Kapelet, imazhi ndryshe që nuk eklipson flokët
Në një ditë të ftohtë dimri zor se mund t’ia dilni pa një kapele. Disa femra preferojnë të mos mbajnë kapele pasi ato mund të prishin modelin e flokëve dhe të shkatërrojnë të gjithë pamjen e trajtuar me aq kujdes. Megjithatë, kapelja nuk është thjesht një aksesor i këndshëm, por është edhe një pjesë e veshjes praktike që ju vjen në ndihmë kur është shumë ftohtë. Por ajo bën që edhe flokët tuaj të duken më të bukur dhe më të plotë. Këto këshilla mund t’u shërbejnë të gjitha femrave që kujdesen për pamjen e jashtme, por edhe që ndjekin modën në këtë mot të akullt. Stilet e kapeleve, që mund të përdoren në këtë stinë, janë të shumëllojshme duke bërë kështu që edhe preferencat të jenë tepër personale.
Bereta
Më e preferueshmja për stinën e dimrit të këtij viti është padyshim bereta. Megjithatë, ky aksesor ka vite të tëra që kryeson dhe mendohet të mbetet i pari edhe për shumë kohë. Ato mund të jenë të ngushta ose të gjera, por shumë popullore midis femrave në të gjithë botën. Njëngjyrëshe, klasike ose serioze e zezë, bereta ka pothuajse të njëjtin efekt pozitiv nëse kombinohet këndshëm. Megjithëse preferencat janë të ndryshme, beretat e këtij dimri do të shoqërohen me stoli me ngjyra të ndezura. Ju mund të përdorni beretën tuaj të preferuar për të sjellë tërthorazi stilin e viteve 1970. Skicuesit më të njohur të këtyre aksesorëve janë: Donna Karan, Chanel, Marc by Marc Jacobs, Narciso Rodriguez, Ralph Lauren, Stephen Jones, por edhe të tjerë..
Kapelet e punuara me shtiza
Këto kapele janë më të preferueshme nga adoleshentët dhe kjo stinë për ta do të jetë e paharrueshme. Kapelet e thurura janë të ngrohta dhe të këndshme për t’u përdorur në dimër. Stilet e tyre mund të jenë nga më të ndryshmet. Për shembull, ato mund të zgjidhni të tipit “Burberry Prorsum”. Dizenjatorët më të njohur të këtyre kapeleve janë Hermes dhe Cynthia Steffe. Beretat, kapelet e thurura dhe kapelet e tipit kasketë, mund të shkojnë shumë mirë me të gjitha veshjet e stilit bohem.
Kasketat
Më të këndshme ato do të dukeshin pa asnjë stoli për zbukurim për të krijuar imazhin e një femre moderne të pavarur ndërkohë që i njëjti lloj, i përdorur me zbukurime apo me një pupël, të japin idenë e një feminiliteti ekstrem. Një tjetër ide interesante mund të ishin edhe kasketat prej cope skoceze të tipit uniform. Ato çuditërisht do t’u bënin të ndiheshit në formë dhe më trendi. Kasketat megjithatë nuk kanë të bëjnë me modën më të fundit për këtë dimër, por mund të jenë një mundësi e përkryer për t’i përdorur gjerësisht në stinën pranverë / verë 2009. Markat më të njohura për këto kapele janë: James Coviello, 3.1 Phillip Lim dhe Dolce & Gabbana.
Shallet e kokës
Këto aksesorë jemi mësuar t’i shohim te personazhe të njohura si Audrey Hepburn apo Mbretëresha e Anglisë, Elizabeta. E çuditshme por e vërtetë, sivjet janë shumë në modë dhe mund të bëhen pjesë e femrave me personalitet të fortë. Shumica i përdorin shallet e kokës në stinën e pranverës ose verës, por këtë vit i shohim edhe në koleksionet e dimrit të Dolce & Gabbana dhe Paul Smith. Tingëllon këndshëm dhe vajzat që i bëjnë pjesë të pamjes së tyre duken kaq bukur, sa të japin idenë e kukullave të famshme ruse të quajtura Matrioshka.
Kapelet klasike
Kapelet klasike nuk janë më pak në modë këtë vit. Të gjera apo më të ngushta, ato krijojnë idenë e një femre feminile, romantike, të ashpër ose me shumë pushtet. Dizajnët kanë refuzuar disi imazhin feminil për t’i kushtuar më tepër vëmendje formës ekstreme si sombrero, kapele me elementë të tipit cowboy, kalepet rrumbullake dhe ato me majë të gjatë. Disa nga elementet zbukurues, që mund të shtohen në këto raste, janë: shiriti prej sateni, dantellat dhe karficat. Përveç kësaj, ia vlen të përmenden modelet interesante të krijuara nga Christian Dior dhe Gianfranco Ferré të krijuara me lëkurë krokodili (Guçi, James Coviello, Christian Dior, Gianfranco Ferré, Michael Kors, Carolina Herrera, Vera Wang, Christian Dior, Marc Jacobs).
Kapelet prej gëzofi
Stili i fundit i preferueshëm për këtë stinë të vitit janë kapelet prej gëzofi që do të jetë gjithmonë në modë, pavarësisht sulmit që u bëhet shtëpive të modës që përdorin lëkurën e kafshëve. Kapelet prej gëzofi janë prezantuar denjësisht nga modeluesit më seriozë dhe ngjyrat e përdoruara janë nga më të ndryshmet. Moda e këtij viti na sugjeron modele nga më të ndryshmet, megjithatë ato nuk mund të përdoren me sy mbyllur. Zgjidhni diçka që do të shkonte mirë me personalitetin tuaj për t’ju bërë të dukeni më e freskët se kurrë.
6 Dhjetor 2008