I lindur për të shkruar
Në moshën 76-vjeçare, Philip Roth, thotë se gjithnjë e më shumë e ndien peshën e moshës që kalon. Ka lindur në Newark të New Jersey-t në marsin e vitit 1933. shkruan prej 50 vitesh tashmë. Prej librave të tij janë realizuar filma të ndryshëm duke nisur nga "Njolla njerëzore" me Nicole Kidman dhe "Elegji" me Penelope Cruz. Në vazhdën e kohës, temat e 23 romaneve dhe të tregimeve të panumërta janë modifikuar. Një herë e një kohë protagonistët e tij merrnin jetë nga një vizion optimist-satrik, me shumë enfazë seksi në përmbajtje. Ndërsa sot, ata kanë frikë, brerje ndërgjegje e parandjenja për vdekjen. Romani i fundit i shkrimtarit amerikan "Indignation", konsiderohet nga kritika si një nga më të mirët, i ambientuar në kohën e luftës së Koresë dhe që ka për protagonist një burrë të rënë në atë luftë e që i drejtohet lexuesit nga varri i tij. Por mbi të gjitha është edhe një pasqyrim i vetë shkrimtarit me plakjen. "Kam frikë se është pikërisht kështu. Ndoshta kam zgjedhur këtë pasqyrim i udhëhequr prej interesave të momentit. Por kur e zgjedh një temë e bëj në mënyrë të ndërgjegjshme. Por sot do të isha i pazoti të shkruaja për tema argëtuese. Pas kësaj zgjedhjes time nuk ka asgjë që t‘i ngjajë një ideologjie; e madje nuk ka asnjë planifikim të punës sime. E përsëris, ajo që unë shkruaj është gjithnjë një refleks spontan i interesave të mia e asgjë tjetër", thotë ai. Ndërkaq, pleqëria i afrohet... madje, nuk po i afrohet, ka mbërritur për shkrimtarin. Por kjo nuk e tremb, ai ka ende shumë lexues të rinj në moshë. Ndoshta sepse libri i tij i fundit të kujton atmosferën e kolegjeve të përshkruara edhe në shumë romane të tjerë të autorëve të ndryshëm siç është "Çoroditja e të riut Törless" të Robert Musil. Një djalosh që ndihet i shtypur, i thyer në shpirt, në tentativën për t‘u kthyer drejt konformizmit. Drejtori i kolegjit i përshkruar në libër është mishërimi i së keqes, i fshehur nën ndërmarrjet e mira. E thënë ndryshe: është ligësia që fshihet nën petkun pedagogjik. Por për Roth, termi "ligësi" duket i tepruar. "Gjuha, toni i zërit i atij personazhi janë përfaqësues të asaj periudhe, të viteve ‘50, ku edhe zhvillohet ngjarja. Atëherë në kuptuam se sa represiv ishte shteti. Më pas erdhën vitet ‘60...", komenton ai. Përgjithësisht në romanet e Philip Roth një vend të madh zënë kryesisht personazhet meshkuj: Nathan Zuckerman, David Kepesh. Persona që në një farë kuptimi janë edhe alteregoja e tij. Megjithatë, për shkrimtarin këta dy personazhe, përfaqësues të krijimtarisë së tij janë "jashtë shërbimit". Thotë se i kanë shërbyer për të organizuar më mirë materialin. Zuckerman i ka ofruar një perspektivë, duke e ndihmuar në idetë e tij. Kepesh është një njeri që ka kaluar faza të ndryshme në jetën e tij seksuale: është transformuar në tre Kepesh të ndryshëm, secili prej tyre ka eksperienca seksuale të ndryshme. Zuckerman ndryshe nga Kepesh është shumë njeri aktiv, poliedrik natyrisht. Edhe pse ndokush mund të mendojë se këto personazhe janë gjithnjë prezente në jetën e shkrimtarit, ai mohon duke thënë se ata kanë jetuar përherë vetëm në rrëfimet e tij. Janë në mënyrë të pazgjidhshme pjesë e ngjarjeve që zhvillohen nëpër romane. Ata asnjëherë nuk "ngjallen" nëpër romanet e reja, por ndodh të kthehen nën emra të tjerë, por me të njëjtat paranoja. Ai asnjëherë nuk u shpëton pyetjeve për origjinën e tij hebraike, temë që është prekur edhe në romanet e tij ku përshkruan jetën e familjeve me këtë origjinë. Mendon se në Amerikë, familjet hebreje i janë përshtatur të jetuarit në këtë shoqëri. E duke folur gjithnjë për këtë temë, atij i ka ndodhur që në vitet ‘60, një rabin i New York-ut tha duke iu drejtuar shkrimtarit: "Kush do t‘ia mbyllë gojën atij njeriu?". "Ai njeri, që isha unë, në atë kohë sapo kisha mbushur 26 vjeç. Sulmi i tij ishte shumë i rëndë për mua. Më ka nxehur shumë", thotë ai ndërsa kujton se çdo të thoshte të ishe hebre në kohën kur u rrit. I kujtohet mjaft mirë kur gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte ende një fëmijë i ndërgjegjshëm se i përkiste kësaj feje, një feje të diskriminuar në mënyrë të dhunshme për të qenë të vërtetë. Në vitet ‘30, antisemitizmi në një farë mënyre edhe i autorizuar, nuk ishte i ndaluar e madje nuk ishte as tabu. Më pas ndryshoi gjithçka. Kolegjet që nuk pranonin studentët hebrenj "shqyen" portat për këta të rinj me një talent për t‘u pasur zili. Dhe ata, të rinjtë hebrenj e dinin se duhet të fitonin shumë për të dalë nga getot e për të jetuar në lagje më të denja të qytetit. "Megjithatë, unë nuk mendoj se termi "asimilim" është i duhuri për hebrenjtë e Amerikës: ata janë amerikanizuar me vullnetin e tyre, duke investuar shumë energji për këtë proces. Tashmë asnjë kristian nuk pyet veten nëse personi që ka përpara është apo jo me origjinë hebraike; e asnjë nuk është më i detyruar të ndryshojë mbiemrin. Ky është një fakt pozitiv. Në Amerikë antisemitizmi nuk ekziston më", komenton Roth edhe pse e di se në pjesën tjetër të botës nuk mund të thuhet e njëjta gjë për antiamerikanizmin. Ai mendon se në Evropë gjithnjë ka ekzistuar një formë antiamerikanizmi tepër e ulët. Qesharake. Por nuk pranon se ky fakt mund të ndihet edhe në jurinë suedeze të çmimit "Nobel" për letërsinë, edhe pse tetorin e shkuar Horace Engdahl, sekretari i komitetit për Nobelin deklaroi se autorët amerikanë janë shumë të influencuar prej tendencave të kulturës së masës, gjë që dëmton veprat e tyre. Sipas tij, sot qendra e botës së letrave mbetet Evropa e mundësia që një çmim "Nobel" t‘i shkojë Roth-it apo shkrimtarëve të tjerë amerikanë si Pynchon, DeLillo, Auster, është në zero. Dhe përgjigjja e shkrimtarit amerikan vjen menjëherë: "Kushdo që ka një minimum të njohurive në letërsi nuk mund të injorojë se duke nisur që nga viti 1945 letërsia amerikane ka dhënë prova të një force të jashtëzakonshme që ka zgjatur në kohë". Ndërkaq, ajo që të shtyn kureshtjen në krijimtarinë e këtij shkrimtari amerikan është fakti se nëpër romane ai ka krijuar një imazh spekulues të vetes, apo të disa aspekteve të personalitetit të tij. E asnjë prej këtyre personazheve nuk ishte realisht i lumtur. Edhe në këtë rast ai e ka një shpjegim. Ndoshta sepse shkruan pa pyetur asnjëherë kush është dhe çfarë është. Ndoshta sepse është nga ata që shkruajnë dhe që jeton me librat e tij. Sepse për të procesi i të shkruarit nuk është i njëjtë me atë të kërkimit të vetvetes. I përngjan më tepër punës që bëhet për të ndërtuar një objekt, të mbushur me personazhe, ngjarje, fjalë. E pikërisht për këtë ai ka zgjedhur që kohën t‘ia kushtojë punës. Asnjëherë nuk e pyet veten në është i lumtur, sepse nuk i intereson. Ajo që ka rëndësi për Roth është puna e cila duhet të shkojë përpara. Të shkruarit e një libri për të është jeta. "Në mëngjes, porsa zgjohem, kam dëshirë të nis të shkruaj. Periudha më e keqe për mua është gjithnjë intervali mes dy librash. Atëherë nuk di si t‘i kaloj ditët e mia. Shkoj në ndonjë muze... por kaq. Thjesht, kam lindur vetëm për të shkruar..."