E Shtunë, 31 Tetor 2026

Proporcionali rajonal, korrektim sistemit

Aleatët e PD-së kërkojnë mbledhjen e koalicionit të djathtë për të diskutuar mbi reformën zgjedhore

Dy aleatë të Partisë Demokratike në pushtet që prej 3 korrikut 2005, thonë se duhet që të nisë sa më shpejt puna për reformën zgjedhore, me qëllim shfrytëzimin e hapësirave për diskutimin e elementëve të sistemit të votuar në ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Ata thonë se ndryshimet do të kenë pikësynim mundësinë e korrektimit kombëtar të sistemit proporcional rajonal.

Partia Demokristiane dhe Partia Demokrate e Re-Reformatore, ndërkohë, përshëndesin deklaratat për nisjen e punës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Të dy partitë që udhëheqin me kryetarët e tyre ministrinë e Shëndetësisë (Nard Ndoka i PDK-së) dhe ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (Genc Pollo, PDR), kërkojnë që të nisë sa më shpejt nga puna Komisioni i Reformës Zgjedhore, ndërsa deklarojnë se çështja e llogaritjeve të votave të tyre mbetet një çështje për t’u diskutuar në tryezën e djathtë. Demokristianët dhe reformatorët shprehen parimisht dakord për korrektimin “kombëtar” tek sistemi proporcional rajonal. Sipas nënkryetarit të PDR-së, Tritan Shehu, nisja e punës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është e domosdoshme dhe duhej të kishte nisur më parë. Ai thotë se ndryshimet e Kodit Zgjedhor duhet të jenë gati maksimumi deri në muajin shtator të këtij viti. I pyetur nëse e mbështet idenë e një korrektimi “kombëtar” tek sistemi proporcional rajonal, reformatori Shehu shprehet ky korrektim do të ndihmonte në mbajtjen e pragut elektoral nën kontroll. “Unë mendoj që do të ishte mirë që të kishte një formulë korrektimi nacionale dhe kjo e mban pragun nën kontroll dhe nuk e lë të jetë i variueshëm. Këto elemente duhen diskutuar si në koalicion, ashtu edhe në komision”, deklaron reformatori Tritan Shehu. Sipas tij, para se të nisë puna për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, do të ishte mirë që tryeza e djathtë të mblidhet për të diskutuar për qëndrimin e saj, në mënyrë që, kur të nisin diskutimet për ndryshimet që do të bëhen, mazhoranca të ketë një qëndrim unison. Në të njëjtin qëndrim është edhe kreu demokristian, Nard Ndoka, i cili përshëndet deklaratat për nisjen e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai deklaron se mbledhjet e tryezës së aleatëve të djathtë duhet të bëhen, në mënyrë që të diskutohet për ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Edhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ruan të njëjtin qëndrim të deklaruar edhe më parë, pro korrektimit “kombëtar” tek sistemi proporcional rajonal. Një ndër çështjet e mbetura pezull në tryezën e djathtë ka qenë ajo e përllogaritjes së votave të aleatëve. Kjo çështje e cila ka mbetur sipas deklaratave të kohës vetëm me një premtim të kryeministrit Sali Berisha, nuk ka marrë akoma përgjigje përfundimtare, duke lënë të hapur mundësinë e rinisjes së mbledhjeve të tryezave të djathta. Gjatë diskutimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, partitë e vogla e kundërshtuan sistemin proporcional rajonal, me arsyetimin se synonte largimin e tyre nga Parlamenti. Deklaratat e aleatëve të djathtë sollën edhe mbledhjen e disa tryezave me kryeministrin Berisha, tryeza të cilat i dhanë frytet vetëm në votimin kuvendar të ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Formula e përllogaritjes së votave të aleatëve pritet që të sjellë sërish mbledhjen e tryezave të djathta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›