E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohet njohja nga Swazilandi

Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër ka marrë sot, një notë verbale nga ambasada e Swazilandit në Kuvajt me një shkresë përcjellëse të ambasadorit të Swazilandit në këtë vend, Princi Senzangakhona Phesheya Dlamini, i cili në cilësi të emisarit të posaçëm të ministrit të jashtëm të Swazilandit ka mbajtur kontakte dhe biseda për njohjen me ambasadorin e Kosovës në Londër, Muhamet Hamitin.

“Nota verbale, nuk i adresohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës apo ndonjë institucioni tjetër në Kosovë, por ajo u drejtohet përfaqësuesve diplomatikë rezidentë dhe jo rezidentë të vet Mbretërisë së Swazilandit. Në këtë notë, Ministria e Punëve të Jashtme e Swazilandit i njofton misioneve veta diplomatike, se “Mbretëria e Swazilandit ka bërë njohjen formale të Republikës së Kosovës””, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes kanaleve diplomatike është në kontakt me autoritetet e Swazilandit, me qëllim të formalizimit të plotë të njohjes”, thuhet më tej në njoftimin e MPJ’së.

Këtë njohje, Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli e ka paralajmëruar të enjten e kaluar në një konferencë për media. Ndërsa, të hënën ai ka deklaruar se ka pranuar letrën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Swazilandi.

“Po, kjo punë është kryer me dinjitet. Letra e njohjes më ka ardhur në orën 19:40. Ashtu siç kam paralajmëruar që të hënën vjen njohja, ashtu edhe ka ndodhur”, ka thënë Pacolli, në një prononcim për Express.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›