Pranga rojës së poliklinikës, jepte certifikata mjekësore për armë
ELBASAN/ Gugash Çela është arrestuar nga policia, ndërsa po hetohet nëse pas tij fshihen mjekë
ELBASAN - Policia e Elbasanit finalizon operacionin "Falsifikatori", ndërsa në pranga ka përfunduar një Gugash Çela, me funksionin rojë në poliklinikën mjekësore të qytetit. 40-vjeçari, sipas policisë, siguronte raporte mjekësore false kundrejt përfitimit për personat që kërkonin të pajiseshin me armë gjahu.
Në një kohë që një raport i rregullt shëndetësor shkon rreth 1 000 lekë të rinj, një i falsifikuar, sidomos në rastet që personat kishin probleme, shkonte shumë më tepër dhe duket se pikërisht këto raste kishte shfrytëzuar edhe 40-vjeçari.
Burime nga policia e Elbasanit bënë të ditur se Gugash Çela iu siguronte personave të ndryshëm certifikata shëndetësore. Një e tillë merret në rastet kur kërkon të pajisesh me armë gjahu.
Certifikata, e cila mësohet se jepet me komision duhet të përmbajë aftësinë e të shikuarit, të dëgjuarit, aftësinë mendore dhe fizike të personit për të përdorur një armë gjahu. Më pas kjo certifikatë dërgohet në polici, e cila shqyrton edhe nëse personit-kërkues do t'i jepet leja.
Nisur nga mbërritjet e disa certifikatave, të cilat janë dyshuar se ishin të falsifikuara, hetimet kanë çuar tek Gugash Çela, që punonte si rojë në poliklinikën e specialiteteve në qytetin e Elbasanit.
Sipas uniformave blu, ai u siguronte shtetasve të ndryshëm raporte mjekësore të falsifikuara, të cilat kishin të kopjuar vulën e institucionit. Veç këtyre dokumenteve të falsifikuara, janë edhe disa dëshmi personash, të cilët janë shprehur se raportet i kanë marrë nga vetë roja.
Vetë qytetarët duket se ndiheshin mirë duke paguar pak më shumë, por pa pasur andrallat e vizitave tek secili mjek. Kështu, i jepnin ndonjë para nën dorë rojës së poliklinikës, duke marrë prej tij të vulosur certifikatën shëndetësore.
Operacioni "Falsifikatori" do të vazhdojë, pasi dyshohet se ka të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet që prodhojnë raporte të falsifikuara kundrejt përfitimit të parave. 40-vjeçari Çela do të përgjigjet për falsifikim të dokumenteve shëndetësore.
Sipas qytetarëve, roja ndihmonte që ata të merrnin raportin me të gjitha vulat, por nuk e dinin se raportet mund të ishin të falsifikuara. Gjithsesi, pritet që hetimet të zbardhin edhe më tej se deri ku shkonte falsifikimi dhe nëse ka mjekë të përfshirë.