E Shtunë, 31 Tetor 2026

I harron shteti

Elita Beshiri çdo ditë shkon në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë, edhe pse është e prekur nga Sindroma Down. Elita ka filluar vitin e kaluar që të shkojë në klasën e parë në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë.

Ajo në fillim nuk ishte pritur mirë nga fëmijët e tjerë, mirëpo me kalimin e kohës Elita është bërë pjesë e shoqërisë. Fëmijët me sindromën down janë ata fëmijë që kanë vonesë të zhvillimit, ecje më të vonshme, kanë disa karakteristika në pamje, veshë të vegjël, sy të ngrehur, dhe tendencë për të mbajtur gjuhën jashtë. Nëna e Elitës, Drita thotë se në fillim ka pasur problem pasi që fëmijët e gjeneratës vajzën e saj e kanë shikuar më ndryshe, mirëpo më kohë janë adaptuar më të.“Fëmijët e presin shumë mirë Elitën, në fillim kanë hezituar pasi që është më nevoja të veçanta, mirëpo tani janë mësuar më të,” thotë nëna e Elitës, Drita Meta.

Gjithashtu ajo ka thënë se është e detyruar që ta paguajë një asistente gjegjësisht psikologe që çdo ditë të shkojë me Elitën në shkollë.“Jam e obliguar që ta paguaj një psikologe që të merret me Elitën gjatë mësimeve, e tërë rroga ime shkon vetëm për Elitën, kishte me qenë mirë që Ministria me i paguar sociologët e jo ne, mirëpo pasi që ajo nuk i paguan unë nuk mundem ta lë fëmijën tim pa shkollim”, ka thënë Meta, shkruan Zëri.

Ndërsa mësuesja e Elitës, Ajshe Sherifi thotë se Elita shumë shpejt është inkuadruar në mësime dhe se asnjëherë nuk e dallon nga nxënësit e tjerë.
“Nuk bëj dallime për Elitën, kur dalin fëmijët e tjerë me i zgjedh detyrat edhe Elita del, gjithashtu edhe detyrat e shtëpisë i bën me rregull. Është shumë e përkushtuar, në fillim ka qenë pak vështirë mirëpo tani edhe fëmijët janë mësuar më të, nuk bën probleme e di që ka ardhur në shkollë dhe duhet të mësojë”, ka thënë Sherifi.

Gjithashtu mësuesja e Elitës ka thënë se është më se e domosdoshme që të këtë asistente siç është psikologia për këta fëmijë sepse iu duhet më shumë përkushtim, e duke marrë parasysh numrin e madh të fëmijëve nëpër klasa, mësueset nuk mund që të merren vetëm më fëmijët që janë të prekur me Sindromën Down.

Ndërsa zëvendësdrejtoresha në “Down Sindrom Kosova”, Sebahate Beqiri, ka thënë se ka filluar integrimi i fëmijëve më nevoja të veçanta nëpër institucionet shkollore, mirëpo nuk është e kënaqur më përkrahje nga Ministria e Arsimit dhe Komuna e Prishtinës. Sfidë për fëmijët mbetet shkollimi, dhe literatura që mungon për fëmijët më sindromën down.

“Nuk duhet që vetëm të hartojnë ligje dhe projekte, duhet që prioritet ta kenë buxhetin për këta fëmijë. Nëse i shikojmë edhe ligjet e Kosovës është në përputhshmëri më konventën e të drejtave të njeriut, mirëpo nuk po zbatohet në përputhshmëri për këtë nuk jemi fare të kënaqur”, ka thënë Beqiri.
Gjithashtu ajo ka thënë, se prindërit janë të detyruar që vetë të paguajnë psikologë për fëmijët që i dërgojnë në shkolla publike, çka nuk është në rregull. Pasi që kushtet ekonomike, siç thuhet, nuk janë të mira.Ndërsa Halim Halimi, drejtor i Drejtoratit për Arsim në Komunën e Prishtinës, ka thënë se i përkrahin fëmijët me nevoja të veçanta mirëpo buxheti është i limituar.

“Ka nevojë që të bëhet shumë më shumë për fëmijët e prekur nga sindroma down, mirëpo buxheti është shumë i kufizuar, sepse kishte me qenë e udhës që asistentet që i asistojnë fëmijët nëpër shkolla të paguhen nga Ministria e Arsimit, mirëpo kjo nuk po ndodhë,” ka thënë Halimi.

Ndërsa Lulavere Kadriu-Behluli, udhëheqëse e Njësisë së Arsimit Special ka thënë se politikat e Ministrisë se Arsimit janë duke u orientuar nga sigurimi i mësuesve mbështetës e jo në punësimin e asistenteve personale sepse qëllimi i shkollës është t’i bëjë fëmijët sa më të pavarur.

“Politikat e MASHT-it janë të orientuara nga arsimi gjithëpërfshirës apo shkollat gjithëpërfshirëse dhe në këtë kontest ne jemi në proces të punësimit të mësuesve mbështetës në shkolla, roli i tyre është mbështetja profesionale për nxënësit me nevoja të veçanta ku përfshihen edhe fëmijët me sindromën down por edhe mbështetja profesionale e mësimdhënësve që punojnë me këta fëmijë në klasat e rregullta,” ka thënë Behluli.

Kurse sociologia Anduena Arrni ka thënë se “Sindromi Down” është çrregullim gjenetik i cili ndodh tek fëmijët me rastin e konceptimit.“Normalisht, në kohën e konceptimit një fëmijë trashëgon informacionin gjenetik prej prindërve të tij në formën e 46 kromozomeve: 23 prej nënës dhe 23 prej babait. Në rastin e Sindromit Down, fëmija merr një ekstra kromozomi 21 - për një total prej 47 kromozomesh në vend të 46. Është ky material shtesë gjenetik që shkakton karakteristikat fizike dhe vonesa zhvillimore te fëmijët e prekur nga ky sindrom,” ka thënë Arrni. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›