E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri pret një delegacion të Partisë Komuniste Kineze

Tiranë, 30 gusht, NOA Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të Partisë Komuniste Kineze, i kryesuar nga Liu Yunshan, ministër i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze.

Ai u uroi mirëseardhjen anëtarëve të delegacionit dhe e cilësoi këtë vizitë si kontribut për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e një interesi të vazhdueshëm për të intensifikuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Intensifikimi i këtyre marrëdhënieve dhe i bashkëpunimit me vendin tuaj, - u shpreh kryeministri, - është në përputhje me deklaratën e përbashkët të nënshkruar me kryeministrin kinez në Pekin, dokument që i vendosi marrëdhëniet tona në një rrafsh të ri strategjik.

Më tej, kryeministri Berisha shprehu falënderimet e tij për ndihmën bujare që qeveria kineze i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve dhe për politikën e Kinës si një politikë paqeje dhe stabiliteti.

Por kryeministri u ndal në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe u shpreh se me zhvillimin e fuqishëm ekonomik Kina është shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik të dhjetëra e dhjetëra vendeve.

Duke e falënderuar kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe ftesën e bërë nga Partia Demokratike, kryetari i delegacionit Liu Yunshan u shpreh se kjo vizitë ka si qëllim konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe stimulimin dhe çuarjen përpara të këtyre marrëdhënieve.

Ai e siguroi kryeministrin se qeveria kineze do të nxisë sipërmarrjet kineze të investojnë në Shqipëri.

Ai u shpreh se ishte njohur me treguesit e rritjes së eksporteve të Shqipërisë me Kinën, të cilat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë rritur 600 përqind, në krahasim me vitin e kaluar, dhe kjo është një arsye për rritjen e marrëdhënieve ekonomike- financiare ndërmjet dy vendeve tona.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›