E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyxhym te Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi me lehtësi i grumbulloi të premten liderët e shumicës së partive politike në një restorant në Prishtinë. Me ta foli për procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur . Në tryezën e Thaçit ishin të pranishëm kreu i LDK’ së, Isa Mustafa dhe Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, por jo edhe Albin Kurti. Në Lëvizjen për Bashkim thanë se u ftuan vonë për takim.

Pak kohë pasi ka folur në Qeverinë e Kosovës për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, Hashim Thaçi nuk e ka pasur të vështirë t`i mbledhë liderët e partive politike në një restorant në Prishtinë.

Aty kanë marrë pjesë lideri i partisë më të madhe opozitare LDK’së, Isa Mustafa, Blerim Shala i AAK’së e Mimoza Kusari e AKR’së dhe partnerët tjerë të koalicionit.

Por, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti si dhe Presidentja Atifete Jahjaga nuk kanë qenë pjesë e takimit të thirrur nga Kryeministri, i cili është kthyer nga Vjena të enjten, ku ka diskutuar për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë me shtetet anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtuese.

Pas takimit, Kryeministri Thaçi ka thënë se ka gjetur përkrahjen në krejt spektrin politik për të ecur tutje në procesin e finalizimit të pavarësisë.

“Shtatë partitë kryesore politike përshëndesin dhe mirëpresin vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtarë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur gjatë vitit 2012. Ishte një konsultim mes spektrit politik për hapat e mëtutjeshëm që duhet t`i ndërmarrim si Qeveri e Kosovës, si Parlament, si spektër politik. E kam theksuar edhe më herët, e theksoj edhe sot, këtu jemi të involvuar të gjithë”, ka thënë Thaçi.

Por, nuk ka sqaruar pse nuk kanë marrë pjesë zyrtarët e Vetëvendosjes.

“Të gjithë kanë qenë të informuar për takimin, me përjashtim të tyre, të gjithë i janë përgjigjur ftesës”, ka thënë Thaçi.

E zyrtarë të PDK’së, duke folur për mungesën e Shefes së Shtetit Atifete Jahjagës, kanë deklaruar të premten se Presidentja Jahjaga nuk ka qenë pjesë e takimeve të fundit rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Zyrtarë të Qeverisë ndërkaq kanë bërë të ditur se Lëvizja për Bashkim ka refuzuar pjesëmarrjen në takim.

Por Sekretari Organizativ i LB’së Valon Murati ka thënë për gazetën se ftesa u është bërë shumë vonë.

“Na kanë ftuar në ora 12 që të shkojmë në takim në orën 13. Ne e nuk e kemi pasur në agjendë këtë nuk e kemi injoruar takimin” ka thënë Murati për Express.

Edhe Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka dalë nga restoranti bashkë me Nënkryetarin e AAK’së, Blerim Shalën, ka thënë shkurt se i kanë dhënë mbështetje përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.

“Jemi takuar për një deklaratë lidhur me qasjen e heqjes së pavarësisë së mbikëqyrur. Kemi biseduar edhe më parë, jemi pajtuar edhe sot që ne si liderë politikë përkrahim këtë proces dhe procesi të fillojë. Ky ka qenë takimi”, ka thënë Mustafa.

Për mospraninë e Vetëvendosjes ka folur më shumë Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari, e cila ka thënë se subjekti i Albin Kurtit ka qenë i ftuar.

Por, kjo është mohuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Ai ka thënë se askush i Vetëvendosjes nuk ka qenë i ftuar.

“Lidhur me këtë takim nuk kemi pasur kurrfarë njohurie, as ndonjë ftesë. Nuk e dimë se për çfarë takimi bëhet fjalë”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, takimet për çështje të rëndësishme duhet të mbahen në institucione.

“Kryesisht ne i preferojmë pjesët zyrtare – institucionet, është Kuvendi. Janë vendet ku bëhen takimet, janë vendet ku diskutohen çështjet. Pra, është Kuvendi ku do të duhej të diskutohen çështjet e ndryshme”, ka thënë Aliu për televizionin publik.

Ndryshe, Kryeministri para se t`i takonte e përfaqësuesit partiakë, i ka mbledhur vartësit në Qeveri, të cilëve u ka thënë se muaji janar ka qenë muaji i perspektivës, ndonëse gjatë javëve të fundit ka pasur protesta dhe bllokim rrugësh.

“Ishte konkludim i të gjithëve se shteti i Kosovës po konsolidohet dhe forcohet. Është hapur perspektiva e sigurt europiane për Kosovën, se ka të arritura të prekshme, të vlerësuara lart nga të gjithë në konsolidimin e shtetit, forcimin e institucioneve, forcimin e marrëdhënieve me fqinjët. Gjithashtu, edhe për punën e mirë që po bëjmë si Qeveri për kultivimin e frymës tolerante multietnike”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Shefi i Qeverisë ka falënderuar të gjitha shtetet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, si dhe punën e përfaqësuesit Special të ICO, Peter Feith, për punën e tij korrekte.

Ndryshe, takimi i Grupit Ndërkombëtarë të Krizave është mbajtur të mërkurën, duke i dhënë mbështetje idesë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Gjatë këtij vitit është paralajmëruar edhe një takim i GDN’së për të parë nëse janë përmbushur të gjitha pikat e Planit të Ahtisaarit, në bazë të të cilit funksionon shteti i Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›