E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyska: Qytetet, fytyra e njeriut pa identitet

Fituesi i "Ardhje 2010", Dritan Hyska, ndihet i kënaqur që juria e ka parë fotografinë e tij si një dokument i kohës së tranzicionit. Artisti 30-vjeçar tregon për lidhjen e tij me realitetin urban dhe arkitekturën dhe çfarë pret nga Nju-Jorku ku do të jetë rezident falë këtij çmimi


Energji e pashtershme që njeriu harxhon për të betonuar hapësirën e tij, për t'u izoluar në asfiksi. Është ndjesia e parë që të japin fotografitë e Dritan Hyskës ku fokusohen ndërtesa të lëna përgjysmë, ndërtesa të larta dhe të shkreta që i zënë frymën njëra-tjetrës. Ky është realiteti urban shqiptar për fituesin e Çmimit të Artit Bashkëkohor "Ardhje 2010".


Juria i quajti objektet që tërheqin vëmendjen e Hyskës "monumente të tranzicionit, përkujtimore të historisë dhe politikës së kohës sonë". Kuratori i ekspozitës, Zef Paci, i vlerëson ato për këndin interesant të fotografimit, ku ndërtesat shihen si objekte, kurse vizitorit të zakonshëm i japin përshtypjen "sikur janë bërë me dorë".


"Është një artist që shfaqet i konsoliduar dhe që thellohet në një drejtim të caktuar, të cilin e ndjek me konsekuencë. Në përgjithësi "Ardhje", përveç prurjeve, çmon edhe këmbënguljen e një autori, jo krijimin sporadik të tij. Ky autor e ka marrë një temë të tillë përsipër dhe e hulumton hap pas hapi", thotë më tej Paci.


Artisti 30-vjeçar, i lindur në Korçë, jeton prej vitesh në Venecia, ku ka mbaruar studimet e larta në vitin 2005. Fillimisht është marrë me pikturë dhe njëkohësisht me fotografi dhe që nga viti 2001, kërkimi i tij artistik është përqendruar tek realiteti urban brenda Shqipërisë dhe më vonë nëpër Itali dhe në vendet ku udhëton.


Edhe pse nuk jeton në Shqipëri ai ka marrë pjesë në dy edicione të "Onufrit" në 2006 dhe 2008. Më 2007, ka marrë pjesë në çmimin "Mulliqi" të Prishtinës dhe së fundmi në ekspozitën "The Berlin Wall" në Promendade Gallery në Vlorë. Angazhimi i radhës është "Bienalja Ndërkombëtare e Artistëve të Rinj" në Moskë.


Dritan, kur ke qenë për herë të fundit në Shqipëri?


Hera e fundit në Tiranë ishte në 2008 për Çmimin "Onufri". Ndërsa ekspozita e fundit ka qenë në ekspozitën "The Berlin Wall" në The Promenade Gallery në Vlorë.


Kur janë realizuar fotografitë që fituan "Ardhjen"?


Me këtë grup fotosh jam duke u marrë për më shumë se 4 vjet. Synimi im është që të nxjerr në pah natyrën dhe ndryshimin e qyteteve shqiptare dhe realitetin e tyre kompleks. Qytetet janë duke u zgjeruar duke u bërë një grumbull strukturash jashtë një kontrolli. Qëllimi im është të tregoj realitetin dhe në të njëjtën kohë të identifikoj një vlerë estetike, nëpërmjet imazhit fotografik.


Ç'është kjo tërheqje nga realiteti urban?


Pa dyshim që puna ime është fokusuar tek realiteti i pakontrollueshëm urban në Shqipëri. Nga ana tjetër nuk dua ta nënvizoj si një punë që i përket vetëm këtij realiteti. Me të njëjtin interes kam ndjekur dhe zhvillimet e të njëjtit tip këtu në Itali ku jetoj, si dhe në vende të tjera që kam vizituar. Është një pikë, një fokusim mbi arkitekturën, mbi atë natyrë të krijuar nga njeriu në kontrast me natyrën e parë.


Po ti si ndihesh brenda kësaj hapësire?


Është një terren i vështirë për t'u përtypur. Ka dhe një anë tjetër, atë të ndjesisë së shtëpisë. Qyteti duket si një skelet i gërryer nga koha, një enë e përshtatshme gjeometrike dhe gri në shtëpinë e një njerëzimi të hutuar dhe pa identitet.


Hapësira urbane, një sintezë e përsosur e natyrës artificiale, duket si një trup që lëviz me të papritura dhe me një përpunimin urgjent.Juria e "Ardhjes" i vlerësoi fotografitë e tua për botëkuptimin që ato bartin si monumente, si përkujtimore të historisë dhe politikës së kohës sonë".


Ju kënaq motivacioni?


Ky ishte një nga qëllimet. Pa dyshim që mund të interpretohet kështu dhe për nga forma është shumë e drejtë.


Është një dokumentacion, vlerësim i një studimi të bërë mbi territorin në të cilat vendi dhe arkitektura janë në qendër të një peizazhi ku kombinohen këto elemente. Ato lidhen me rolin e njeriut në ndërtimin e peizazhit. Peizazhi është transformuar me një shpejtësi për të mbuluar dy identitete dhe të bëjë një tjetër, që ne nuk dimë ta përcaktojmë dhe ta kontrollojmë.


Çfarë pret të gjejë në Nju Jork, një artist që jeton në Venecia?


Në të vërtetë nuk e kam idenë sesi mund të jetë qëndrimi im atje, por me siguri që diçka do ndryshojë patjetër. Janë dy vende krejtësisht të ndryshme, dhe kjo është një gjë e mirë.


Mbi çfarë shijesh kultivohet kërkimi artistik?


Pa dyshim që me sa kam patur mundësi kam ndjekur lëvizjet në artin bashkëkohor por si shije nuk mund të përcaktoj dot se çfarë më ndikon dhe ndjell ngacmim. Mund të them se në fotografi jam i influencuar nga mënyra e prezantimit të strukturave të fotografëve si Bernd e Hilla Becher, Gabrielle Basilico, Thomas Demand. Është një analizë mbi problematika ku në vend të parë vihet natyra njerëzore në atë që ne kemi ndërtuar si habitat.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›