E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinjo: Jemi Milani, kualifikimi është i mundshëm

Pato e Sedorf, gati për sfidën me Man. Junajtid

Rezonanca magnetike, së cilës Aleksandre Pato iu nënshtrua dje paradite, i hapi “dritën jeshile” trajnerit Leonardo, që e përfshiu në skuadër për ndeshjen kundër Junajtid në Champions. Sot sulmuesi brazilian do të fluturojë drejt Mançesterit, e përveç tij, kontingjentit kuqezi do t’i shtohet edhe Klarens Sedorf. Njëzetedy janë futbollistët e grumbulluar për të vazhduar ëndrrën dhe për të shndërruar në realitet optimizmin e Leonardos. “Kemi shansin të arrijmë një rezultat të përjetshëm”, tha drejtuesi i stolit pas barazimit në fushën e Romës. Enigma e vetme mbetet reparti ofensiv. Pato do të vazhdojë terapitë dhe seancat në pishina, por sipas të gjitha gjasave, talenti pritet ta nisë ndeshjen nga stoli. Ai mund të hyjë në lojë vetëm nëse Milani do të kërkojë dëshpërimisht rezultatin dhe ka shanse që të përmbysë humbjen 3-2 në “San Siro”. Kjo është arsyeja përse në “Olld Traford”, italianët mund të zbresin në fushë me formacionin me tre sulmues të përdorur në “Olimpiko” gjatë fundjavës. Forca e “tridhëmbëshit” u pëlqye shumë nga Leonardo, i cili pritet të aktivizojë Huntelar në të djathtë, Ronaldinjon në të majtë dhe Borrielon në qendër. Me fjalë të tjera, “Djalli” do të hedhë në fushë përsëri dy sulmues të mirëfilltë dhe do të jetë gjatë gjithë kohës në kërkim të golit. Kjo zgjedhje taktike ngre dyshime për prezencën e Devid Bekam në fushë. Domosdoshmëria për të shënuar, bën që mesfushori anglez të mos ta ketë të sigurt formacionin. Ai ka ende një shans për të luajtur nga minuta e parë kundër skuadrës ku u formua si futbollist, por e vërteta është se në mesfushë kërkohen muskuj, për të mbuluar hapësirat. Kjo bën që zgjidhja më e mirë të jetë aktivizimi i Gatuzos përkrah Pirlos dhe Ambrozinit.

Pavarësisht dilemave taktike dhe faktit që Milani do ta ketë të vështirë të fitojë me dy gola diferencë në Angli, Ronaldinjo beson se kualifikimi është i mundur. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, megjithatë nuk ka asgjë e pamundur”, deklaroi fantazisti brazilian. “Mendoj se do të jetë një sfidë e bukur dhe plot emocione. Ne kërkojmë me patjetër një rezultat pozitiv dhe do të luajmë për të fituar. Edhe Mançesteri do të synojë të fitojë, pasi luan përpara tifozëve të tij. Për më tepër, që trajneri Ferguson e hedh gjithmonë skuadrën në fushë për të fituar”. Optimizmi i Dinjos lidhet edhe me ecurinë që kuqezinjtë kanë në Champions: “Milani është një skuadër me traditë në këtë aktivitet. Kur skuadra jonë luan në Champions, të gjithë e dinë se Milani do të paraqitet si Milani. E kam të qartë se çfarë do të thotë të luash kundër këtij ekipi, e tashmë që mbroj ngjyrat kuqezi e ndiej edhe më shumë peshën e fanellës”. ëndrra e fantazistit mbetet finalja: “Do të ishte e jashtëzakonshme të luanim në Madrid. Dua të përsëris suksesin me Barçën në vitin 2006: momenti kur ngrita kupën përkrah Pujol do të më mbetet gjithmonë i stampuar në mendje”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›