E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti polar “mbërthen” Europën

Më e rëndë paraqitet situata në Gjermani, ku trafiku rrugor është pothuajse i paralizuar dhe aeroporti i Frankfurtit, i treti në Evropë, ka vazhduar anullimin e fluturimeve për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe temperaturave shumë të ulëta. I gjithë vendi është mbuluar nga dëbora, në mënyrë të veçantë në veri dhe lindje. Si pasojë e kushteve të vështira meterologjike, një avion i kompanisë “Air Berlin” me destinacion Duseldorfin doli nga pista para ngritjes dhe mbeti në dëborë në aeroportin e Nurembergut.Në Zvicër, aeroporti ndërkombëtar i Gjenevës u mbyll sot në mëngjes, por fluturimet do të rifillonin në mesditë. Në aeroport mijëra persona prisnin për t’u nisur. Kurse Belgjika ka njohur reshjet e para të dëborës në rajonin e Liezhit dhe më pas në të gjithë vendin, duke shkaktuar vështirësi në transportin rrugor dhe në aeroporte. Rreth 50 fluturime u anulluan dhe 90 vonesa avionësh ishin parashikuar në aeroportin e Brukselit.Në Francë mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar dje në mbrëmje në aeroportin e Lionit. Mes tyre bënin pjesë edhe 500 shtetas britanikë të cilët ndodheshin aty për të bërë ski në Alpe. Si pasojë e motit të ftohtë janë regjistruar shumë aksidente, por nuk ka pasur të dhëna për viktima. Ndërkohë që në Britaninë e Madhe, epiqendra e vështirësive këto ditët e fundit, ka njohur sërish reshje dëbore, por më të pakta se ditët e mëparshme. Aeroportet kryesore u hapën sot, por trafiku ajror mbetet i çrregulluar me vonesa dhe disa anullime të parashikuara. Mediat vendase flasin për të paktën 26 persona të cilët kanë humbur jetën në Britaninë e Madhe që nga fillimi i valës së të ftohtit.Rreth 65 mijë persona janë privuar nga energjia elektrike në Itali, si pasojë e shirave dhe erërave të forta në disa rajone të qendrës, ndërkohë që qarkullimi është bllokuar për shkak të rrëzimit të pemëve. Irlanda, e cila nuk ka njohur një valë të tillë të ftohti që prej vitit 1963, u përfshi të premten nga reshje të tjera dëbore, të cilat kanë detyruar aeroportin e Dublinit të ndërpresë trafikun ajror.Reshjet e dëborës kanë shkaktuar çrregullime edhe në trafikun rrugor në Poloni dhe rreth 25 mijë shtëpi kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike në rajonin e Kielces dhe Katovices. Një pjesë e madhe e territorit në Spanjë është vënë në alarm për shkak të rrezikut nga erërat e forta, dëborës dhe uljes së temperaturave dhe shërbimet meteorologjike kanë paralajmëruar për kushte më ekstreme të motit.                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›