I gjendet dy kg kanabis, arrestohet i riu
Arrestimi
TIRANË- Arrestohet nga Antidroga e Policisë së Tiranës, Klodian Balla, 28 vjeç, pasi iu është gjetur një sasi prej dy kg lëndë e dyshuar si Kanabis Sativa.
Balla, lindur dhe banues në Tiranë, ka qenë person i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, ndërsa arrestimi i tij është bërë pas dyshimeve të policisë për mbajtjen e lendes narkotike.
Arrestimi i të riut është kryer në rrugën "Skënder Kosturi", ku gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij iu është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2079 gramë lëndë që dyshohet të jetë e llojit Kanabis Sativa.
Sipas policisë, i arrestuari gjithë sasinë e lëndës narkotike e kishte futur në një qese. Pas arrestimit, Klodian Balla është marrë në pyetje nga oficerët e antidrogës në Policinë e kryeqytetit, ku është pyetur për lëndën që iu është sekuestruar.
Sipas policisë, Ballës përveç lëndës së dyshuar si kanabis iu është sekuestruar edhe një celular, ndërkohë që mbi të rëndon akuza e prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike.