I dënuari me 2 vjet burg për vrasje në vitin 2011-ën, lirohet dhe merr hak për vrasjen e të birit 9 vjeçar

Arkiv
Jetmir Llani është i shumëkërkuari i radhës pasi dje qëlloi për vdekje një 71 vjeçar, babai i dy djemve që i vranë djalin 9 vjeçar. Jetmir Llani u betua tek varri i të birit 9 vjeçar, Endrit, se do të shuante familjen Shkreta, që i morën jetën të birit.
I biri, Endri u qëllua në qershor të këtij viti, ndërsa ndodhej në makinë me xhaxhain. Objektivi nuk ishte Endri, por xhaxhai i tij, Muharremi. Policia ka ndaluar të akuzuarit, por zinxhiri i vrasjeve nuk është ndalur.
Por nëse vendi do kishte një drejtësi të fortë, Jetmir Llani nuk do ishte sot i lirë, por në burg. Në vitin 2011 ai është dënuar për vrasje, ndërsa sot është i lirë. Ai akuzohet se ka vrarë vëllain e të dashurës së tij, Sokol Allamanin. Gjykata e dënoi me dy vite burg për vrasje nga pakujdesia, kurse një vit më pas Jetmir Llani është i lirë.
Por si është historia?
Jetmiri kishte lidhje me një vajzë të familjes Allamani. Madje edhe pse vajza kishte përplasje me familjarët e saj, Jetmiri shkonte ta takonte atë publikisht. Kështu ndodhi edhe një ditë, kur ai shkoi dhe e mori vajzën me një BMW X5. Vëllai, Sokol Allamani, nuk e duroi dot dhe shkoi e iu vu pas makinës, duke u kapur tek xhamat. Llani u largua me shpejtësi, duke e marrë zvarrë Allamanin e duke e lënë të vdekur nga përplasja me bordurën. Vetë Llani nuk u ndalua të jepte ndihmë, madje as motra e Allamanit që ishte në makinë.