Gazi, shkrumbohen nga flakët dy makina
ELBASAN - Dy mjete janë shkrumbuar plotësisht si pasojë e djegies nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Elbasanit, rreth orës 11:00. Dëshmitarët e saj kanë lajmëruar repartin zjarrfikës dhe policinë pasi një makinë kishte shpërthyer në flakë dhe një tjetër ngjitur me të rrezikonte të digjej. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të shuar flakët ka qenë e menjëhershme, por nuk ka ndikuar aspak në parandalimin e flakëve të cilat janë përhapur me shpejtësi nga motori i mjetit tip “Audi” me targë EL 2713 B, në pronësi të shtetasit A.Z. tek mjeti tjetër i cili ndodhej i parkuar ngjitur, tip “Lancia” me targa të huaja, në pronësi të G.SH. Pas afro 5 minutash forcat e zjarrfikësve kanë mundur të evitojnë përhapjen e flakëve dhe të shuajnë zjarrin, i cili për pak minuta nxori jashtë përdorimit dy mjetet e përfshira nga flakët. Sipas specialistëve të forcave antizjarr dyshohet se zjarri përfshiu “Audi”-n, pasi ai kishte të instaluar një impiant gazi, ku është krijuar një shkëndijë elektrike. Për fat nuk janë shënuar të lënduar nga zjarri. a.k