Fshati i mallkuar
Nuk do të dorëzohemi, thotë Ingo Karstens, duke tentuar të tingëllojë si një njeri, i cili është i gatshëm që të luftojë. Nganjëherë e ndjen vetën si Don Kishot, thotë ai. Duket thuajse ai është i brengosur se lufta e tij do të jetë e padobishme.
Një hartë gjendet mbi tavolinën e Karstensit. Në të mund të shihet Wilstersmarschi, një tokë plotësisht e rrafshët, në brigjet veriore të lumit Elbe, në veriperëndim të Gjermanisë. Në të mund të shihen të gjitha 14 komunat, të cilat e formojnë këtë qark, përfshirë këtu edhe Wewesflethin, prefekt i së cilit është Karstens.
Ajo që është e pazakonshme është se gjasat që banorët e Wewesflethit të sëmurën nga kanceri janë 50 për qind më të mëdha, se sa banorët në komunitetet tjera në shtetin verior gjerman Schleswig-Holstein.
Në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2008, 142 raste të reja janë raportuar në Wewesfleth, në krahasim më 95 rastet, sa do të mund të priteshin në nivel shtetëror.
Wewesflethi është një fshat më 1500 banorë. Karsten ka tashmë 14 vjet që është prefekt i fshatit.
Ai u vendos në këtë fshat nga një komunitet fqinj në vitin 1967. Para një dekade, bashkëshortja e tij vdiq nga kanceri në mushkëri, në moshën 61 vjeçare. Pasi që Karstens kishte njohuri se edhe banorë të tjerë të fshatit vdiqën nga kanceri, në moshë relativisht të re, ai kërkoi përgjigje nga qeveria shtetërore. Ai dëshironte të dinte se a kishte ndonjë arsye të veçantë për vdekjen e hershme të bashkëshortes së tij.
Tre reaktorë bërthamorë gjenden në afërsi të Wewelsflethit. Njëri gjendet në komunitetin fqinj të Brokdorfit. Reaktori tjetër bërthamor gjendet në brigjet e lumit Elbe, disa kilometra larg fshatit. Reaktori i tretë gjendet në Stade, në anën tjetër të lumit. Njeriu mund të mendojë se prania e tre reaktorëve bërthamorë në rajon është arsyeja për një nivel kaq të lartë të sëmundjeve të kancerit në këtë rajon. Por kjo nuk është arsyeja.
Një studim i bërë nga hulumtuesit e Universitetit të Lubeckut u vu në kërkim të anomalive që ndërlidhen me një numër faktorësh, përfshirë këtu edhe moshën dhe gjininë. Ekspertët hulumtuan arsyet e mundshme të sëmundjes, si për shembull afërsinë e reaktorëve bërthamorë. Por studimi nuk arriti të zbulojë arsyet e mundshme, në fakt nuk arriti të zbulojë asgjë.
Për Karstensin, situata nxjerr në sipërfaqe dy pyetje kryesore: sa mund të konsiderohen politikanët përgjegjës për paqartësinë ekzistuese? Dhe sa paqartësi mund të tolerojnë njerëzit në lidhje me situatën ekzistuese?
Karstens thotë se në çdo shtëpi të lagjes së tij ekziston së paku një banor, që lëngon nga kanceri. Këtyre ditëve, duket se banorët e Wewelsflethit janë të mallkuar.
Para disa ditësh, Karstens dhe disa banorë tjerë të fshatit shkuan në Kiel, kryeqytetin e Schlesëig-Holsteinit, për të dorëzuar një peticion. Ata kishin një takim në ministrinë e Shëndetësisë, ku u pritën me brengë dhe heshtje, ngase zyrtarët nuk e dinin se çfarë të thonë.
Karstens dhe fqinjët e tij dëshirojnë që të bëhet edhe një studim i ri, i cili do të përqendrohet në mënyrë të veçantë në Wewelsfleth. Por ekspertët theksojnë se 142 raste të kancerit nuk mjaftojnë, për ta bërë studimin bindës nga këndvështrimi statistikor.
Pas vdekjes së bashkëshortes së tij, Karstens vendosi që të qëndrojë në Wewelsfleth. Njerëzit që janë rritur në këtë rajon, janë të prirë që mos të largohen nga aty. Disa vite më vonë, ai u takua me një femër tjetër.
Në dhjetor të vitit 2009, edhe ajo u diagnostifikua me kancer. Në të vërtetë, sëmundja ishte aq e avancuar, sa që asaj nuk ju lejua që të largohet nga spitali.