E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi, sytë kah Azem Ahmeti

Sezonin pranveror, Prishtina mund ta fillojë pa njërin prej futbollistëve kyç të saj, Azem Ahmetin. Kontrata mes liderit aktual të Superligës dhe mesfushorit të njohur kosovar ka skaduar.

Andaj, shumë ekipe tjera po mundohen ta shfrytëzojnë rastin për ta ‘grabitur’ njërin prej mesfushorëve më të mirë të Superligës. Mirëpo, nëse Prishtina nuk arrin ta bind Ahmetin ta vazhdojë kontratën, atëherë ky futbollist ka gjasa të mëdha t’i bashkohet Hysit.

Burime të Expressit brenda klubit bardh e zi kanë bërë të ditur se llapjanët seriozisht po mendojnë t’ia përgatisin një ofertë joshëse Ahmetit. Ky i fundit nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i bashkohet ekipit të Afrim Tovërlanit në Merdarë, nëse bardhekaltrit nuk i aprovojnë kërkesat e tij për vazhdimin e kontratës.

“Kam biseduar me kryetarin Remzi Ejupi. I kam bërë disa kërkesa për vazhdimin e kontratës. Kryetari më ka premtuar se do t’i përmbushë ato dhe vështirë se do të largohem nga Prishtina. Por, nëse nuk ndodh kjo, atëherë normalisht që do t’i shqyrtoj edhe ofertat tjera. Aktualisht nuk jam në kontakte me Hysin. Por, nëse nuk vazhdoj me Prishtinën, ndoshta kisha punuar me Afrim Tovërlanin. Ai është një trajner i mirë dhe patëm kaluar mirë gjatë dy viteve në Prishtinë”, ka deklaruar Ahmeti për Express.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›