E Diel, 1 Nëntor 2026

Wollfarth te BEDËR: Mungesa e lirisë prish paqen!

Në çelje të konferencës mori pjesë sot edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, i cili theksoi në fjalën e tij, se të drejtat e njeriut janë çështje kyçe për prezencën e OSBE-së në Tiranë, duke shtuar se aty ku mungon liria, dinjiteti i njeriut vihet në rrezik dhe kështu rrezikohet edhe paqja.

“Në shekullin XXI, të drejtat e Njeriut janë bërë një pjesë e  pandashme e politikave të shteteve dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare, të paktën për shumicën e shteteve. Kjo lidhet me pranimin e mbrojtjes së plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si garantuesja e vetme e një paqeje të përhershme. Në Shqipëri, prezenca e OSBE-së ofron mbështetje për përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së për Shqipërinë dhe veçanërisht për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të individit. Përmes emërimit të një Avokati të ri të Popullit të vitit 2011, zyra e Avokatit të Popullit i është rikthyer funksionimit të saj të plotë në detyrat e mbrojtjes së të drejtave të gjithë atyre që jetojnë në Shqipëri”, theksoi ai.

Wollfarth shtoi se zyra e OSBE-së ka asistuar për të drejtat e romëve dhe të fëmijëve të abuzuar. “Gjithashtu, Prezenca ka kryer projekte për të rritur mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve. Për shembull, Prezenca botoi një përmbledhje të legjislacionit në ligje me të burgosurit, një kopje të së cilës iu dha çdo të ndaluari/të burgosuri. Ajo çka është më e rëndësishme, Prezenca ka asistuar edhe krijimin e Shërbimit të Provës, i cili ndihmon në uljen e mbipopullimit të burgjeve, dhe përmes masave të riintegrimit dhe përfshirjes sociale të të dënuarve, ul shkallën e përsëritjes së krimeve, duke krijuar në këtë mënuarë një shoqëri më të sigurt për të gjithë”, vijoi ai.

Konferenca dyditore vazhdon edhe gjatë ditës së shtunë, ku studentë të masterit japin pikëpamjet e tyre në fusha të ndryshme të drejtësisë dhe ligjit. Ndër fushat që do të ceken, janë ato të të drejtës në Bashkimin Evropian, të drejtat e njeriut dhe realiteti në Ballkan, të drejtat e njeriut dhe demokracia, të drejtat e njeriut dhe media, etj. Rreth 50 të rinj që aspirojnë të ndjekin rrugën e karrierës në fushën e drejtësisë në vend, do të paraqesin idetë dhe pikëpamjet e tyre në fusha të ndryshme të drejtësisë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-18 10:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›