E Diel, 1 Nëntor 2026

I burgosuri i Guantanamos nis procesin në Nju Jork

Shtetet e Bashkuara të
Amerikës kanë transferuar të
burgosurin e parë nga burgu i
Guantanamos drejt vendit ku do të
gjykohet. Ky është edhe një test për
Presidentin e vendit Obama dhe
planin e tij për të mbyllur burgun
famëkeq që u ngrit për të strehuar
të dyshuarit për terrorizëm
ndërkombëtar.
Ahmed Khalfan Ghailan, një
tanzianian që mbahet në bazën e
Kubës që nga viti 2006, është i akuzuar
për përfshirje në bombardimet
e ambasadës amerikane në Afrikë
dhe është dërguar në Nju Jork
për gjykim. Ai ka 286 akuza, përfshi
ato për bashkëpunim me Osama
bin Laden dhe anëtarë të tjerë të Al
Kaedës për vrasjen e amerikanëve
kudo që ndodhen, si dhe akuza
të veçanta për vrasjen e 224 personave
në bombat që u vunë në
Tanzani dhe Kenia në vitin 1998.
Sjellja e këtij të dyshuari në Shtetet
e Bashkuara për gjykim është testi i
parë për linjën ndryshe të Obamës
në lidhje me të gjithë personat që
ndodhen në këtë burg. 240 të akuzuarit
janë ankuar se mbahen në
kushte shumë të vështira dhe pa u
gjykuar në burgun e Guantanamos
për një kohë të gjatë, dhe pikërisht
ky fakt bëri që Shtetet e Bashkuara
të Amerikës të humbisnin shumë
nga reputacioni i tyre në botë në
lidhje me shkeljet e të drejtave të
njeriut. Burgu u hap në vitin 2002,
nën urdhrat e Presidentit Bush, pas
sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork
dhe në Uashington. Republikanët
kanë reaguar menjëherë pas këtij
veprimi, duke e quajtur atë si një
kërcënim të sigurisë kombëtare
të vendit. Sipas një kongresmeni
republikan, ky ishte hapi i parë
i demokratëve për të importuar
terroristët në Shtetet e Bashkuara.
Lideri i pakicës republikane në
Senat tha se ky rast krijonte precedentin
e transferimit dhe bërjes
publike të sekreteve të ndryshme
dhe dhënien e informacioneve
terroristëve. Ndërkohë zyrtarë të
administratës "Obama" deklaruan
se kjo lëvizje ishte një hap përpara
në rivendosjen e drejtësisë për të
burgosurit e Guantanamos. Sipas
disa grupeve të të drejtave të
njeriut që e kanë ndjekur situatën
nga afër, ky rast i parë i transferimit
të suksesshëm të një të dyshuari
duhet të pasohet nga raste të tjerë,
pra të dyshuarit duhet të dalin para
gjykatave civile dhe të gjykohen në
lidhje me akuzat brenda afateve të
parashikuara nga ligjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›