Hysi i rikthehet fitores
Kampioni i Kosovës në fuqi, Hysi, i është rikthyer fitores pas tri ndeshjesh ‘agjërimi’. Skuadra llapjane ia doli ta mposhtë Trepçën ’89 me rezultat minimal në kryendeshjen e xhiros së shtatë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra llapjane ka dominuar në pjesën e parë, kurse në pjesën e dytë mitrovicasit janë treguar mjaft të rrezikshëm. Kastriot Rexha e ka shënuar golin e fitores për ekipin nga Merdara në minutën e 53-të të takimit.
Tre minuta më vonë, vendësit kanë mbetur me një lojtar më pak, kur Yll Hoxha u ndëshkua me karton të kuq. Në vazhdim, Festim Krasniqi, më i miri në këtë duel, ka pasur rast për ta barazuar rezultatin, por mbrojtësi Haliti ka shpëtuar gol të sigurt. Mitrovicasit, edhe pse humbën, me lojën që e bënë, e lëshuan fushën me kokën lart.
KEK-u – Prishtina 0:1
Pas barazimit të papritur në shtëpi me Gjilanin, Prishtina iu kthye menjëherë fitores. Ekipi kryeqytetas fitoi në Kastriot ndaj ekipit të pafuqishëm këtë sezon, KEK-ut. Golin e fitores për bardhekaltrit e ka shënuar mbrojtësi Ilir Berisha me kokë (73), pasi ka marrë një top të mirë nga sulmuesi Astrit Fazliu.
Vlen të theksohet se Azem Ahmeti e ka humbur një penallti duke e qëlluar shtyllën, pasi më parë Fazliu u ndal në zonën e rreptësisë. Me këtë fitore, Prishtina e ruajti kreun e tabelës, kurse KEK-u me këtë humbje mbeti i fundit.
Lepenci – Vëllaznimi 0:1
Vëllaznimi e ruajti hapin me kryesuesin Prishtina, pas fitores së realizuar në Kaçanik ndaj Lepencit. Gjakovarët iu falënderuan kapitenit Atdhe Gashi, i cili nga distanca e shënoi golin e fitores qysh në minutën e pestë të takimit.
Vendësit e kanë pasur një rast të mirë me Livorekën, por nuk arritën t’i barazonin shifrat. Shikuesit e pranishëm në stadium janë ndarë të zhgënjyer me paraqitjen e ekipit të tyre të zemrës, i cili nuk di për fitore në stadiumin e qytetit në Kaçanik. Lepenci pati një fillim të fuqishëm të sezonit, por gradualisht e mori tatëpjetën.
Trepça – Drita 1:1
Drita e ka konfirmuar formën e mirë nëpër të cilën po kalon duke e nxjerrë një barazim në Mitrovicë ndaj Trepçës. Madje, ekipi gjilanas ka kaluar i pari në epërsi në minutën e 41-të me anë të Labinot Jetullahut, që u shërbye nga Florent Osmani. Elvis Osmani nuk arriti të shënojë nga penalltia, por gabimin e tij e përmirësoi në minutën e 57-të, kur i barazoi shifrat dhe ia siguroi një pikë ekipit gjelbër e zi.
Besa – Drenica 2:0
Besa e ka shijuar fitoren e dytë të sezonit pasi e mposhti Drenicën. Skuadra pejane iu falënderua golave të Elvis Gacaferit dhe Krenar Vokshit. Epërsia e pejanëve ka mundur të jetë edhe më e lartë, sikur portieri Valmir Bytyqi të ishte i saktë nga penalltia në pjesën e dytë. Pejanët, të cilët nuk e kanë nisur mirë sezonin e ri, fituan me plot meritë dhe u ngritën sadopak në tabelë.
Gjilani – Liria 2:1
Fitores së dytë iu gëzua edhe Gjilani, që fitoi ndaj Lirisë. Zëvendësuesi Ismet Ramushi ka qenë hero i ekipit ‘Vjollcë’, pasi e shënoi golin e fitores në minutën e 55-të, vetëm dy minuta pasi hyri në lojë.
Më parë, gjilanasit kaluan në avantazh qysh në minutën e shtatë përmes Besart Morinës, ndërsa Egzon Dobroshi e barazoi rezultatin në minutën e 27-të pas një tollovie të shkaktuar në zonën e rreptësisë së vendësve.
Kapiteni i vendësve, Genc Sermaxhaj ka dështuar nga pika e bardhë në minutën e 33-të, pasi më parë Florim Murseli u ndal në 16 metërsh. Prizrenasit kanë mundur ta barazonin rezultatin në fund të takimit, por gjuajtja e Piranit përfundoi në shtyllë.
Tabela
1. Prishtina---17
2. Drita---13
3. Vëllaznimi---13
4. Trepça ’89---11
5. Trepça---11
6. Hysi---10
7. Lepenci---8
8. Drenica---7
9. Besa---7
10. Gjilani---7
11. Liria---6
12. KEK-u---4