I fundmi?
Sot mbërrin në banesën e fundit Ramiz Alia, presidenti i parë i pluralizmit, dhe i fundmi zyrtar me postet më të larta në regjimin komunist. Në Shqipëri ai përcillet mes një debati për ceremoninë që do i zhvillohet. Nuk do ketë në fakt një ceremoni shtetërore, që merr miratimin e qeverisë, por do ketë një ceremoni të organizuar nga protokolli. Atij i janë rezervuar homazhe për një orë pranë ish- Shtëpisë së Ushtrisë dhe më pas do niset në banesën e fundit, ku do prehet në krah të të shoqes. Nuk dihet ende se kush do marrë pjesë në homazhe, por dihet që nga Partia Demokratike nuk do ketë njeri. Gazeta e kësaj partie e quajti atë diktatorin e fundit komunist. Kurse kreu i LSI ka shprehur homazhe, por për çudi, Partia Socialiste, nuk ka mbajtur asnjë qëndrim, duke u druajtur se kjo do e poziciononte atë në krah të komunizmit, edhe pse kanë trashëguar partinë që drejtoi Alia.
Ndërsa në Shqipëri vdekja e tij po kalohet pa zhurmë, përveç diskutimeve në forume, media e huaj ka raportuar shumë në lidhje me vdekjen e tij. Dhe nuk bëhet fjalë për raportime të marra nga agjenci lajmesh, por për profile të shkruara nga disa prej medieve më prestigjioze të botës. Të gjitha theksojnë se vdiq i fundmi i drejtuesve komunistë në Shqipëri, por nuk harrojnë të theksojnë se Shqipëria po përpiqet kaq shumë që të lërë pas trashëgiminë e Enver Hoxhës. Kështu shkruan Nju Jork Tajms në një shkrim të gjatë për Ramiz Alinë. Ka kryer shumë ekzekutime, spastrime e goditje, i urdhëruar nga Enver Hoxha- ka përdorur tmerret staliniste të djegies së gjallë të armiqve, shkruan Nju Jork Tajms, që thotë se Alia ishte një zbatues i atyre që thoshte Enveri. Më pas gazeta e zbut dorën dhe flet për një kalim të butë që u përpoq të bënte ai drejt ekonomisë së tregut. Përmendet një fakt, që ai hoqi nga zyra imazhet e kultit të individit. Jeta nuk është devotshmëri ndaj një personi, jeta është devotshmëri ndaj një ideje. Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç ekonomisë së tregut. Sigurisht që kam idealet e mia, por jam realist, citon Nju Jork Tajms, Ramiz Alinë në një intervistë për këtë gazetë në prill të vitit 1992.
Ndërsa BBC, si për të theksuar një detaj të frikshëm të tranzicionit të gjatë e të lodhshëm shqiptar, shkëput një shprehje të Ramiz Alisë nga libri i tij autobiografik, ku ai thotë se mendon se Partia Komuniste duhej të kishte kërkuar ndjesë pasi kishte dështuar të krijonte një ekonomi mjaftueshëm të mjaftueshme për një jetë më të mirë për shqiptarët.
Jam i bindur se vendi ynë nuk do mbetet gjithmonë delja e zezë e Europës, shkruante ai.
Dhe ne jemi sërish dele e zeze. Ndërsa ai nuk është i fundmi i komunistëve.