Censusi, pa probleme në Fier, qytetarët shfaqin interes
Procesi i censusit në qarkun e Fierit po vijon normalisht. Qytetarët e kanë mirëpritur këtë proces, duke e konsideruar si një reformë të domosdoshme që e ofron më shumë Shqipërinë me standardet e BE. Procesi po kryhet me vullnet të lirë dhe përgjegjësi personale, duke pasqyruar ndryshimet etnike edhe brenda familjes. Unë kam deklaruar kombësinë shqiptare, ndërkohë që bashkëshorti im ka deklaruar kombësinë serbe. Ky deklarim është shprehja më e plotë e vullnetit të lirë në plotësimin e formularëve të Censusit”, tha Suzana Duleviç, banuese në fshatin Rreth Libofshë, 7 km në veri të qytetit të Fierit. “Regjistrimi do sjellë shumë gjëra të mira. Është një hap shumë pozitiv dhe nuk e kuptoj politizimin e tejskajshëm nga qarqe të caktuara brenda dhe jashtë vendit”, tha bashkëshorti i Suzanës, Eqerem Duleviç. “Regjistrimi ka qenë i lirë dhe unë si regjistrues nuk kam pasur presione apo kundërshtime nga qytetarët. Nuk ka pasur asnjë ndikim apo presion në lidhje me përkatësinë etnike dhe besimin fetar”, tha regjistruesi (anketuesi i zonës Rreth-Libofshë), Agim Bregu. Sipas tij, puna në këtë zonë po vazhdon normalisht dhe pa probleme. “Nuk kemi pasur asnjë refuzim nga qytetarët, megjithëse këtu në zonën tonë ka dhe pakica kombëtare si, serbë e vllahë. Gjithsecili i është përgjigjur pyetësorit sipas dëshirës së tij”, tha një tjetër anketuese e kësaj zone, Adriana Dhima. “Qytetarët thjesht na kanë mirëpritur dhe po shfaqin mjaft interes për procesin e regjistrimit”, tha ajo.
...