VV: Komuna e Ferizajt po falimenton

Numri i mësimdhënësve ferizajas, të cilët nuk janë futur në listën e pagave është bërë temë replikash në mes të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe Drejtorisë së arsimit.
Nëpërmjet një kumtese, VV-ja e ka cilësuar mospagesën e 40 mësimdhënësve shkelje ligjore dhe paralajmërim për falimentim të komunës.
“40 punëtorë të arsimit në Ferizaj për një vit me radhë nuk kanë marrë asnjë centë për punën prej një viti. Mësimdhënësit dhe drejtorët të cilëve nuk u është paguar nga një rrogë mujore heshtin. Ata janë në këtë kohe krize ekonomike më të gatshëm të punojnë një vit pa para dhe ta mbajnë një vend punë se sa ta ndërpresin punën deri sa shteti të ua paguaj borxhin”, është thënë në reagimin e VV-së.
VV-ja ka kërkuara nga komuna që menjëherë t`ua paguajë borxhin mësimdhënësve.
“Të jetosh një vit pa rrogë është një sfidë e madhe. Është gjithashtu një papërgjegjësi e madhe t’i biesh qytetarët që punojnë në gjende që të përballen me mbijetesën. Nga ana e pushtetit asnjë keqardhje, as një kërkim falje. Ne kërkojmë nga administrata komunale dhe MASH që punonjësit e mbetur pa rroga të paguhen menjëherë dhe jo me mjetet vetjake të komunës siç pretendon drejtori i arsimit”, ka kërkuara VV-ja.
Sipas këtij subjekti, komuna është para falimentimit.
“Mbetja e punonjësve të arsimit pa rroga flet edhe për problemet masive të qeverisjes komunale të cilat qytetari ferizajas duhet t’i ketë parasysh. Ferizaj ndodhet në krizën më të madhe që ka pasur ndonjëherë. Komuna është faktikisht pa udhëheqje komunale. Problemi i tanishëm i rrogave të punonjësve të arsimit dëshmon që mungon planifikimi, llogaritja e saktë e buxhetit dhe koordinimi mes drejtorive, në rastin konkret të drejtorisë së arsimit me atë të financave. Kemi informacione, akoma të paverifikuara se Komuna e Ferizajt është para falimentimit, që ka mungesë mjetesh, që qeveria nuk po paguan pjesën e saj të buxhetit dhe që komuna është e rrasur në borxhe”, përfundon kumtesa e LVV-së, duke kërkuar nga kryetari Agim Aliu që të raportoj në kuvend për gjendjen financiare të komunës.
Nga ana tjetër, drejtoria e arsimit pretendimet e VV-së, i ka quajtur dezinformata.
“Kësaj radhe përmes një shkrese ky subjekt politik ka plasuar në mënyrë elektronike informata të pavërteta dhe të paverifikuara për Arsimin e Ferizajt. Në shkresën e tyre, ata theksojnë se në Komunën e Ferizajt janë 40 punëtorë arsimorë që nuk i marrin pagat prej një viti. Kjo nuk përkon me realitetin e arsimit ferizajas, sepse nuk ka asnjë punëtorë që nuk e gëzon këtë të drejtë që një vit”, ka thënë në reagim drejtori i arsimit, Agim Berisha. Ai e ka pranuar se është një numër shumë i vogël i punëtorëve arsimorë që nuk kanë realizuar pagën për pak muaj.
“Por e kemi thënë dhe e themi se këtë pagesë do ta bëjmë me rishikim e buxhetit të vitit 2013, dhe atë në mënyre retroaktive“, ka sqaruar Berisha.
Sa i përket menaxhimit, sipas DA-së, VV-ja është shërbyer me të dhëna ta paverifikuara.
“Rritja e numrit të paraleleve automatikisht ka shtuar numrin e mësimdhënësve dhe stafin e të punësuarve. Mirëpo në këto rrethana e kemi bërë atë të mundur, edhe pse nuk është e leverdishme shumë për punëtorët, mirëpo, këto mjete do të paguhen edhe ata do ti marrin ato paga, që ju takojnë dhe nuk do t’iu mbesim borxh asnjërit”,tha Berisha./Indeksonline/