E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rumenige: Rezultati 2-1 është i rrezikshëm

Riberi prish qetësinë te Bajerni përpara Fiorentinës: Pas dy javësh vendos të ardhmen
Presidenti i Bajernit të Mynihut, Karl-Hainc Rumenige, e ka cilësuar të vështirë sfidën e kthimit në Champions League, që gjermanët do të luajnë sot në fushën e Fiorentinës. Për “welt.de”, drejtuesi i klubit bavarez deklaroi: “Objektivi i skuadrës sonë është i qartë: duam të kualifikohemi në çerekfinalet e këtij aktiviteti. Megjithatë, e kemi të qartë se nuk mund të futemi në fushë me besimin se gjithçka ka përfunduar. Rezultati 2-1 në favorin tonë, gjatë ndeshjes së parë, është i rrezikshëm. Nuk do ta kemi aspak të lehtë”. Rumenige shfaqet optimist për formën që po kalon skuadra e drejtuar nga Luis van Gal, pavarësisht barazimit 1-1, që bavarezët regjistruan gjatë fundjavës në fushën e Këlnit. “Fiorentina mund të kualifikohet me fitoren 1-0, falë një goli në fushën kundërshtare. Megjithatë, ne po kalojmë një moment pozitiv dhe për këtë arsye jam i bindur se gjatë këtij edicioni mund të arrijmë rezultate të rëndësishme në Champions. A kemi shanse ta fitojmë trofeun? Sigurisht që kemi një skuadër shumë të fortë dhe këtë e kemi treguar në fushën e lojës. Por, mendoj se Barcelona dhe çelsi janë një shkallë më lartë se ne. Gjithsesi, në terma afatgjatë, triumfi në Champions duhet të jetë objektivi ynë”.

Bajerni duket i favorizuar përballë Fiorentinës jo vetëm prej kontingjentit më të fortë, por edhe prej peshës që kjo skuadër ka në Champions. Megjithatë, për të prishur qetësinë në ambientin e bavarezëve, përpara përballjes delikate, ka shërbyer deklarata e Frenk Riberisë. Ylli francez ka zbuluar “kartat”, duke pohuar se pas dy ose tri javëve do të vendosë të ardhmen. Gjermanët shpresojnë që duke u kualifikuar në çerekfinalet e Championsit ta bindin 26-vjeçarin që të qëndrojë në “Alianz Arena”. Kontrata aktuale e Riberisë skadon në vitin 2011. Gjatë verës dukej se mesfushori ishte pranë kalimit të Reali i Madridit, por lojtari nuk përjashton as Barcelonën dhe çelsin. “Nuk është 100 për qind e sigurt që do të transferohem te Reali. Edhe Barça dhe çelsi janë shfaqur shumë të interesuara. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se detyrimisht do të largohem nga Bajerni. Të ardhmen do ta vendos vetëm pas dy apo tri javëve”, tha Riberi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›