E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti në Europë, 122 viktima në Ukrainë

KIEV- Numri i personave, të cilët vdiqën nga hipotermia në Ukrainë ka arritur në 122, pasi autoritetet ukrainase njoftuan për 21 viktima të reja gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që temperaturat në ish-republikën sovjetike gjatë natës ishin minus 33 gradë Celsius duke e shndërruar këtë stinë dimri në më të ftohtën e gjashtë viteve të fundit.

Tetë viktima të tjera u regjistruan në Poloni, çka e çon numrin e përgjithshëm në 45.  Prej fillimit të muajit nëntor kanë humbur jetën 88 persona. Nata e kaluar ishte më e ftohta në Zvicër në 30 vitet e fundit.

Minus 34 gradë Celsius u regjistrua në qytetin Glatalp, në kantonin Shvic, në Zvicrën Qendrore. Sipas meteorologëve, vala e ftohtë do të zgjasë deri në fund të javës së ardhshme. Në Belgjikë është regjistruar rekord i ri i pengesave në rrugë, të shkaktuara nga reshjet e mëdha të dëborës, që filluan pardje pasdite. Gjatësia e përgjithshme e kolonave të automjeteve nëpër rrugët kombëtare dhe rajonale është rreth 4 000 kilometra.
Rekordi i fundit ishte në vitin 2010, 948 kilometra.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›