizimin e vizave, afrimin drejt BE-së etj. “Me krenari theksoj se së bashku me kolegët e tjerë ne kemi bërë një punë të rëndësishme voluminoze, mbyllim këtë vit me një bilanc pozitiv të kalimit, të miratimit të ligjeve të rëndësishme dhe të reformave që kanë bërë të mundur që Shqipëria sot të shohë pozitivisht nga e ardhmja” - u shpreh në fjalën e saj të gjatë Kryetarja e Kuvendit. Falë këtyre reformave, Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se Shqipëria sot, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ka një zhvillim pozitiv të gjithanshëm. “Mund të them me krenari, se së bashku me kolegët e tjerë ne kemi bërë një punë të rëndësishme voluminoze, ne mbyllim këtë vit me një bilanc pozitiv të kalimit, të miratimit të ligjeve të rëndësishme dhe të reformave që kanë bërë të mundur që Shqipëria sot të shohë pozitivisht nga e ardhmja, ndryshe nga vende të tjera të rajonit që na rrethojnë, por edhe vende të tjera të Europës”, - tha Topalli. Ajo është ndalur edhe te ligjet me 3/5, për të cilat nuk ngurroi të akuzojë sërish opozitën si bllokuese të miratimit të tyre. “Miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar. Ka qenë një ndër pikat kryesore dhe një nga momentet në të cilat u bë e pamundur votimi i këtyre ligjeve që kërkonin 3/5 për shkak se gjatë dy viteve opozita bojkotoi dhe bllokoi Parlamentin”, - tha Topalli. Në deklaratën e saj Topalli ka bërë dy rezyme, një për vitin 2011 dhe një të përgjithshme për vitet 2010-2011.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›