Mblidhet konferenca gjyqësore, anëtarët e KLD s'mund të zgjidhen
TIRANË - Është mbledhur sot konferenca gjyqësore, ku marrin pjesë rrreth 100 gjyqtarë nga gjithë vendi. Mësojmë se kjo konferencë nuk do të arrijë të vendosë për anëtarët e rinj të KLD, pasi është vetëm një e treta e tyre prezente në këtë konferencë.
Në këtë takim që zhvillohet pas 5 vjetësh kanë folur gjyqtarë të ndryshëm që kanë vlerësuar se mbledhja e Konferencës Gjyqësore është një domosdoshmëri. Artur Kalaja, kryetar i Unionit të Gjyqtarëve, tha se nuk ka vend për aludime kundërvëniesh mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Konferencës Gjyqësore.
Ajo ç'ka rëndësi sipas tij është konkludimi i problematikave të lindura në këtë sistem gjatë kësaj mbledhje të organizuar pas një periudhe 5-vjeçare.
Ndërsa kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj është bërë avokate e gjyqtare duke deklaruar se ata s'jane të korruptuar. "Ne nuk kemi një sistem të korruptuar, por individë brenda tij që duhet t'i evidentojmë dhe t'i vëmë para përgjegjësive për t'iu larguar imazheve negative për këtë sistem", tha ajo.
Ndërsa për problemet në gjyqësor ajo tha se "janë probleme të reformimit të sistemit gjyqësor, ritmi i të cilit duhet të përshpejtohet dhe përshëndesim angazhimin e presidentit të Republikës për këtë proces", tha Beçaj.
Sipas saj reforma në drejtësi mbetet pikë kyçe në funksion të të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor dhe nga vështirësitë që ky proces ndesh, parashikohet që të jetë një rrugë e gjatë.
Në fund e përfundoi fjalën e saj duke kërkuar më tepër angazhim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë si edhe mbështetjen me më shumë buxhet nga ana e qeverisë për gjyqësorin.
Kushtetuta përcakton se KLD-ja përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Afati i qëndrimit në detyrë është pesë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë të kërkojnë rizgjedhje të menjëhershme.