Përpjekja për të blerë provimin e vjeshtës
Qeveria shqiptare po iu kundërvihet rekomandimeve të Bashkimit Evropian për mënyrën se si duhet të përshpejtojnë afrimin e shqiptarëve me Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian do të shtyjë shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për të pritur ndoshta raportin përfundimtar të zgjedhjeve, ndërsa kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, janë angazhuar në daljet e tyre publike për një fushatë lobuese për zhbllokimin e kësaj situate.
Për shumë shqiptarë që kanë interes madhor lëvizjen e lirë, në të vërtetë është krijuar një situatë e paqartë, nëse problemi i liberalizimit të vizave është politik apo teknik. Dhe çfarë është më e keqja, ky problem nuk ka shumë lidhje me procesin e aplikimit të Shqipërisë, i cili është konsideruar si akt elektoral dhe mund të duhen disa vite të vihen në lëvizje institucionet që duhet t'i japin përgjigje asaj kërkese.
Por në këtë histori që duket sa burokratike aq dhe politike, ka qartazi një linjë veprimi të Tiranës zyrtare kundër Bashkimit Evropian.
Në raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, një nga frazat goditëse për Shqipërinë ishte fakti që anëtarësimi nuk fitohet me lobim politik, por me reforma. Kjo vërejtje esenciale, ishte një shuplakë për mënyrën se si Tirana zyrtare po e trajton çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nga mënyra se si sillet Sali Berisha dhe Lulzim Basha, duket sikur Shqipëria është në rregull me të gjitha detyrat e saj dhe janë ca armiq aty në Bruksel që e pengojnë. Kështu ky arsyetim përdoret dhe për liberalizimin e vizave dhe për mungesën e përgjigjes për aplikimin, dhe ndoshta dhe për ri-aplikimin e nevojshëm në një kohë tjetër.
Në të vërtetë asnjë gogol antishqiptar nuk është strehuar në zyrat e BE në Bruksel. Problemi i tyre i vetëm është se janë nëpunës seriozë dhe kanë parë disa kuti bosh që qeveria shqiptare i ka lënë pa plotësuar dhe që duhet t'i plotësojë. Aty futen zgjedhjet e lira, situata politike, mungesa e lirisë ekonomike, mungesa e lirisë së medias, korrupsioni i zhvilluar, diktimi i zhvillimit ekonomik sipas vullnetit të familjes në pushtet, vonesa në regjistrin kombëtar të shtetasve, mungesa e pasaportave biometrike etj. Këto janë kushte politike dhe teknike që së bashku krijojnë imazhin e një vendi problematik. Ky imazh nuk rregullohet në Bruksel as me spotet e vëllezërve Frangaj, sado miliona t'i paguash ata, as me telefonat e Berishës me Fratinin, apo gënjeshtrat e Lulzim Bashës për lobim. Bashkimi Evropian është treguar i ndershëm duke na thënë mos loboni politikisht, por bëni përmirësime politike, duke na kujtuar se s'kemi nevojë për miq në Bruksel, por punë në Shqipëri.
Pikërisht të kundërtën e këtij rekomandimi të BE po bën përditë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Daljet e tyre publike flasin për telefonata, fakse, e-mail-e dhe deklarata shtypi të ndonjë miku të tyre politik apo financiar, që mund të na shpëtojë, të na kalojë në vjeshtë, meqë kemi mbetur në qershor. Në të vërtetë kjo gjë vetëm sa rrit nervozizmin në Bruksel dhe nuk na jep asnjë shans, të paktën të dukemi vend serioz që kupton detyrat e veta. Sali Berisha dhe Lulzim Basha e kanë më të thjeshtë të ulen të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të kalojnë provimin se sa të përpiqen ta kalojnë atë me mik apo me lekë. Kjo mënyrë të sjelluri e tyre është acaruese për Brukselin dhe gati e pakuptueshme për sistemin e tyre të të vepruarit. Këta po sillen me integrimin evropian si me ndonjë tender me prokurim të drejtpërdrejtë, ku, po të njohësh Berishën, e merr. Në Bruksel mund t'i njohësh të gjithë, të rrish përditë me ta dhe prapë mos ta marrësh dot provimin. Ai varet nga ajo çfarë bën në Shqipëri, dhe jo nga ato çfarë gënjen në telefona dhe ekrane televizive. Ajo çfarë Bashkimi Evropian i ka dhënë porosi të qartë qeverisë shqiptare është se nuk mund ta fitojë këtë provim me mik dhe duket se kjo është e vetmja këshillë që Berisha nuk dëshiron ta dëgjojë dhe po vazhdon betejën për të gjetur një mik të kalojë provimin e radhës, në të cilin ka mbetur, zgjedhjet e 28 qershorit.