E Shtunë, 31 Tetor 2026

I hapen dyert

Dyert e Ministrisë së Shëndetësisë tani janë të hapura krah e krah. Aty nuk janë më as gardat dhe policët, që dikur e pengonin atë të hynte brenda. Ky shteg i ngushtë ditëve në vijim do të shërbejë për shkuarje dhe ardhje të reja në këtë ministri. Atë e kaloi edhe ish-sekretari i përhershëm më kontrovers i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

Ai u rikthye në ndërtesën në të cilën për disa vjet ishte e ndaluar për të. Ministri i ri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, e emëroi atë këshilltar në këtë ministri. Ministrit Bukoshi nuk i ngutet të publikojë emrat e këshilltarëve të tij. “Prit dy ditë, pastaj i publikojmë emrat e këshilltarëve”, thotë Bukoshi për Express.

Por, burime të gazetës brenda MSH-së konfirmojnë se Tolaj tashmë është emëruar këshilltar i Bukoshit. “Ilir Tolaj është emëruar këshilltar i lartë i ministrit Bukoshi”, thotë ky burim për Express.
Gazeta ka tentuar gjatë ditës së hënë të kontaktojë Tolajn dhe ish-ministrin Gashi, por kjo ishte e pamundur.

Ilir Tolaj ishte pezulluar nga detyra e sekretarit permanent në MSH më datën 23 mars 2008 dhe i ishte ndaluar hyrja në vendin e tij të punës. Alush Gashi, që ishte ministër i Shëndetësisë në atë kohë, kishte dhënë 13 arsye për këtë vendim. Gashi kishte akuzuar Tolajn se nuk është konsultuar, e as nuk e ka informuar ministrin për suspendimet e zyrtarëve të lartë të MSH-së, ka penguar stafin e MSH-së, e në veçanti drejtorët e divizioneve që t’u përgjigjen ftesave të ministrit në takime pune etj.

Mbi Tolajn, rëndojnë dy aktakuza, të cilat, sipas hetuesve të policisë, dyshohet se i ka kryer në bashkëveprim me persona të tjerë. Akuza e parë në kallëzimin penal të hartuar nga policia dhe të dorëzuar në Prokurorinë Komunale të Prishtinës, bazohet në lidhje me nenin 339 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës. Ky nen ka të bëjë me dyshimet ndaj një personi, i cili shpërdoron detyrën zyrtare me qëllim të sigurimit për vete ose dikë tjetër pasuri në mënyrë të paligjshme.

Sa i përket akuzës së dytë me të cilën ngarkohet Tolaj, ajo ka të bëjë me përvetësimin e pasurisë në mënyrë të kundërligjshme. Këtë kallëzim penal, policia e ka dorëzuar në Prokurorinë Publike të Prishtinës.

Intervista
Këto janë dy përgjigjet e Ilir Tolajt të dhëna në një intervistë për Express, në maj 2008, pas shkarkimit të tij nga posti i sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga Intervista që Ilir Tolaj ia ka dhënë gazetës Express në vitin 2008.

Express: Po thoni se s`keni bërë keqpërdorime dhe nuk e keni penguar ministrin në punë. Pse e ka kërkuar largimin tuaj?

Ilir Tolaj: Alushi ka probleme të veta. Ai ka kryer punën e njerëzve të caktuar në këtë qeveri, të cilët Ilirin e kanë pasur si pengesë, për shumë punë të cilat kryhen në Ministrinë e Shëndetësisë, e të cilat shumë lehtë mund të keqpërdoren.

Express: Pra, ju ka larguar për t`ia bërë qejfin Hashim Thaçit?

Ilir Tolaj: Definitivisht po. Servilizmi i Alushit ndaj Thaçit është aq evident, aq neveritës, sa që edhe ata që nuk kanë asnjë eksperiencë politike, po e ndiejnë veten keq, e lëre më të tjerët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›