Mblidhen këtë javë
Presidentja Atifete Jahjaga si duket është shumë e vendosur që t’i tregojë opinionit se mund t’i realizojë premtimet e saj.
Zyra e saj tashmë iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe atyre qeveritare që të mblidhen më 15 shkurt në Presidencë, për t’ia dhënë vulën e themelimit Këshillit Antikorrupsion.
Këtë e ka konfirmuar për Express edhe Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.
“Po, i kemi marrë ftesat nga Presidenca. Takimi do të mbahet më 15 të këtij muaji”, ka thënë Peci, të dielën.
Mbledhjen e parë konstituive e Këshillit Antikorrupsion në krye me Presidenten Atifete Jahjaga, ditë më parë e kishte paralajmëruar edhe Këshilltarja ligjore e Presidentes, Ariana Qosaj-Mustafa.
Ajo pati bërë të ditur për Express se Zyra e Presidentes është në përgatitje të aktit, ndërsa ky i fundit tanimë është gati për nënshkrim.
“Pritet që gjatë ditëve në vijim të thirret mbledhja e parë konstituive e Këshillit nën udhëheqjen e Presidentes së Kosovës”, ka thënë ajo.
“Të gjitha institucionet kyçe në Kosovë të mandatuara sipas ligjit, të parandalojnë dhe të luftojnë korrupsionin”, shtoi Qosaj-Mustafa.
Kryesuesi i KGJK’së, ndër të tjera bëri të ditur se përveç tij janë ftuar edhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe ato qeveritare.
“Po në bazë të agjendës, ashtu pritet që të mbahet mbledhja e parë konstitutive e Këshillit Antikorrupsion. Aty me sa e pashë, janë të ftuar edhe Hajredin Kuçi, Bajram Rexhepi si dhe dikush nga Këshilli Prokurorial”, ka thënë Peci.
Ai tha se ftesës i janë përgjigjur pozitivisht.
Ministri Kuçi, ndërkaq, në një deklaratë të mëhershme për Express, pati thënë se në Këshillin e Jahjagës, do të merrte pjesë vetëm nëse funksioni i tij do të jetë konsultativ.
“Natyrisht nëse është një Këshillë konsultativ, normalisht se do t`i përgjigjemi”, pati thënë Kuçi.
Vetë, Presidentja Jahjaga vazhdimisht është thirrur në kompetencat e saj kushtetuese për të themeluar Këshillin kundër Korrupsionit.
Ndërkohë, pas kthimit të saj nga Amerika, në një deklaratë të dhënë në Aeroportin e Prishtinës pati bërë të ditur se Këshilli do të jetë vetëm konsultativ.
“Kam thënë edhe në fjalimin tim vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të formoj një Këshill koordinues anti-korrupsion që është në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore dhe të gjitha ato institucione të cilat janë pjesë dhe marrin pjesë në këtë Këshill, do ta ruajnë pavarësinë e tyre funksionale përbrenda këtij Këshilli”, ka thënë Jahjaga.
E pikërisht kushtetutshmëria e themelimit të një Këshilli të tillë është ajo e cila mbetet çështje e diskutueshme.
Edhe pse Jahjaga që nga paralajmërimi i saj për themelimin e tij është thirrur në kompetencat e saj kushtetuese.
Në Nenin 84 në kuadër të aktit më të lartë juridik e politik, që përcakton kompetencat e Presidentit të shtetit, nuk precizohet askund e drejta për themelimin e një Këshilli të tillë.
Kryesuesi Peci, ndonëse parimisht është shprehur pro pjesëmarrjes në nismën e Jahjagas, nuk e ka mohuar se çështja e kushtetutshmërisë së krijimit të këtij ka qenë e diskutueshme edhe në rrethin e organeve të drejtësisë.
“Ideja është që Kosova ka pasur nevojë për një nismë të tillë nga një organ më i lartë shtetëror siç është Presidenca, por nuk e mohoj, ka qenë e diskutueshme çështja e kushtetutshmërisë së tij”, ka thënë Peci.
E, Zëvendëskryeministri Kuçi ia pati bërë me dije Presidentes se ligjet dhe Kushtetuta ia përcaktojnë kompetencat secilit organ shtetëror.
“Kushtetuta dhe ligjet i përcaktojnë kompetencat për secilin prej nesh”, ka thënë Zëvendëskryeministri Kuçi.
Sidoqoftë, përgatitje për themelimin e të shumëpërfolurit Këshill Kundër Korrupsionit, tashmë janë në përfundim e sipër. Për më tepër, iniciativën e Jahjagës e ka mbështetur edhe kreu i Ekzekutivit në Kosovë, Hashim Thaçi.
Ndërsa, ia ka bërë me dije të parës së shtetit se në ballë të luftës, të cilën po e nis, ka qenë dhe do të jetë Qeveria.
“...Qeveria do të vazhdojë të mbetet në ballë të luftës kundër korrupsionit dhe vetëm me një gjithpërfshirje do të kemi sukses për betejën për rend dhe ligj...”, ka thënë Thaçi në mbledhjen e parë të Qeverisë për këtë vit.
Ndryshe, tashmë dihet se iniciativa e Presidentes nuk është e para në luftimin e korrupsionit si dukuri negative në vend.
Kryeministri Thaçi para dy vitesh pati krijuar Task Forcën kundër korrupsionit, por e cila nuk rezultoi edhe aq efektive.