E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i ish-Presidentit, Moisiu (2): Presionet për shkarkimin e Sollakut

Për ta studiuar sa më mirë dhe për të dalë në konkluzione të sakta mbi raportin e Kuvendit për çështjen Sollaku, porosita që të punohej në dy drejtime kryesore: E para, të ngrihej një grup vendor ekspertësh të drejtësisë dhe të Kushtetutës, por ndërkohë kërkova që këtij grupi vendas t'i jepej një konsulencë ekspertësh të huaj. E dyta, për t'i sqaruar gjërat sa më mirë dhe deri në fund, i dhashë porosi këshilltarit tim juridik, të bisedonte dhe të konsultohej me anëtarët e misionit "Euralius", si dhe me juristët amerikanë, të cilët vinin shpesh pranë gjyqësorit tonë për ndihmë juridike. I mora këto masa, se po shihja që komisioni i Kuvendit më shumë po merrej me argumente politikë, sesa me ato juridike dhe kushtetuese.

Kuvendi, më 24 korrik, mori në shqyrtim raportin e komisionit "Sollaku". Në fakt ishin dy raporte, ai i shumicës dhe ai i opozitës. Ishte më se e kuptueshme që të dy do t'i kundërviheshin njëri-tjetrit. Gjatë diskutimit, fjalën më të ashpër e mbajti Berisha, i cili duke argumentuar nevojën e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, arriti deri aty sa ta akuzojë se ai është i lidhur me krimin dhe gjëra të tjera të padëgjuara ndonjëherë, që ai, siç e ka zakon, i përdor lehtësisht dhe pa asnjë përgjegjësi, kur dëshiron të nxijë diçka me qëllim, për të plotësuar synimin e tij. Më befasoi me ato që thoshte për të, sepse në qoftë se Sollaku ishte anëtar i krimit, atëherë me çfarë pafytyrësie në muajin janar më propozoi, që pasi ta largonim nga ajo detyrë, ta emëronim në instancat e larta të gjykatave tona?! Sigurisht kjo do të thotë se ai është i papërgjegjshëm për ato që nxjerr nga goja, ndaj kujtdo që e quan kundërshtar të tij, që për çudi, tek ne, kjo, jo vetëm nuk ndëshkohet, por quhet aftësi. Pas këtij pseudodebati në Kuvend, kuptohet qartë se shumica me votat e saj mori vendim për shkarkim të Thedhori Sollakut nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Ndërkohë, situata po rëndohej. Sulmet dhe presionet direkte dhe indirekte ndaj meje po shpeshtoheshin në mënyra nga më të ndryshmet, për të cilat më shumë ndjeja neveri sesa i vlerësoja. Çuditesha me ta që nuk më kishin njohur ende, sepse në se do të isha i atillë që të shihja interesat personale, shenjat do t'i kisha dhënë me kohë gjatë jetës sime, kur kam kryer detyra jo pak të rëndësishme. Pra, shqetësimi im i vetëm ishte çfarë të bëja më mirë dhe më shumë, për të forcuar shtetin ligjor dhe demokracinë shqiptare.
Por përsëri presionet dhe ngacmimet e tyre s'kishin të sosur. Në muajin gusht, kur isha me pushime në Vlorë, mendja e tyre e mbrapshtë polli një sajesë tjetër. Sapo kisha mbërritur në vilë, kur prefekti i qarkut erdhi më takoi. Në bisedë e sipër më tha se ishin në dispozicionin tim për të më krijuar kushte sa më të mira pushimi. E falënderova për respektin dhe kujdesin që tregoi.


Të nesërmen, "Top-Chanel" jep një reportazh, se në Vlorë po pengohej turizmi, pasi Presidenti ka ndaluar që pub-et, në afërsi të vilës ku ndodhet, të kenë aktivitete pas mesnate. U befasova nga ky lajm! Menjëherë kërkova të komunikohej me prefektin, për të sqaruar se kush e kishte dhënë atë porosi, por kontakti me të nuk u arrit. Ndërkohë, policia mohonte të kishte dhënë ndonjë urdhër për diçka të tillë. Të nesërmen shtypi i djathtë u mbush me këtë "sensacion"! Në mbrëmje u takova me drejtuesit vendorë. Bashkë me ta ndodhej edhe prefekti, i cili, pasi e pyeta, më sqaroi se këtë e kishte bërë ai, "për të ruajtur qetësinë për mua natën". I them faleminderit, por mua nuk më shqetësojnë pub-et dhe po të kisha nevojë do ta kisha kërkuar vetë një gjë të tillë. Më pas m'u kujtua se e njëjta taktikë u përdor nga sejmenët e Nanos në vitin 2002, kur kisha shkuar për pushime në Dhërmi.

Atëherë, të nesërmen e mbërritjes sime, u dha lajmi në media se Presidenti ka ndaluar që pub-et të kenë aktivitet pas mesnatës, në një kohë që mbesat e mia, që i kisha me vete, qëndronin atje bashkë me shoqërinë e tyre, deri vonë pas mesnate! Pra, qëllimi i këtyre lajmeve të rreme, si në kohën e qeverisë së majtë ashtu edhe në atë të djathtën, ishte i njëjtë, për të krijuar në opinionin publik një imazh sa më negativ ndaj meje, si Kryetar i Shtetit. Megjithatë, njerëzit e thjeshtë nuk gënjeheshin aq lehtë, sa mendonin strategët e këtyre makinacioneve mashtruese. E them këtë, sepse, sipas një sondazhi që kishte bërë shoqata amerikane "Global", i shpallur tri ditë pas sensacionit të Vlorës, rezultonte që besimi tek Presidenca ishte rritur me 4.7%, kurse nota vlerësuese ishte 7.6, më e larta në krahasim me të tjerët.

Por Berisha nuk mendonte ta ndalte hovin e presionit ndaj meje, përkundrazi e shtoi atë së tepërmi, duke iu afruar sa më shumë atyre të tipit mafioz. Konkretisht aty nga mesi i gushtit, nipave të mi filloi t'u bëhej presion maksimal, për të influencuar tek unë për firmosjen e shkarkimit të Kryeprokurorit! Duke qenë mashë e Berishës, Gazmend Dibra, drejtori i Drejtorisë së Aviacionit Civil, i kish kërkuar në telefon Sashës, nipit tim të madh, që të vinte në Sarandë tek unë, ku ndodhesha me pushime, për të më kërkuar largimin e Sollakut! Kur e mora vesh këtë veprim skandaloz të drejtorit të Aviacionit, nuk po e besoja! Si ishte e mundur të arrihej deri në presione të shëmtuara tek Kryetari i Shtetit?! Me thënë të drejtën, m'u kujtuan ndodhitë në Republikat e Amerikës Latine, ku komandon mafia!

Pas katër ditëve të telefonatës që kishin marrë nipat e mi, në gazetën "Panorama" citohej këshilla që kishte dhënë z. Godo, për firmosjen e shkarkimi të Prokurorit të Përgjithshëm! "Ndryshe do të ndodhte përkeqësimi i marrëdhënieve midis Presidentit dhe Kryeministrit"! Mandej, duke kaluar pa asnjë ngurrim në kërcënimin e paskrupullt: "Kujdes, mazhoranca i ka 84 votat për Presidentin"! Se për çfarë përkeqësimi të mëtejshëm fliste Godo, kjo u kuptua kur, përveç presioneve të shumta nëpërmjet organeve zyrtare e atyre mediatike, kishte filluar edhe presioni maksimal ndaj familjarëve të mi. Duke parë këto veprime, për ditë e më shumë po bindesha se Berishës aq i bënte për dëmtimet e padrejta që i shkaktoheshin tjetrit dhe të ardhmes së vendit. E rëndësishme për të përherë ka qenë dhe është mbajtja e pushtetit me çdo kusht dhe përfitimi sa më shumë prej tij. Këtë po e tregojnë më së miri edhe ngjarjet paszgjedhore në vitin 2009, veprime të cilat po e izolojnë Shqipërinë për ditë e më tepër nga Bashkimi Evropian.

Çuditërisht, presioni i Gazmend Dibrës ndaj nipave të mi vazhdonte të rritej në mënyrën më skandaloze! Pas sugjerimit që u bëri për të ardhur tek unë dhe për të më bindur të firmosja shkarkimin e Sollakut, më vonë filloi t'i kërcënonte se do t'u mbyllte biznesin, që faktikisht më pas e bëri! Për momentin mendova se ishte thjesht një nismë militante e Dibrës në shërbim të Doktorit. Ama, më pas, u pa qartë se ai vepronte direkt me porosi të Berishës, qëllimshëm për të dëmtuar njerëzit e mi, që të më detyronte për t'u tërhequr nga mbrojtja e Kushtetutës dhe për t'u hapur rrugën dëshirave të tij! Pra, e njëjta metodë që përdor mafia në të gjitha vendet ku ajo vepron, e cila në rast se nuk ia arrin dot qëllimit me mënyrat e zakonshme, përdor sekuestrimin e personave të familjes ose shantazhin, për të thyer rezistencën që bëhet kundër arritjes së objektivave të saj! Megjithatë, qëndrova indiferent, vazhdoja punën time bazuar në ligjshmërinë kushtetuese, duke mos u marrë me mafiozllëqet që po kryheshin.

Aq i përkushtuar ishte Gazmend Dibra, sa që nga Varshava ku kish shkuar me shërbim, në fillim të shtatorit, dha urdhër me telefon që të pezullohet aktiviteti i kompanisë ajrore "Albatros", me pretekstin absurd që ata i kishin borxh një sasi të hollash një institucioni të tretë, problem që ishte dërguar për zgjidhje në gjyq. Kështu, duke shkelur të gjitha rregullat e etikës dhe të drejtësisë, në marrëdhënie me një biznes privat, në mënyrë absolutisht të padrejtë dhe të paligjshme, përdorën në mënyrë tepër abuzive forcën e ekzekutivit, vetëm dhe vetëm për të më detyruar mua që të tërhiqesha nga pozicioni im kushtetues! Sigurisht, ky veprim i paskrupullt solli një reagim të furishëm në shtyp dhe në Parlament.

Por, prapë se prapë Kryeministri nuk u tund nga e vetja, duke vënë në jetë atë që thuhet: "Jo Ligji, por Maliqi", deri sa e detyroi "Albatros"-in të falimentonte. Me këtë rast, si pa u ndjerë, iu hap rruga kompanisë tjetër ajrore, "Bellair", të operonte suksesshëm e vetëm dhe pa konkurrent, ku një nga pronarët kryesorë është njeriu i Bashës, të lidhur një dreq e di me kë në këtë shoqëri, që më shumë i ngjan një karteli mafioz sesa një shteti ligjor evropian.

Ndërkohë, për çështjen "Sollaku", si Euralius ashtu edhe përfaqësuesi i Këshillit të Europës në Tiranë, pasi studiuan raportin e Kuvendit, dhanë opinionin e tyre se nuk shikonin ndonjë arsye kushtetuese për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Edhe juristët amerikanë, që vizitonin kohë pas kohe gjyqësorin tonë në Shqipëri, jepnin të njëjtin mendim. Vështirësia qëndronte se Euralius nuk pranonte që të shprehej publikisht, duke deklaruar se ata nuk kishin mandat për atë veprim. Po për të njëjtat arsye edhe juristët e KE-së në Tiranë, hezitonin për t'u prononcuar publikisht. Më vjen mirë që kohët e fundit këto institucione e kanë kuptuar gabimin e tyre dhe kanë filluar të reagojnë hapur ndaj shkeljeve të qeveritarëve tanë të përfshirë nga qëllime jo të pastra në ushtrimin e detyrave të tyre. Po kështu shoh me kënaqësi që diplomatët e huaj në Tiranë kanë vendosur të flasin pa dorashka për shkeljet e shumta që po bëhen në vendin tonë nga pushteti aktual.

Për të krijuar një bindje ligjore edhe më solide, në shtator, kur shkova për të marrë pjesë në sesionin e radhës së OKB-së, shfrytëzova mundësinë e një konsulence më të gjerë edhe me Kryetarin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së, me zotin Xhon Roberts, i cili dha po të njëjtin mendim, që nuk shihte asnjë arsye kushtetuese për shkarkimin e Sollakut. Dua të përmend këtu prononcimin e Presidentit Bush në "Forumin mbi Demokracinë", që u mbajt në Nju Jork në atë shtator, me pjesëmarrje të njëzet e një kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave, i cili është bërë publik në atë kohë. Po e sjell në kujtesë, që kur m'u drejtua mua, tha: "Ju përshëndes dhe ju inkurajoj, për kurajën dhe për punën që po bëni, sidomos për përpjekjet tuaja për të ruajtur dhe konsoliduar pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, gjë për të cilën më kanë folur juristë të shquar amerikanë, që janë takuar me ju dhe kanë vizituar Shqipërinë". Kjo ishte një mbështetje më se e hapur në lidhje me qëndrimet e mia për të mbrojtur drejtësinë shqiptare nga sulmet politike të Berishës.

Pas kthimit nga SHBA-ja, e kisha më se të qartë se ç'duhet të vendosja për propozimin që më kish ardhur për Prokurorin e Përgjithshëm. Ndaj, për ta bërë sa më transparente se ku mbështetej vendimi im për refuzimin e propozimit të Parlamentit, dekretin e shoqërova me një letër të detajuar, drejtuar anëtarëve të Parlamentit, të cilën e dërgova më 13 tetor. Për opinionin publik u shpreha një ditë më vonë, në një konferencë shtypi para medias shqiptare dhe asaj të huaj që operonte në vendin tonë, ku shpjegova se krizën ndërinstitucionale, e kisha trajtuar me shumë përgjegjësi, duke respektuar me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e shtetit. Theksova se në thelb të bashkëpunimit institucional qëndron pavarësia dhe autonomia e tyre në kryerjen e funksioneve kushtetuese. Mandej sqarova se në vendimin e Kuvendit nuk është dhënë një propozim i drejtpërdrejtë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por miratim i raportit të komisionit hetimor parlamentar.

Pra, është vendosur në një votim të vetëm miratimi i raportit me kërkesën për shkarkim, çka bie ndesh me paragrafin 2 të nenit 149 të Kushtetutës. Për sa i përket vlerësimit të vendimeve të prokurorisë nga komisioni hetimor, ky veprim bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës, sepse kompetencën ekskluzive për këto veprime e ka vetë prokuroria.
Më pas shpjegova se sipas ligjeve tona, funksionin kontrollues nuk mund ta marrë Parlamenti, por vetëm gjykata. Në vendimin e saj të vitit 2003, Gjykata Kushtetuese është shprehur se "Kontrolli parlamentar duhet zhvilluar në mënyrë të atillë që të mos ndërhyjë në veprimtarinë e pushteteve të tjera".
Në këtë mënyrë argumentova se nga disa anëtarë të Parlamentit është shkelur parimi i prezumimit të fajësisë, duke e deklaruar fajtor prokurorin pa vërtetuar fajësinë e tij me gjyq.

Pra, bazuar në këto konstatime, arrita në përfundimin që Prokurori i Përgjithshëm nuk e ka shkelur Kushtetutën dhe refuzova propozimin e Parlamentit për shkarkimin e tij. Për kujtesë të lexuesve po sjell në vëmendjen e tyre se çfarë thuhet në nenin 149, pika 2 e Kushtetutës: "Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit". Sikurse shihet, asnjë nga këto kushte që përmendëm nuk rezultonin në raportin e paraqitur nga Parlamenti.
Pas shpalljes së këtij vendimi, reagimet ishin nga më të ndryshmet. Ndonëse e dija se partia në pushtet jo vetëm nuk do ta mirëpriste, por do të përshkallëzonte më tej sulmet ndaj meje, mora parasysh gjithçka. Mendova se një vendim i tillë nga ana ime ishte i domosdoshëm për t'i thënë "Ndal shkatërrimit të shtetit"!

Megjithatë, një ditë më pas, duke e ditur se përvjetori i datëlindjes së gjithsecilit është eveniment dhe, si të tillë e vlerësoj, më 15 tetor, ditën e lindjes të Kryeministrit Berisha, kërkova të më lidhin në telefon për ta uruar. Sekretaria e tij, me pretekste të ndryshme, nuk e realizoi lidhjen. Po atë ditë Topalli doli në shtyp e irrituar, duke shfaqur me impulsivitet pakënaqësinë e saj për vendimin tim, duke thënë së fundi se, megjithatë, do të mjaftohemi me kaq!

Mënyra se si e tha tregonte një formë presioni, me të cilën mund të kuptohej se kundërvënia jonë ndaj Presidentit nuk do të përshkallëzohet më tej, ku linte të nënkuptohej se s'do të ketë ndonjë "impiçment" (kërkesë për shkarkim), ama në të njëjtën kohë, indirekt paralajmëronte se ekziston një arsye e gatshme për ta bërë këtë, në rast se do të ndodhte ndonjë përplasje e re. Edhe pse sinjalet për mua ishin më se të qarta, prapë se prapë nëpërmjet intervistave deklarova publikisht se asnjëri nga ne nuk kishte të drejtë të ndërpriste komunikimin zyrtar, që kërkonte ecuria normale e drejtimit të shtetit. Por nuk ishte e thënë të rivendosej komunikimi. Unë me bindje dhe ndërgjegje të pastër dhe të plotë vazhdova kryerjen e detyrave të mia kushtetuese deri në fund të mandatit.


Vijon neser


**************


PJESA 1

Ish- presidenti rrëfen pesë vitet e lodhshme në krye të shtetit shqiptar, problemet me krerët e partive, presionet, sharjet por edhe kompromiset.


Çfarë ndodhi pas tre korrikut 2005, etja e PD-së për të ardhur në pushtet, debatet e zjarrta në presidencë mes Moisiut dhe Topallit...

Alfred Moisiu:


TIRANË- Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu është rrëfyer gjatë mbi punën e tij pesë vjeçare në krye të shtetit, në një libër të titulluar "Midis Nanos dhe Berishës". Përmes kujtimeve të hedhura, në librin, që pritet të publikohet së shpejti, ish-Presidenti i Republikës sjell të pathënat e politikës shqiptare, duke filluar nga zgjedhja e tij, e deri tek momentet e tjera kulmore siç është edhe ai i vitit 2005, ku PD asokohe ushtronte presion të hapur ndaj Presidentit për të mbledhur Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e Korrikut.


Në librin e tij, ish-Presidenti i Republikës sjell detaje interesante të negociatave të vazhdueshme, që ai kishte me Nanon ashtu edhe me Berishën si edhe presionin e këtij të fundit për të legjitimuar Kuvendin e ri.


Gazeta "Shekulli"sjell sot për lexuesin një pjesë të këtyre negociatave e konkretisht rrëfimin e Alfred Moisiut për natën e 29 Gushtit të vitit 2005 ku një përfaqësi e mazhorancës më ndërmjetësimin e Sabri Godos kërkuan një takim me Presidentin Moisiu, për t'i kërkuar këtij të fundit caktimin e datës së mbledhjes së Kuvendit të ri. E kishin kërkuar më parë drejtuesit më të lartë të PD-së, duke filluar nga Berisha e deri tek Topalli.


Madje kjo e fundit, vetëm pak ditë para se Moisiu të zhvillonte takimin në Presidencë, i kujtonte publikisht Moisiut se duhet të thërriste Kuvendin dhe se, sipas saj, nuk kishte asnjë pengesë zvarritja e mëtejshme e konstituimit të Kuvendit.


Kërkesa e PD-së u bë akoma më imediate kur ajo mbylli marrëveshjet edhe me dy partitë e qendrës duke siguruar shtatë deputetët e mjaftueshëm për të formuar mazhorancën, pavarësisht përsëritjes së zgjedhjeve në tri zona.


Ky kuorum i mjaftueshëm nxiti akoma më shumë drejtuesit e lartë të PD-së, që qëndrimet e tyre të shkonin deri aty sa t'i kujtonin ish-Presidentit të asaj kohe, se Kuvendi edhe mund të vetëmblidhej.


Takimi i 29 Gushtit i rrëfyer nga ish-Presidenti i Republikës, sjell pikërisht këtë panorame të mënyrës së sjelljes dhe reagimit të zyrtarëve më të lartë të PD-së, duke filluar nga Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, për të cilën, Moisiu shprehet ndër radhë se, "Jozefina ndonëse femër, me diskutimin e saj tepër agresiv dhe me fjalë fyese, tentoi të më acaronte" .


Më tej Moisiu shkruan për negociatat e mëtejshme me ish-kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi për tu sqaruar sesi ishte situata në raport me kërkesat e ligjit. Në rrëfimin e tij, Moisiu sjellë një detaj interesant lidhur edhe me telefonatën, që ai zhvilloi me Gramoz Rucin, vetëm një orë pas dorëheqjes publike të Fatos Nanos nga posti i kryetarit të partisë.


"Shprehu mendimin e tij se nuk e shihte me vend dekretimin kaq shpejt, pasi mendonte se akoma mund të kishte ankesa nga subjekte të ndryshme, dhe aq më tepër kur vendimi për proporcionalet ende nuk ishte shpallur.


E kundërshtova mendimin e tij, duke i thënë se nuk mund të shtyhej më tej, sepse vendi mund të shkonte deri në destabilizim. Nuk ra dakord me mendimet e mia, duke thënë se do të reagonte publikisht kundër vendimit tim", shkruan Moisiu.


Ish-kreu i shtetit rrëfen edhe komunikimin e tij me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, pasi e kishte njoftuar këtë të fundit për datën e mbledhjes së Kuvendit të ri. "Pyetjes time se kur do të më sillte propozimin për emërim të kryeministrit, i cili sipas kushtetutës vjen nga forca kryesore politike, më tha që ju e dini! Por pasi i kujtova kërkesën e kushtetutës, tha se do ta dërgonte sa më parë".

------------------------------------------------------------------------------------------------------

Berisha dërgoi një grup special për negociata, më të papërmbajturit në të shprehurin ashpër ishin Topalli, Godo e Imami

"Pesë vjet mes Nanos dhe Berishës"

Nga Alfred Moisiu

Përfundimi i zgjedhjeve 2005


... Kështu më 29 gusht në ora 13.00, prita një delegacion të partive të djathta të përbërë nga: Jozefina Topalli, Sabri Godo, Arben Imami, Tritan Shehu, Nard Ndoka, Thoma Miço dhe Ndue Preka, ku disa prej tyre ishin ngarkuar me detyra të forta luftarake nga shefi i tyre. Pra, u duk qartë se ardhja e tyre kishte të bënte me presionin që do të ushtronin për parlamentin.


Mandej në se data nuk shpallej nga unë, gjykonin se mund ta kishin të lehtë për të më shpallur antikushtetues dhe më pas të kërkonin mocion hetimor kundër meje. Pasi i përshëndeta, takimin e nisa duke folur mbi situatën e krijuar, përcaktimet ligjore të kodit dhe të kushtetutës për përfundimin e zgjedhjeve, sidomos për atë ku thuhet se KQZ duhet të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhje.


U thashë se ardhja e tyre ishte rruga më e drejtë për të biseduar dhe sqaruar problemet, dhe jo ajo nëpërmjet deklaratave në media, sepse shteti punon me institucione dhe rregulla ligjore. Sigurisht këtu kisha parasysh shkëmbimin e mendimeve kushtetuese dhe jo presionet ultimative të tyre. Më pas ua bëra të qartë se shteti drejtohet dhe punon me ligje, ndaj mua më duhet që të pres vendimin e KQZ-së për të vepruar më tej.


I vlerësova shqetësimet që kishin, por në të njëjtën kohë ja u bëra të ditur se unë zgjidhjen e shoh vetëm nëpërmjet ligjit. Të dërguarit e Berishës nuk e kishin mendjen tek argumentet ligjore, ata thoshin se nuk kanë rëndësi ligji dhe nenet, kur zgjedhjet janë fituar nga PD-ja dhe ky ishte fakt, por ende jo zyrtar.


Më të papërmbajturit në të shprehurin ashpër ishin Topalli, Godo dhe Imami. Më ndryshe në të shprehur ishin Shehu, Ndoka e Preka. Godo me ngulm kërkoi t'u bëja të ditur datën e mbledhjes se parlamentit, unë ia bëra të ditur se këtë do ta bëja të njohur me dekret.


Ai insistoi se data duhet të bëhet e njohur menjëherë aty për aty, jo më vonë, sepse "ne nuk jemi qytetarë dosido tha ai", pas këtyre replikave, u detyrova t'i them se edhe ju jeni qytetarë si gjithë të tjerët dhe se datën do ta merrni vesh me dekret! Jozefina ndonëse femër, me diskutimin e saj tepër agresiv dhe me fjalë fyese, tentoi të më acaronte.


Duke përdorur të gjitha shqisat dhe me sjellje prej të forti më paralajmëroi se po veproja ndesh me kushtetutën dhe se do të mbaja përgjegjësi. Atëherë i thashë:"Ju keni ardhur për të biseduar me mua, apo për të më dhënë ultimatum, të cilin unë e refuzoj kategorikisht".


Më pas kësaj ndërhyri Godo për ta zbutur situatën. Të tjerët mbështetën idenë, se duhet dalë nga kriza, të cilën edhe unë e kisha shqetësim dhe se parlamenti mund të thirrej më 3 Shtator.

Takimi mbaroi pa iu plotësuar dërgatës dëshirën për të cilën erdhën. Kur dolën nga Presidenca, deklaratat e tyre para medias, çuditërisht ishin normale, me ton të ulët, qetësuese dhe logjike, krejt të kundërta me ato tone dhe mendime që përdoren në takim.


Kështu dështoi misioni ultimativ i dërgatës, ku ata panë se nuk u tundova nga presionet e tyre anti- kushtetuese, përkundrazi u detyruan të tërhiqen para vendosmërisë, gjakftohtësisë, dhe argumenteve bindëse, logjike dhe vetëm ligjore.


Ajo mënyrë sjelljeje tregonte qartë se e kërkonin pushtetin për pushtet dhe jo për të bërë shtet. Atë mbrëmje Berisha në Zërin e Amerikës, duke folur për problemin, u lëshua përsëri kundër meje sikur nuk e kisha sqaruar dërgatën e tij më së miri sipas ligjit dhe kushtetutës.



Në mbrëmje të po asaj dite, thirra Kryetarin e KQZ-së Ilirjan Celibashi për te më sqaruar sesi ishte situata në raport me kërkesat e kodit ligjor, dhe se kur mund të nxirrej vendimi, duke parë të dy variantet, si për rastin që mund të kishte ankesa dhe atë pa ankesa.


Pavarësisht nga acarimi i situatës, nuk dëshiroja që këto zgjedhje, ndër më të arrirat deri në atë kohë, të dëmtoheshin nga keqadministrimi i rezultateve, që u shkaktua vetëm si pasojë e atij ligji të pamenduar mirë, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.


Interesante është se pothuajse e njëjta gjë u përsërit edhe në 2009, pikërisht si pasojë e ligjit zgjedhor të bërë duke pasur më shumë kujdes sesi të eliminohen partitë e vogla sesa të arrihen standardet e duhura zgjedhore, që për në po bëhen si puna e mollës së ndaluar.

Të nesërmen e asaj dite, Celibashi doli para medias dhe deklaroi se KQZ do mblidhet për të marrë vendimin më 1 shtator.


Paradite më 1 shtator, meqenëse nuk kishin marrë ankesa të reja, KQZ-ja më dërgoi vendimin e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve. Ndërkohë Nano në ora 13.00 doli në konferencë shtypi dhe shpalli dorëheqjen e tij si kryetar i PS-së.


Më pas kur foli për zgjedhjet tha se ishin "Të paarritura politikisht" dhe se "Kuvendi është me legjitimitet të cunguar".

Një orë më vonë i telefonova Gramoz Ruçit, duke vlerësuar pozitivisht që nuk vazhduan më me ankesat, dhe mandej e vura në dijeni se të nesërmen do të dekretoja thirrjen e parlamentit.


Shprehu mendimin e tij se nuk e shihte me vend dekretimin kaq shpejt, pasi mendonte se akoma mund të kishte ankesa nga subjekte të ndryshme, dhe aq më tepër kur vendimi për proporcionalet ende nuk ishte shpallur.


E kundërshtova mendimin e tij, duke i thënë se nuk mund të shtyhej më tej, sepse vendi mund të shkonte deri në destabilizim. Nuk ra dakord me mendimet e mia, duke thënë se do të reagonte publikisht kundër vendimit tim.


Sigurisht që kjo ishte e drejta e tij për të vepruar. Më vonë i telefonova Berishës për t'i komunikuar vendimin tim, të cilin e priste me padurim! Pyetjes time se kur do të më sillte propozimin për emërim të kryeministrit, i cili sipas kushtetutës vjen nga forca kryesore politike, më tha që ju e dini! Por pasi i kujtova kërkesën e kushtetutës, tha se do ta dërgonte sa më parë.


Të nesërmen shtypi kryesisht u mor me dorëheqjen e Nanos, si dhe me deklaratën e kryetarit të OSBE-së, që për atë kohë ishte Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitri Rupel, i cili duke dhënë mendimin për procesin zgjedhor në vendin tonë, midis të tjerave vlerësoi shumë pozitiv kontributin tim gjatë gjithë procesit.


Kurse Ruçi në ditën e mbledhjes së parlamentit me 2 Shtator, deklaroi se "Presidenti është nxituar dhe ka kryer një veprim antikushtetues"! Me gjithë respektin për z. Ruçi, deklaratën e tij quajta inatçore, subjektive dhe tepër emocionale.


Edhe për atë që ai e quante të nxituar veprimin tim, s'kishte aspak të drejtë, sepse vendimi nga ana ime ishte shumë i argumentuar dhe i pranueshëm, për faktin se kishin kaluar dy muaj që vendi, jo për fajin tim, praktikisht ishte pa ekzekutiv.


Mendoj se i detyruar nga situata e krijuar me problemet kryesore, dhe nga paralizimi i drejtimit të ekzekutivit, atë po e bëja unë nëpërmjet kontakteve me ministrat e veçantë dhe zëvendës kryeministrin, gjë që s'ishte aspak normale, por s'kisha ç'të bëja, pasi s' mund ta lija vendin në vetërrjedhje.

Pra, përfundimisht kësaj situate të koklavitur mund të them se ia dola mbanë, por ama me shumë vështirësi, të krijuara nga të dy forcat politike.


Historia e një presidenti me prejardhje ushtarake

TIRANË- Alfred Moisiu është zgjedhur në krye të shtetit shqiptar më 24 korrik të vitit 2002 i propozuar nga opozita e asaj kohe dhe i pranuar në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë.


Si pjesëmarrës në luftën antifashiste, por edhe një ushtarak karriere, Alfred Moisiu solli një tjetër frymë në krye të presidencës shqiptare. "Karriera ime ushtarake është gati 42 vjet e gjatë. Ajo ka filluar që në kohën e luftës dhe ka vazhduar deri në Janar të vitit 1985 kur unë dola në pension.


Gjatë kësaj kohe ka pasur periudha nga më të ndryshmet, edhe të mira edhe jo të mira",- ka shpjeguar ish-presidenti pak kohë pas largimit të tij. Në vitin 1981 ai u emërua në postin e zv/ministrit të mbrojtjes.


Por kjo detyrë nuk ka zgjatur shumë. Një vit e gjysmë më pas Moisiu u shkarkua për arsye politike dhe u dërgua në Burrel duke pësuar edhe ulje grade nga Gjeneral në Kapiten.


Në vitin 1991 Gjeneral Alfred Moisiu rikthehet në jetën politike dhe këtë herë si Ministër i Mbrojtjes në qeverinë teknike të asaj kohe. "Edhe pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 1992 unë mbeta për ca kohë këshilltar dhe pastaj u bëra përsëri zëvendës ministër i mbrojtjes deri në gusht të vitit 1997",- është shprehur ish-presidenti në një nga intervistat e tij. Pesë vjet qetësi dhe Alfred Moisiu i rikthehet jetës politike, por këtë herë duke prekur postin më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës.


Edhe pse i propozuar nga e djathta, shumë shpejt Moisiu do të kundërshtonte qëndrimet e liderit të opozitës së asaj kohe, Sali Berisha. Ky i fundit, por edhe shumë struktura të Partisë Demokratike kanë sulmuar ashpër presidentin e asaj kohe. "Unë u përpoqa, dhe them se kam bërë mirë, luftova për të forcuar shtetin ligjor, luftova që atë që thotë kushtetuta e Shqipërisë për ndarjen e pushteteve ta realizoj praktikisht.


Luftova për forcimin e pavarësisë së pushteteve të pavarura në mënyrë të veçantë të institucioneve si gjykata, prokuroria, kontrolli i lartë i shtetit dhe ca institucione të tjera të cilat vërtet janë institucione kushtetuese që zgjidhen nga parlamenti, por veprojnë në mënyrë të pavarur.


Unë luftova për të ngritur sa më lart prestigjin e shqiptarit, imazhin e shqiptarit në arenën ndërkombëtare", ka shpjeguar ish-presidenti. Por i pyetur për këtë periudhë të vështirë dhe sidomos marrëdhëniet me dy forcat kryesore Moisiu është shprehur: 'Pesë vjet nuk i mora vesh si kaluan sepse pavarësisht se rreth tre vjet isha President kur ishin në pushtet forcat e majta, dhe dy vjet me forcat e djathta, unë vazhdimisht kam pasur probleme, në kuptimin e mirë të fjalës, përplasje që si t'i bëjmë gjërat më mirë.


Sigurisht të majtët kanë qenë pak më të sofistikuar ndaj veprimeve të mia kurse e djathta ka qenë më e vrazhdë ndaj veprimeve të mija dhe pa tjetër që ka pasur përplasje më të ashpra"



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›