Elbasan, vetëvaret në banesë 47-vjeçari
ELBASAN- Një 47-vjeçar është gjetur pa jetë nga familjarët e tij i vetëvarur në një nga dhomat e shtëpisë. Sipas policisë, viktimë është shtetasi Selim Terëziu 47-vjeç dhe ngjarja ka ndodhur në fshatin Shushicë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertët e hetimeve duke konstatuar se shtetasi Selim Terziu është mbyllur në një dhomë të shtëpisë dhe aty është vetëvarur në çati me anë të një kabulli i marrë nga hekuri i hekurosjes. Sipas hetuesve veç shenjës në pjesën e fytit viktimës nuk i janë konstatuar shenja të tjera dhune. Burri që sipas dëshmive të parë dyshohet se vuante nga probleme nervore kishte zgjedhur orën e vonë të mbrëmjes kur familjarët e tjerë ishin në gjumë për t'i dhënë fund jetës. Edhe pse ata kanë ndërhyrë ta ndihmojnë për të nuk ka pasur asnjë mundësi dhe nga familjarët nuk është bërë as transporti për në spital. Hetimet e përqendruara kryesisht në gjendjen e 47-vjeçarit kanë konfirmuar, bazuar edhe në dëshmi se vetëvrasja ka ardhur nga gjendja e turbulluar e tij. Gjithsesi përfundimet e hetimeve dhe grumbullimi i deklaratave të familjarëve do të sqarojë detaje të tjera mbi ngjarjen.