E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për gazin. Rusia i vë ultimatum Bashkimit Europian

Gjiganti energjetik rus, "Gazprom",
që kontrollon rezervat
më të mëdha të botës
në gaz natyror, ka lëshuar një
paralajmërim të ashpër në drejtim
të Bashkimit Europian, në të cilin
thuhet se Europa duhet ta ndajë
mendjen nëse dëshiron, apo jo të
vazhdojë të furnizohet me gaz nga
Rusia. Në një intervistë të fundit
për shtypin perëndimor, numri dy i
"Gazprom", Alekdandër Medvedev,
deklaroi se Europa ishte aktualisht
në udhëkryq. "Europa duhet të
vendosë në lidhje me situatën e
furnizimit para se të vijë dimri.
Nëse Bashkimi Europian nuk e do
gazin e Rusisë, atëherë edhe ne do
të vazhdojmë biznesin tonë për
të kërkuar blerës të rinj", deklaroi
Medvedev. Ky kërcënim vjen
ndërkohë që Bashkimi Europian
po bën tentativa për të gjetur furnizues
të tjerë me gaz, veç Rusisë
për t‘i shpëtuar varësisë së vazhdueshme
ndaj saj. Në janar, Rusia
mbylli rubinetin e gazit, pas një
zënke për para me Ukrainën dhe
kjo bëri që shumë vende të Bashkimit
Europian të hynin në krizë
për rezervat e gazit. BE aktualisht
varet nga Rusia për një të katërtën
e sasisë së gazit që konsumon gjatë
një viti. Nga blloku i BE-së, të gjitha
vendet janë të varura prej Moskës.
Vendi i goditur më shumë ishte
Bullgaria që mbeti pa rezerva gazi
në mesin e dimrit. Rreth 800 mijë
shtëpi nuk u furnizuan për ditë
të tëra me gaz në temperatura që
ishin shumë poshtë zeros. Në shekullin
e 21, europianët janë shumë
të revoltuar që ndodhin ende gjëra
të tilla, ndaj duan që t‘i japin fund
varësisë nga gazi. Po a është vonë
për Bullgarinë dhe pjesën tjetër
të Evropës që të shkëputen nga
varësia ruse? Aktualisht është
jetike për Bashkimin Europian
që të qartësojë njëherë e mirë një
marrëdhënie nga e cila rrezikohet
seriozisht në raste krizash.
Tashmë për çështjen e furnizimit
me gaz ka kohë që lufta ka nisur
mes dy strukturave të mëdha.
Për momentin, "Gazprom" po e
manovron shumë bukur lojën,
duke bërë gjithmonë sipas interesave
të tij dhe duke arritur
rezultatet që do. Pavarësisht rënies
së ndjeshme të çmimeve të gazit në
të gjithë botën, kompania është e
vendosur që të ndërtojë dy gazsjellës
të tjerë në Europë me një kosto
totale prej 20 miliardë dollarësh.
E para është "Nord Stream", që do
të kalojë nga Rusia Perëndimore
nën Detin Baltik nëpër Gjermani e
do të përfundojë në Itali, ndërsa i
dyti quhet "South Stream" dhe nga
Rusia do të kalojë nëpër Detin e Zi
e më pas në Bullgari e në fund në
Itali. "Gazprom" kërkon që të çojë
gazin poshtë detit drejtpërdrejt në
Europë për të shmangur transitin
nëpër Ukrainën në rrugë tokësore.
"Gazprom" mendon se në vitin
2020, Rusia do të ketë një rritje
shumë të madhe për sa i përket
furnizimit të tregut. Ndërtimi i
fazës së parë të "Nord Stream" ka
nisur dhe pritet të jetë funksional
në vitin 2011. Sipas një analisti të
çështjeve të energjisë, Europa po
vazhdon të zhytet në një varësi
gjithnjë e më të madhe ndaj Rusisë
dhe mbi të gjitha ndaj një kompanie
që ka pronare shtetin. Rusia
e përdor energjinë si armë politike,
siç përdoreshin gjatë Luftës së
Ftohtë armët bërthamore. Aktualisht
Europa është e ndarë në
lidhje me këtë çështje, sepse ka
vende që e mbështesin furnizimin
nga Rusia, si Gjermania, ndërkohë
që vende të tjera duan të jenë
më të pavarura. Në këto kushte,
kur Rusia po kërkon përgjigje të
menjëhershme për Europën, këtë
të fundit do ta shpëtonte vetëm
një vendim i marrë së bashku, që
për hir të së vërtetës ka shumë pak
gjasa të ndodhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›