E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysi: Shqipëria, vend origjinë për trafikun e fëmijëve

Selia rozë iu rikthye progres-raportit të KE-së duke u fokusuar këtë herë tek ajo çfarë thuhet për të drejtat e njeriut dhe të fëmijëve në vendin tonë. Deputetja socialiste, ish-drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit tha se Shqipëria vazhdon të jetë një vend origjine për fëmijët që trafikohen për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar. Hysi renditi si mjaft problematike faktin që mungojnë sistemet e referimit të fëmijëve nën moshën 14 vjeç që janë në risk dhe mund të kryejnë vepra penale, ndërsa theksoi se ndonëse është miratuar "Strategjia për kujdesin ndaj fëmijëve", zbatimi i standardeve dhe burimet e nevojshme për zbatimin e saj mungojnë. Ndaj PS, me qëllim që Shqipëria të mos jetë një vend që miraton vetëm ligje dhe strategji që t‘i tregojnë Europës dhe qytetarëve të saj se shoqëria ofron standarde humane të respektueshme në trajtimin e fëmijëve, i rekomandojnë qeverisë shqiptare të marrë të gjitha masat ligjore, administrative, sociale për të identifikuar dhe trajtuar të gjitha familjet në nevojë dhe që i përdorin fëmijët për të lypur ose fëmijët e të cilave janë objekt keqtrajtimi, shfrytëzimi, trafikimi dhe të punës së detyruar.

Një tjetër masë e propozuar është qe qeveria të marrë masat ligjore, administrative, sociale për të ngritur sistemet e referimit për fëmijët nën moshën 14 vjeç, të cilët janë në risk dhe që mund detyrohen të përfshihen në rrugën e krimit ose të jenë viktima të tij. Ndër të tjera selia rozë propozoi të parashikohen buxhete të mjaftueshme për zbatimin e strategjisë ndërsektoriale të mbrojtjes sociale të miratuara në vitin 2008 me qëllim mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre në nevojë. "Qeveria të bëjë transparente pjesën e buxhetit që ka parashikuar për programet e mbrojtjes së fëmijëve, për ngritjen ose forcimin e sistemeve të referimit të fëmijëve në risk, arsimimin e fëmijëve që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike dhe probleme sociale, si dhe masat e marra për një tolerancë zero ndaj analfabetizmit në këtë vit shkollor të saponisur", tha ajo. Hysi i kujtoi Kryeministrit se disa ditë më parë, theksoi se Raporti i progresit të Shqipërisë përbën një dokument të shkëlqyer pune për qeverinë shqiptare dhe e konsideron atë si raportin më të mirë të lëshuar ndonjëherë për Shqipërinë. "Nuk e dimë se cilës pjesë të raportit dhe cilës përvoje jetësore i referohet Kryeministri i vendit kur thekson ky është raporti më i mirë për Shqipërinë; se fëmijët janë përparësia e përparësive dhe se standardet e trajtimit të tyre janë standarde humane të respektueshme, në një kohë kur të gjithë jemi dëshmitarë dhe konfirmojnë atë çfarë theksohet edhe në progres raport", përfundoi deputetja socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›