E Diel, 1 Nëntor 2026

I fundit ne Hage Serbia dorezon Goran Haxhicin

Pas 8 vitesh arrati, arrestohet Goran Haxhiç, i kërkuar për krime lufte në ish-Jugosllavi.  Ish lideri i serbëve të Kroacisë, përgjegjës për masakrën e Vukovarit e ndodhur në 1991 dhe ku gjetën vdekjen 264 persona u arrestua në rajonin Fruske Gore. Presidenti serb, Boris Tadiç tha se me këtë arrestim, Serbia mbyll një fazë të vështirë dhe të errët të historisë së saj.

“Kemi punuar shumë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Në fund të ditës, e bëmë detyrën tonë. Përmbushëm detyrimet tona”.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i BE-së, ku shefja e diplomacisë, Catherine Ashton tha se arrestimi e sjell Serbinë një hap më pranë Europës së Bashkuar. Lajmi u mirëprit edhe nga Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime për Ish-Jugosllavinë, Serge Brammertz.

“Është shumë e rëndësishme për familjarët e viktimave në Kroaci të cilat më në fund të marrin drejtësi, dhe po ashtu është e rëndësishme për ne, sepse është i kërkuari i fundit që u vu në pranga. Ende nuk e dimë se kur do të bëhet transferimi i tij, sepse ka disa procedura gjyqësore që duhet të ndiqen”.

Arrestimi i Goran Haxhiç vjen vetëm dy muaj pas arrestimit të Mladiç  dhe për Serbinë hiqet një tjetër pengesë drejt anëtarësimt në BE. Në luftën e Kroacisë që mori fund kur Zagrebi rimori territoret e zaptuara nga serbët në 1995 vdiqën më shumë se 10 mijë persona.

Bora Ymeri Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 20 korrik 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›