E Diel, 1 Nëntor 2026

I ftohti polar, temperaturat deri -20 gradë në veri, Policia: Ja situata në akset rrugore

TIRANE - Vështirësohet gjithmonë e më shumë situata si pasojë e motit të keq veçanërisht në veri të vendit. Stuhia e erës ka vijuar gjatë gjithë natës, ndërkohë që në qarkun e Dibrës temperaturat vijojnë Të mbeten në nivelin -20 gradë celsius.

Në Pukë,  akset Fushë Arrëz-Kukës, Fushë Arrëz-Bajram Curri të bllokuara prej 8 ditësh, ndërsa Pukë-Fushë Arrëz, Pukë-Shkodër, Fushë Arrëz-Mirditë kalohen me vështirësi edhe me zinxhirë. Të gjitha fshatrat janë të bllokuara, ndërsa prej 8 ditësh të bllokuara janë edhe lagjet periferike të qytetit të Pukës. Nuk dihet fati i dhjetëra familjeve në të gjithë rrethin pasi është shkëputur komunikimi, ndërsa 40 familje kërkojnë ushqime në komunën Blerim. Probleme edhe me energjinë elektrike në shumë fshatra si pasojë e avarive.

Ndërkaq në të gjitha fshatrat e Kukësit dhe në disa lagje të qytetit mungon energjia prej më shumë se 24 orësh.
Akset Morinë-Kalimash dhe Kukës-Krumë të kalueshme me vështirësi. Ndërkaq të bllokuara akset Kukës-Shihtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Peshkopi, si dhe Krumë-Bajram Curri dhe Bajram Curri-Qafë Morinë ku vijon rënia e orteqeve.
Nuk ka asnjë komunikim me komunat. Ka pasur emergjenca shëndetësore, ku ditën e djeshme një grua shtatzëne është transportuar me barrelë në këmbë nga 20 persona nga fshati Orgjoz deri në Kukës.

Situata e renduar edhe në rrethin e Tropojës, i cili është totalisht i bllokuar dhe nuk ka asnjë komunikim me Kukësin. Të gjitha komunat e qarkut të Dibrës janë të izoluara. Aksi kombëtar Peshkopi-Qafe Buall kalohet me vështirësi edhe me zinxhirë, ndërsa Peshkopi-Librazhd, i bllokuar.

Krerët e komunave bëjnë apel për hapjen e rrugëve kryesore pasi trashësia e deborës në disa fshatra i kalon 2 metra. Ndërkaq në akset Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik, Korçë-Liqenas, Korçë-Lozhan kalohet vetëm me zinxhirë, ndërsa në aksin Kapshticë-Kozanë nuk lejohet ende qarkullimi i kamionëve. Komunat Novoselë, Vithkuq, Lekas, Probtisht dhe pika turistike e Dardhës vijojnë të jenë të bllokuara.

Situata në akset rrugore në shkallë vendi, nga informacionet më të fundit të marra nga shërbimet e Policisë Rrugore, rezulton:
Në qarkun Kukës:
1. aksi rrugor Morinë – Kalimash, i kalueshëm me zinxhirë,
2. aksi Kukës – Krumë, i kalueshëm me zinxhirë,
3. aksi B.Curri – Qafë Morinë, i kalueshëm me zinxhirë,
4. aksi B.Curri – Fierzë, i kalueshëm me zinxhirë,
5. aksi B.Curri – Valbonë, i pakalueshëm,
6. aksi Krumë – B. Curri, i pakalueshëm,
7. aksi Krum – Qaf Prushi, i kalueshëm me zinxhirë,
8. aksi Kukës – Topojan, i kalueshëm me zinxhirë,
9. aksi Ujmisht – Lusen – Bushtricë - Kala e Dodës në drejtim të Peshkopisë, i kalueshëm me zinxhirë,
10. aksi Shëmri – Qafë Shllak, i pakalueshëm,
11. aksi rrugor Topojan – Shishtavec, i pakalueshëm,

Në qarkun Dibër:
1. aksi rrugor Peshkopi – Bulqizë – Klos, i kalueshëm me zinxhirë,
2. aksi rrugor Klos – Burrel – Ulëz, i kalueshëm pa zinxhirë,
3. aksi Bulqizë – Shupenzë – Ostren, i kalueshëm me zinxhirë,
4. aksi Krastë – Bulqizë, i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
5. aksi rrugor Peshkopi - Sllovë – Kala e Dodës në drejtim të Kukësit, i pakalueshëm,
6. aksi Peshkopi – Muhurr – Aras, i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
7. aksi Arras – Zall Dardhë – Reç, i pakalueshëm,
8. aksi Steblevë – Librazhd, i pakalueshëm,
9. aksi Arras – Lurë, i pakalueshëm.

Në qarkun Shkodër:
1. aksi rrugor Shkodër – Mabe, i kalueshëm pa probleme,
2. aksi rrugor Shkodër – Koman, i kalueshëm me zinxhirë, pasi ka ngrica,
3. aksi Qaf Çelë - Pukë - Fushë Arrës, i kalueshëm me zinxhirë,
4. aksi Fushë Arrës - Qafë Mali- Qafë Shllak, i pakalueshëm,
5. aksi Fushë Arrës – Gjegjan – Shpal, i kalueshëm me zinxhirë,
6. aksi Koplik – Hani i Hotit, i kalueshëm, por ka ngrica,
7. akset Koplik – Razëm, i kalueshëm me zinxhirë,
8. aksi Bogë – Theth, Selcë – Vermosh të pakalueshme, po punohet për pastrimin e tyre,
9. akset në drejtim te Dukagjinit, të pakalueshme,
10. aksi Qafë Mali – Dardhë – Fierzë, i pakalueshëm,
11. aksi Fushë Arrës – Iballë, i pakalueshëm.

Në qarkun Lezhë:
1. aksi Rubik – Kalimash, i kalueshëm pa zinxhirë,
2. aksi rrugor Mirdit – Shpal – Fushë Arrës, i kalueshëm me zinxhirë,
3. në zonat e thella të Mirditës në drejtim të Lurës, akset rrugore janë të pakalueshme.
Në të gjitha akset rrugore nacionale lëvizja e automjeteve është e kalueshme dhe po punohet me entin pronar të rrugëve për hedhjen e kripës dhe skorieve, sidomos në Autostradë.

Në qarkun Tiranë:
1. në drejtim të Qafë Krrabës, i kalueshëm pa zinxhirë,
2. në drejtim të Dajtit, i kalueshëm pa zinxhirë,

Në qarkun Elbasan:
1. aksi Librazhdë - Qafë Thanë, i kalueshëm pa zinxhirë,
2. aksi Elbasan – Qafë Krrabë, i kalueshëm,
3. aksi Librazhd – Bulqizë, i bllokuar, po punohet për pastrimin e këtij aksi.
Në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja është normale.

Në qarkun Korçë:
1. aksi rrugor Kapshticë -Korçë - Qafë Thanë, i kalueshëm pa zinxhirë,
2. aksi rrugor Boboshticë – Dardhë dhe aksi rrugor Korçë – Voskopojë, janë të kalueshme me zinxhirë,
3. aksi Korçë – Ersekë – Leskovik, i kalueshëm me zinxhirë,
4. aksi Korçë – Goricë, i kalueshëm pa zinxhirë,
Temperaturat vazhdojnë të jenë më të ulëta sot dhe po fryn një erë e fortë, por po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në qarkun Berat:
1. aksi Bogovë – Skrapar kalohet pa zinxhirë, po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes.
Në të gjitha akset rrugore lëvizja është normale.

Në qarkun Gjirokastër:
1. aksi Kakavijë - Gjirokastër – Tepelenë kalohet pa zinxhirë,
2. aksi Tepelenë – Përmet është i kalueshëm pa zinxhirë,
3. aksi Përmet - Çarshovë është i kalueshëm me zinxhirë,
4. aksi Jorgucat - Qafa e Muzinës, i kalueshëm pa zinxhirë,
Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në qarkun Vlorë:
1. në segmentin rrugor Vlorë – Llogora, lëvizja e automjeteve kryhet pa zinxhirë dhe po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes.
Në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja e mjeteve bëhet normalisht pa probleme.

Kryeministri ngre Komitetin e Emergjencave
Situata e rënduar nga reshjet e borës detyroi dje kryeministrin Berisha të ngrejë komitetin shtetëror të emergjencave. Në mbledhjen e djeshme qeverisë, Berisha apeloi nevojën për t’ju shkuar në ndihmë të gjithë banorëve në zonat e bllokuara nga bora.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›