I mbush bateritë
Adelina Ismajli është në intensitetin e saj më të madh të punës, pasi që këngëtarja është duke i mbushur bateritë që të vijë me befasi gjatë kësaj vere, ku edhe pritet që të sjellë këngë dhe hite të reja.
Edhe pse ende beqare - dhe së paku deri më tani zyrtarisht thotë se është e padashuruar - këngëtarja, e cila vitin e kaluar ishte paraqitur në festivale dhe kishte mbajtur disa koncerte në diasporë, mësohet se është duke punuar jashtë Kosovës më të madhe që këtë vit të sjellë risi interesante për publikun e saj.
Ajo është në proces të bashkëpunimit me një njërin prej DJ’ve më të kërkuar në Zvicër, me emrin DJ P!nk. Madje, ky DJ ka realizuar një koncert me këngëtaren shqiptare në njërën prej diskotekave më të njohura në Zvicër.
Ajo që ka rënë në sy gjatë vitit të kaluar është se Adelina ka vazhduar t’i ruajë linjat e saj trupore, edhe pse këngëtarja tashmë i ka kaluar të 30’tat.
Madje, këngëtarja insiston në intervistat e saj se nuk ka bërë operacion plastik, pavarësisht thashethemeve që ajo e ka bërë një të këtillë.
“Atë pikë ju e shihni çdo ditë nga interneti ku çdo 24 orë publikohet një foto imja. Edhe po të doja, nuk kam kohë si Adelinë, e cila ka më së paku dy koncerte në muaj, album në përgatitje, videoklipe, intervista, udhëtime, fotosesione dhe shumë komponime, tekste e orkestrime për të bërë. Preferoj të flasin, të thurin këngë, klipe tekste dhe çfarë të duan për anatominë time ata që kalojnë tërë kohën duke më studiuar”, ka thënë ajo në një intervistë pak para këtij viti për mediat shqiptare.
Në këto vitet e fundit, Adelina është parë me ndryshe në estradën kosovare. Ajo nuk shihet shumë, madje as në xhirimet e Vitit të Ri në Kosovë që realizohen nga televizionet kosovare.
Burimet thonë se ajo është duke u përpjekur me çdo kusht të arrijë famë ndërkombëtare, një ambicie që nuk e fsheh asnjëherë. Për të, tani kanë filluar që të qarkullojnë edhe thashetheme se ajo po bashkëpunon edhe me kompozitor që kanë bashkëpunuar edhe me 50 Cent, Snoop Dog, Ciara, Rihanna etj.
“Nuk e kam ndërmend të zbuloj asgjë për një arsye të thjeshtë: Nuk po punoj të më vënë notën, po punoj ekskluzivisht për vete”, kishte theksuar këngëtarja në një prononcim për gazetën Express.
Por, megjithatë Adelina pritet që edhe këtë vit të sjell risitë e saj ashtu sikurse viteve të kaluar.
Në një deklaratë të saj në Facebook, konkretisht në faqen e adhuruesve të Adelinës, thuhet se risia e saj është një kompilacion i një CD me këngë të Lady GaGa’s dhe të saj.
Rastësia qëndron se pikërisht dy vite më parë në një paraqitje të Adelinës në festivalin “Kënga Magjike” ishte thënë se ajo e ka imituar këngëtaren amerikane, por ajo kishte thënë se me një veshje të këtillë ishte paraqitur shumë para këngëtares Lady GaGa.