Gratë janë shkrimtare inferiore
Vidiahdar Surajprasad Naipaul, që është fitues i Çmimit Nobel për letërsi në vitin 2001, deklaroi se nuk ekziston asnjë shkrimtare të cilën do të mund ta konsideronte të barabartë me të sa iu përket shkrimeve. Në këtë kontekst, Naipaul në veçanti u mor me shkrimtaren britanike të fundit të shekullit të 18 dhe fillimit të atij të 19, Jane Austin, të cilën e quajti së tepërmi sentimentale.
Sipas gazetës ditore britanike ‘The Guardian’, gjatë një interviste dhënë Shoqatës Mbretërore të Gjeografisë (Royal Geographic Society), kur u pyet nëse kishte gjetur ndonjëherë ndonjë shkrimtare me shpirt të ngjashëm me të atij, Naipaul deklaroi se gratë janë shkrimtare “goxha të ndryshme”, dhe se derisa lexon ndonjë tekst, qysh në pjesët e para të tij mund të dallojë fare lehtë nëse ai tekst është shkruar nga ndonjë femër apo mashkull.
“Filloj të lexoj ndonjë tekst, dhe pas vetëm një pjese, ose dy, e di nëse bëhet fjalë për një grua apo jo. Kjo për mua është dëshmi e pabarazisë”, theksoi ai.
Arsye për këtë gjë është sentimentalizmi i femrave, por edhe perceptimi i kufizuar që ato kanë për botën, konsideron roman-shkruesi britanik, i cili shpeshherë është shpallur për shkrimtarin më të madh të gjallë anglez.
Ndryshe, për Naipaul kritikat në llogari të grave nuk janë gjë e huaj. Ai edhe më parë kishte sulmuar shkrimtaret indiane, duke i akuzuar ato për “banalitetin” që e shfaqin derisa e trajtojnë trashëgiminë koloniale britanike, që është njëra prej temave të preferuara të tij. HINA