E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mbyll fusnota

Anëtarët e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, janë mbyllur për media qyshkur doli në publik propozimi europian për zgjidhjen e çështjes së përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale. Mbetet e paqartë nëse Prishtina vazhdon ta mbajë qëndrimin e mëhershëm refuzues ndaj pranisë së Rezolutës 1244 në fusnotën e saj.

Përgjigjja përfundimtare e Prishtinës se nuk pranojnë të shkojnë në forume rajonale pa akronimin Republika e Kosovës, i ka shtyrë të mbyllen dhe të mos japin më asnjë deklaratë për propozimet e reja të Brukselit.

Derisa Serbia ka pranuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca ndërkombëtare dhe rajonale me fusnotën ku shkruhet Rezoluta 1244 dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova duket se nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj.

Për këtë javë është paralajmëruar se do të vijë në Kosovë Ndërmjetësi i BE’së në dialogun me Serbinë, Robert Cooper, i cili dështoi herën e fundit t’i bindë palët të arrijnë marrëveshje.

Kryenegociatorija Edita Tahiri, për dy ditë rresht nuk e ka hapur telefonin, e shumicën e kohës e ka pasur të fikur.

As anëtarët e kabinetit të saj nuk iu janë përgjigjur pyetjeve në lidhje me propozimet e Brukselit për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Këshilltari i Zëvendëskryeministres Tahiri, Visar Xani, ka thënë se nuk mund të japë asnjë deklaratë për shkak se këtë të drejtë e ka vetëm Shefja e tij.

“Asgjë nuk mund të them në lidhje me propozimet e Brukselit”, ka thënë Xani, i cili ka kërkuar t’i drejtohen pyetjet Edita Tahirit.

Ndryshe, propozimet e Brukselit janë hedhur poshtë nga Kryeministri Hashim Thaçi, i cili kishte thënë se për asnjë moment nuk do të heqin dorë nga akronimi Republikë.

“Mund t’ju them lirisht se edhe krejt spektri politik po të pranonte heqjen e Republikës, unë nuk do ta pranoj”, ka thënë Shefi i Qeverisë.

Pavarësisht kësaj, Robert Cooper ka thënë se ende është e mundur marrëveshja mes dy palëve, veçse duhet ende të bisedohet me Prishtinën.

“Unë besoj se gjithmonë mund të gjejmë një marrëveshje përmes arsyes së shëndoshë”, pati thënë Cooper, për Express, javën e kaluar.

Megjithëkëtë, kryenegociatori serb, Borko Stefanovic ka thënë se tashmë topi është te Kosova, e cila, sipas tij, nuk po guxon të pranojë propozimet e Brukselit për shkak të frikës nga opozita.

Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur në prill të vitit të kaluar dhe deri më tash janë arritur disa marrëveshje, si lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, njohja e diplomave, kthimi i regjistrave kadastral etj. Por, se deri më tash shumica e tyre nuk janë zbatuar, pasi pala serbe vazhdon të mos tregojë gatishmëri për t`iu shkuar deri në fund zotimeve të marra në Bruksel.

Për këtë arsye, Edita Tahiri ka paralajmëruar se do t`iu drejtohet vendeve të BE’së me një letër informuese për t`iu treguar Unionit se Serbia nuk po i përmbush obligimet ndërkombëtare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›