I dashur miku im Arben!
Letër as e hapur dhe as e mbyllur, karikaturistit dhe arkitektit Arben Meksi
I dashur miku im Arben!
E lexova para pak kohësh tek "Shekulli" shkrimin tënd "Arti që kthen fjalët në imazh", ku flisje për karikaturën, këtë gjini që sa vjen dhe po harrohet dhe neglizhohet këtu tek ne, por jo gjetiu dhe gjithandej globit. E ndjeva keqardhjen tënde me të drejtë, sepse në këtë vend, nuk njihet, a nuk kuptohet dhe vlerësohet karikatura si duhet, dhe jo ashtu siç duhet të ndodhte. Citoje njerëz të famshëm që flisnin me superlativa për të, dhe të të plotësoj edhe pak:...Ka plot njerëz të shquar në botë, edhe ish-presidentë dhe kryeministra, që në muret e tyre kanë varur karikaturat që u kanë bërë atyre karikaturistët. Demireli, p.sh...
Ç't'i bësh, i dashur Arben! S'i kemi ne në dorë gustot dhe mendjen e botuesve dhe drejtuesve tanë të mediave të begenisin e ta kërkojnë këtë art të rrallë. Në dorë kemi të bëjmë karikatura po deshëm! E vërteta është se njerëzit, lexuesit, vizitorët e ekspozitave, e duan karikaturën. E kam vënë re me dhjetëra herë këtë, jo vetëm në ambiente të ndryshme kulturore, por edhe nga komentet që i bëjnë njerëzit e thjeshtë karikaturës, humorit të tyre, qoftë dhe kur i has ndonjëherë tavolinave të kafesë...
E vërteta tjetër është se, jo vetëm karikatura si gjini e humorit dhe satirës, por edhe shkrimet e karakterit satirik sikur po humbasin. Vër re që sikur s'po hasim satira të shkruara shpesh, fejtone, pamflete etj., që dikur nuk qenë të nëpërkëmbura, sado që ishin brenda "kuadratit" të sistemit...
Përgjigjet disi modeste, unë pretendoj se i kam për pikëpyetjet se pse mediatikët e anashkalojnë deri diku karikaturën, ose s'para kujtohen për ne. Por le t'i themi midis nesh kur të pimë ndonjë kafe, se mos na hatërmbeten...Se ti e di, këtu tek ne njerëzit duket se mërziten ca si shpejt me njëri-tjetrin dhe mbajnë mëri të kota, për hiçmosgjë... Për ta ilustruar pak, më rrëfente njëri një ditë për një si shkrimtar, që nuk i fliste që nga '78-ta, për 30 vjet me radhë një kolegut të vet, pasi ky i fundit atëherë, kur kishte bërë një shkrim në një organ të shtypit të asaj kohe për letërsinë, s'i kishte përmendur emrin, a kishte harruar t'ia përmendte atij në vargun e nja 5-6 shkrimtarëve që kishte marrë për shembull...Hajde mos u habit!
Le pastaj t'u bësh karikaturë. Unë i kam bërë vetes disa karikatura, (me siguri dhe ti Arben duhet t'i kesh bërë vetes), dhe i shihja një ditë që të provokoja vetveten se sa do të inatosesha me to, meqë i kisha bërë karikaturë vetes sime. Meazallah mor burr'!...Asnjë "virus derri" inati s'më lëvrinte në deje. Të njëjtën gjë bëri edhe drejtori i kësaj gazete, Adrian Thano, kur i dërgova një karikaturë që i kisha bërë atij. "Më bëj dhe një tjetër për X - tha, - se i ka qejf shumë!"
Të njëjtën gjë bëri dikur edhe Teodor Keko, ndjesë pastë, qeshi dhe më falënderoi për një karikaturë që i bëra atij. Më kanë thënë se familjarët e tij e kanë kornizuar dhe vendosur në muret e shtëpisë. Dritëroi po ashtu, ka nja dy.
Kurse këto karikaturat që bëjmë për të tjerët, dhe sidomos për politikanët, duket sikur janë goxha mëkatare, dhe i shqetësuakan ca e ca, sidomos atyre që janë pranë tyre!...Ja, u bënë nja 19 vjet që sikur na shohin pak shtrembër ca njerëz që u kemi bërë karikatura shefave të tyre... Ore, po na marrin në qafë, po ta them unë! Jo për dhuna fizike, or jo, se kush ka frikë për ato punëra, se jemi trima të mëdhenj ne karikaturistët! Po ja,...sikur ndihemi si të pavlerësuar, si të deklasuar ka nja 20 vjet...nga të gjitha qeveritë. Qofshim gabuar, por kemi mjaft shenja..."Si?" -do pyesësh ti.
Po ja o Arben; jo për t'u vetëmburrur a vetëviktimizuar (se kështu të akuzojnë disa kur rrëfen diçka nga vetja jote), por andej nga '94-ra ti e di që mora një çmim të artë në Tokio, Japoni, për një karikaturë, medalja e të cilit shoqërohej me nja pesë mijë dollarë. Ç'bëra unë do pyesësh ti?...Ma mbushi mendjen një i afërm (nuk e diskutoj që e pat nga e mira), dhe vajta e ia dhashë për ta futur pesëmijëshen tek Gjallica në vitet e piramidave. U besonte të tjerëve si vetes i ngrati i afërm, e më "siguroi": "Pa merak, nuk të humbasin, - më siguroi. -Janë burra ata të Gjallicës...!". Dhe dollarët e mi shkuan e vanë!...Më ngeli medalja thatë, e kur ia hedh sytë ndonjëherë, më duket kokulur, e trishtuar dhe sikur më sheh me qortim...Le ajo, por më duket sikur më kanë marrë inat tërë japonezët...
Lidhur me këtë, para nja dy vjetësh po ndiqja një politikan goxha të moshuar në një intervistë televizive, i cili deklaroi se pas shembjes së piramidave, meqë dhe ky kishte futur goxha valutë në një prej tyre, dikush nga bosët i kishte premtuar që për të do bënte të pamundurën, do t'i gjente paratë e do t'ia jepte. Por politikani nuk kishte pranuar kurrsesi! "Meqë populli nuk i mori, nuk po i marr dhe unë!", -tha se ia kishte prerë politikani bosit. Të jem i sinqertë me ty Arben, unë do t'i kisha marrë dollarët e mi po të m'i kishte ofruar bosi. S'do bëja si politikani. E di pse? Për një arsye të thjeshtë: As unë s'e pyeta popullin kur i futa, dhe as populli s'më pyeti mua kur i futi...Po nejse, ikën e vanë fletushkat!...
Duke qenë si punë "armiku i shtetit", le për vete, që as guxoj të kërkoj ndonjë punë në shtet, se siç të thashë, karikatura mëkatare nuk është fitimprurëse këtu, dhe më keq akoma, na ka vendosur në radhët e opozitarëve të përhershëm, por dhe një njeriun tim që desha ta rregulloj në ndonjë punë, ngeli "thatë" dhe ma mori në qafë karikatura dhe atë...
"Si?" - do pyesësh ti...Po ja, mbaj mend që i thashë dikur një të njohuri, ka nja 15 vjet më parë, se mos kishte ndonjë vend pune për të, në institucionin ku drejtonte. Ky, kroi kokën, dhe më hodhi një vështrim hetues. "Ke bërë ndonjë karikaturë për Berishën?",-pyeti. "Kam bërë ca!",-iu përgjigja me sinqeritet. "Mos!, - tha, sikur e pickoi gjarpri, - s'kam ç'të të bëj..., - ma preu. "Po mua më ka thënë Filipi (në atë kohë Filipi punonte në 'RD'), që Berisha i pëlqen karikaturat e mia",- vazhdova me timen, që tani më duket se ishte përgjigje goxha me naivitet. "E kush i ka qejf karikaturat o Medi!...", - e mbylli bisedën miku me kaq.
Le kjo, por meqë merrja pjesë në ekspozita ndërkombëtare dhe më kishin dhënë një copë pasaporte shërbimi andej nga '95-a, si për lehtësi lëvizjeje, pas '97-ës, vajta në Ministri të Jashtme për ta shtyrë a rinxjerrë pasaportën e shërbimit. Aty më doli një punonjës i sapoemëruar, i cili ma preu shkurt: "Jo, jo! S'ka pasaportë shërbimi për ty." Le që e ke nxjerrë në kohë të Berishës!..." Dëgjova emrin e tij para ca ditësh që ishte emëruar goxha funksionar...
Na mori në qafë karikatura Arben! Lum si ti që bën edhe punën e arkitektit. The gjithashtu, se të ka dalë shumë mirë me të. Të lumtë! Po mua ç'm'u desh me karikaturën?! Mbarova për pikturë e grafist, dhe vajta "krova brirët" me këtë gjini mëkatare. Mirë të më bëhet!...
Më vonë, prap' s'vura mend kur qe Nano Kryeministër. I thashë njërit që punonte në një dikaster për ndonjë vend pune për njeriun tim. "Aha , - tha. -Të kam parë një karikaturë që e kishe bërë me tru shumë më të vogël seç e ka!". Qe e kotë! U mbyll muhabeti aty. E njëjta gjë në kohën e Metës, kur qe Kryeministër. S'më kujtohet se cili qe ai që i thashë, por e njëjta gjë. "Më duket, - tha tjetri si me zhbirilim, - se i ke bërë Metës karikaturë...". "...Më duket se po..", - i thashë me gjysmë zëri. "Epo s'kam ç'të të bëj", - ma mbylli dhe ky. Tani, i dashur Arben, nuk përpiqem më. Të vejë ku të vejë kjo punë...U lodha. Na pastë më qafë karikatura...E mbylla me kaq këtë herë... Të uroj shëndet dhe punë të mbarë!