E Diel, 1 Nëntor 2026

I jepet lamtumira koreografit Agron Aliaj

Homazhet u bënë në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku për nder të tij, u realizua edhe premiera e muzikalit "Carmina Burana", ashtu sikurse e kishte lënë amanet.

Maestroja i baletit u nderua paraditen e sotme në skenën ku ngjiti për 50 vjet, vepra botërore e kombëtare. Drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, e cilësoi Aliajn si artistin bazal për zhvillimet historike të TKOB-it dhe themeluesin e baletit klasik dhe koreografisë shqiptare. "Aliaj ka qenë një nga artistët, që me erudicionin e tij ishte i zoti të përthithte kumtin më të mirë të artit shqiptar dhe ta transformonte atë në një simbiozë bashkëveprimi mes të gjitha arteve", tha Ciko.

Agron Aliaj u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare, ditën e djeshme dhe la pas jo vetëm veprat e tij, që janë pjesë autentike e TKOB-it, por edhe një sërë projektesh të parealizuara. Sipas Cikos, veprat e reja shqiptare, por edhe rivënia e veprave të tij, duke i parë me një sy kritik, ka qenë gjithmonë tema e bisedave me baletmaestrin.

 Aliaj u aksidentua nga një makinë mbrëmjen e 7 marsit dhe që prej asaj kohe ishte në trajtim intensiv për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte marrë.  Koreografi nuk arriti të shikonte vënien në skenë të premierës së tij të fundit "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë", nuk i udhëhoqi balerinët nga pas kuintave.  Studimet e larta Aliaj i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës.

Më pas emërohet solist i parë i trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku realizoi disa kryerole në baletet "Halili dhe Hajrija", "Delina", "Cuca e maleve", "Romeo dhe Zhulieta", "Franceska da Rimini", "Lola", etj. Aktiviteti artistik pasurohet me veprën e tij krijuese koreografike. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertorë Aliaj është autori i shumë baleteve kombëtare si "Cuca e maleve", "Tokë e pamposhtur", "Para stuhisë", “Zhizel”, "Don Kishoti" (1990), "Katedralja e Parisit", "Liqeni i Mjellmave", "Migjeniana", “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Agron Aliaj mban titullin e lartë "Artist i Popullit". /Start/

                                                                                             2012-05-18 16:25
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›