E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ishte mbytur gruaja në pus, arrestohet i shoqi pas 4 vitesh

14/07/2009  Dëshmitë e të afërmve zbuluan autorin e krimit

TIRANE- Me urdhër të Prokurorisë, punonjësit e policisë së Tiranës kanë arrestuar shtetasin Petrit Goga, pasi mendohet se dy vjet më parë ky i fundit ka detyruar bashkëshorten e tij, Mimoza Gogën, që të kryejë vetëvrasje duke u hedhur në pusin e banesës ku ajo jetonte. Megjithëse dosja penale ku janë hetuar të gjitha rrethanat e vetëvrasjes së 29-vjeçares është pezulluar disa herë, më së fundi prokurorët kanë mundur të sigurojnë prova, ku nëpërmjet analizimit të tyre, kanë zbuluar se shkaktari i krimit të ndodhur më 4 maj të 2007 është shtetasi 31-vjeçar Petrit Goga. Burime pranë akuzës kryeqytetase thanë se për zbardhjen e krimit kanë qenë disa dëshmi të të afërmve të Gogës dhe të Majlindës. Sipas tyre, kjo e fundit dy ditë përpara se t’i jepte fund ishte keqtrajtuar nga bashkëshorti si dhe ishte izoluar në një nga dhomat e shtëpisë, pasi burri i saj Petrit Gogaj ishte tepër xheloz. Gjatë kësaj kohe është vërtetuar se i arrestuari e ka nxitur herë pas here bashkëshorten e tij, duke i thënë se ajo duhet të vriste veten, pasi në të kundërt e gjithë jeta do i shkonte duke u keqtrajtuar dhe dhunuar. Kaq ka mjaftuar që Prokuroria të kërkojë në gjykatë masën e “arrestit në burg” për shtetasin Petrit Goga, e cila më pas është ekzekutuar menjëherë nga forcat e policisë. 29-vjeçarja Mimoza Goga u gjet e mbytur në maj 2007 në pusin e kësaj familjeje të varfër në fshatin Haskalje të Tiranës. Në atë kohë policia dhe Prokuroria e mbyllën çështjen si një vetëvrasje të pastër, ndërkohë që babai i viktimës Shaban Rama, së bashku me të shoqin e saj Petritin iu drejtuan gjyqtarit Sokol Tona, duke i kërkuar të urdhëronte rihapjen e çështjes. Kjo pasi sipas tyre Mimoza sapo kishte lindur fëmijën e dytë dhe nuk vuante nga depresioni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›