E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hyundai-Kia”, prodhuesi i vitit që sfidon “Volkswagenin”



Revista më e vjetër britanike për automobilat, “AutoCar”, në takimin e saj vjetor në Londër e shpalli grupin “Hyundai-Kia” si prodhuesin automobilistik të vitit. Kjo ngjarje e “AutoCar” konsiderohet si një nga më të rëndësishmet, sepse me këtë rast u bë i ditur edhe fituesi i automjetit të vitit në Europë. Kryeredaktori i “AutoCar”, Kas Hallet, me rastin e dorëzimit të shpërblimit drejtorit të “Hyundai-Kia” për hulumtim dhe zhvillim, Nam-Yong Kim, u shpreh: “Kur drejtuesit e grupit “Hyundai-Kia” para disa vjetësh shprehën dëshirën për të qenë në mesin e prodhuesve më të mëdhenj në botë si Toyota, General Motors, Ford e Audi-Volkswagen, shumë nga ne ishin skeptikë. Mendoj se koreanët janë shumë seriozë në atë që bëjnë. Ata kanë pranuar planin për prodhimin e automjeteve me modele europiane dhe ekspertë europianë për të kënaqur blerësit e të gjithë Europës. Sfida më e madhe në këtë rast ishte ndaj Volkswagenit Golf dhe Ford Focus-it, sepse automjetet e “Hyundai-Kia” janë po aq cilësore sa edhe automjetet europiane. Në të njëjtën kohë, ato ofrojnë garanci më të gjatë“. Grupi “Hyundai-Kia” është krijuar nga bashkimi i dy kompanive në vitin 1998 në tregun lokal korean dhe mban 80 për qind të pjesëmarrjes në treg. Këtë vit “Hyundai-Kia” është bërë prodhuesi i pestë më i madh në botë.

“BMW Z4”, risia e fundvitit

Thashethemet për daljen në shitje të “BMW Z4” të ri po qarkullojnë prej një kohe të gjatë. Kishte shpresa se ai do të paraqitej në panairin e automjeteve në Los Anxhelos, por sipas burimeve nga BMW-ja kjo mund të ndodhë vetëm në muajin dhjetor të këtij viti. Kur bëhet fjalë për motorët, ata do të përfshijnë ata atmosferikë dhe twin-turbo 3.0 litërsh me gjashtë shpejtësi, të cilët gjenden në modelet “328i” dhe “335i”. Modeli i ri karakterizohet nga të veçantat e pjesës së parme dhe të prapme, linja më e ulët e kulmit dhe mbrojtësi i prapmë. Për vitin 2009 pritet që BMW-ja të ndalojë së prodhuari versionin me kulm të butë dhe në ofertë do të jetë vetëm ai me kulm të fortë.

“Mini” vjen me detajet e “Cooper Cabrio”

Automjeti “Mini” ka publikuar detajet e para të gjeneratës së dytë të modelit të tij Cabrio. Ky kabriolet fillimisht do të paraqitet në panairin e automjeteve në Detroit të SHBA-ve, ndërsa shitja do të fillojë në mesin e vitit të ardhshëm. Ai do të ketë dy versione të motorit katërcilindërsh prej 1.6 litrash të krijuar nga bashkëpunimi mes BMW-së dhe grupimit PSA. Versioni atmosferik 1.6 litërsh i “Cooper” zhvillon 118 KF, ndërsa versioni me turbo-mbushës 1.6 litërsh “Cooper S” ka në dispozicion 172 KF. Të dy modelet shpenzojnë deri në 20 për qind më pak karburant sesa paraardhësit e tyre dhe proporcionalisht emetojnë më pak CO2. Në këtë mënyrë, shpenzimi mesatar i “Cooper” është 6.1 litra, ndërsa “Cooper S” 7.2 litra. Me kulm të hapur dhe karriget e prapa të shtrira, “Mini Cabrio” i ri ofron 660 litra hapësirë për bagazh, ndërsa me kulm të mbyllur volumi i lirë bie në gjithsej 125 litra. Për herë të parë, “Mini Cabrio” ofrohet me pajisjen për aklimatizim automatik si dhe mbështetje të memories USB e Bluetooth, por edhe me lidhjen për iPod e iPhone.

“iPhone” për herë të parë tejkalon “Windows Mobile”

“iPhone” ka bërë të pamundurën: vetëm për dy vjet, ka tejkaluar numrin e njësive të shitura të celularëve në të gjitha platformat “Windows Mobile” së bashku. Në tremujorin e tretë të këtij viti janë shitur 36.5 milionë telefona të mençur, çka tregon një rritje prej 11.5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2007. Më e rëndësishmja është se pjesëmarrja në treg e kompanisë “Apple” (e cila në treg ka vetëm një model, atë iPhone) është rritur për 12.9 për qind, që e vendos atë në vendin e tretë, pas Nokias dhe prodhuesit BlackBerry, të kompanisë RIM. Tani, për herë të parë shitja e “iPhone” ia ka kaluar të gjitha pajisjeve me “Windows Mobile”. Fakti është se “Windows Mobile” ka paraqitje të vjetër dhe “Windows Mobile 7” duhet të bëjë një kthesë me të vërtetë radikale në krahasim me versionin e tanishëm, 6, në mënyrë që kjo modë të ndryshojë.

Nokia prezanton modelin “N97”

Kur e shikon për herë të parë këtë pajisje mendon se bëhet fjalë për konkurrencën e vërtetë dhe ndoshta është më e fuqishme se “iPhone”. Në prezantimin e këtij celulari nuk janë bërë të njohura të gjitha detajet, megjithatë, “Nokia N97” është bazuar në sistemin operativ “Symbian S60”, do të ketë tastierë “QWERTY” për tërheqje, ekran të madh të ndjeshëm në prekje me diagonale prej 3.5 inçësh dhe do të kushtojë rreth 550 euro. Kamera e integruar e këtij modeli përmban 5 megapikselë dhe mbështet incizimin e video-materialeve në formatin 16:9. Ajo ka të integruar edhe GPS, i cili ndryshe nga “iPhone” përkrah edhe të ashtuquajturin navigacion turn-by-turn, të cilin jemi mësuar ta shohim në pajisjet e pavarura GPS. Tani për tani duket se Nokia, përsa u përket çështjeve teknike, në këtë pajisje ka diçka më shumë se “iPhone” dhe risia më e madhe është se më në fund është krijuar një pajisje që është e ndjeshme në prekje. Se si do të funksionojë ajo me sistemin operativ Symbian S60, na mbetet ta shohim.

6 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›