E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Jo” rezultatit që vjen në rrugë antiligjore

14/07/2009  Selia rozë kërkon hetim për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën

Hetimi për Beratin është kërkesa e radhës e Partisë Socialiste, për të cilin, ashtu si dhe për Fierin, lidershipi socialist deklaron se nuk do të heqë dorë deri në realizimin e tij. Kështu, pas marrjes së mandatit të nëntë në Qarkun e Fierit socialistët pretendojnë të arrijnë një tjetër mandat në qarqet Berat, Shkodër e Tiranë. Madje, selia rozë vijon të kushtëzojë qëndrimin e saj mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit pikërisht nga ecuria e hetimeve në këto qarqe. Ishte vetë kreu socialist Edi Rama që pas vendimit të KQZ-së për Fierin, ku PS-së iu shtua një tjetër mandat, deklaroi prerë se “në mënyrën më absolute ne nuk do të pranojmë rezultat të imponuar në rrugën e shkeljes së ligjit, që tanimë është bërë rruga ku shkel orë pas ore KQZ-ja e Sali Berishës”.

Deklarata

Sipas gjykimit të kreut të PS-së Edi Rama, Shqipëria pa të vërtetën e fshehur me dhunë për dy javë rresht në kutitë e marra peng nga Sali Berisha në Fier. “Leximi deri në fund i verdiktit të popullit të Fierit i dha Partisë Socialiste mandatin e 9-të dhe provoi katërçipërisht drejtësinë e qëndrimit tonë të prerë në këtë proces, duke nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën se edhe pa bërë transparencë mbi Beratin, Shkodrën e Tiranën Sali Berisha nuk e ka marrë mandatin për të qeverisur edhe 4 vjet të tjerë Shqipërinë”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Ndërkohë që falënderoi të gjithë qytetarët e qytetaret e Fierit, të cilët sipas tij jo vetëm e votuan si asnjëherë më parë Partinë Socialiste, por edhe e mbështetën pa asnjë lëkundje në përpjekjen për të mbrojtur votat e tyre. “Gjithashtu falënderoj mijëra votuesit tanë në mbarë Shqipërinë, të cilët prej dy javësh nuk rreshtën së kontaktuari me Partinë Socialiste në Tiranë e me mua personalisht për të kërkuar çuarjen deri në fund të përpjekjes ligjore për zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit”, - u shpreh Rama sa i takon kësaj çështje.

Qëndrimi

“Hetimi i Beratit, Shkodrës e Tiranës bazuar në të drejtën e padiskutueshme që na jep ligji është detyrimi ynë elementar ndaj një populli të tërë, që nuk mund të shkelet në sovranitetin e tij dhe kontributi ynë i pashmangshëm për demokracinë në këtë situatë shumë delikate, kur duhet të vendoset nëse vota është e drejta themelore e qytetarëve apo prona e patundshme e pushtetarëve”, - deklaroi prerë kreu socialist gjatë fjalës së tij. Në këtë mënyrë, për kryetarin e PS-së “populli i Beratit, ashtu si ai i Fierit dje, duhet të lexojnë në dritën e diellit vendimin e tij sovran të 28 qershorit dhe KQZ-ja e Sali Berishës nuk duhet të guxojë t’i mohojë PS-së të drejtën ligjore për të kërkuar mandatin e 5-të përmes rivlerësimit të të gjitha votave të pavlefshme, numri i të cilave në atë qark është më i madhi në të gjithë Shqipërinë për qendër votimi dhe rinumërimit të një sërë kutish të dyshuara”. Sipas tij, 28 qershori nuk ka sjellë mandat të ri qeverisës për Sali Berishën. “Një gjë shumë më e madhe jetike jo vetëm për parlamentin e ri, por në radhë të parë për demokracinë tonë, është të sqarohet deri në fund e vërteta e 28 qershorit dhe të hetohet deri në fund qoftë shpërndarja e votave në Berat, Shkodër e Tiranë, qoftë dokumentacioni zgjedhor, nga listat deri tek identitetet e zgjedhësve në të gjitha kutitë e dyshuara, gjë të cilën jemi të vendosur ta bëjmë pas daljes së rezultatit në rrugët që parasheh ligji”, - vuri në dukje Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›