E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mituri, dëshmi tronditëse në gjyq. "Fundos" britanikun Brown

Një tjetër goditje për të pandehurit e procesit "Fëmijët e tij" ka qenë dëshmia e djeshme e dhënë nga njëri prej fëmijëve, që ka jetuar në atë qendër dhe me të cilin është abuzuar. Minoreni, i cili është pyetur sërish me videokonferencë, jo vetëm që ka deklaruar se David Brown dhe dy britanikët e tjerë kishin abuzuar me të seksualisht, por ai ka treguar edhe detaje të trupit të drejtuesit të qendrës "Fëmijët e tij". Sipas prokurorit të çështjes, kjo vërteton faktin se Brown është shfaqur lakuriq përpara fëmijës.

Dje, në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, është zhvilluar seanca e radhës e procesit ndaj David Brown, ish-drejtues i qendrës "Fëmijët e tij". Prokuroria ka paraqitur një tjetër dëshmitar, i cili për të mos u ndikuar nga prania e të pandehurit në sallën e gjyqit, është pyetur në praninë e një psikologu, me videokonferencë. Vetë minoreni është vendosur në një sallë tjetër prej nga ku dëshmoi përpara kamerave, por duke mos e parë se kush ndodhej në sallën e gjyqit. Burime konfidenciale nga gjykata thanë për "Shqip" se djali ka pranuar se Brown, Christodulou dhe Arnold kishin abuzuar seksualisht me të. Ai ka treguar me hollësi ato që kishte pësuar gjatë qëndrimit në qendër, por më e rëndësishmja për akuzën ishte se ai ka dhënë detaje rreth fizikut të Brown. Ai ka folur për karakteristika të veçanta të trupit të drejtuesit të qendrës, të cilët mund t‘i kishte parë vetëm nëse e kishte parë lakuriq të pandehurin. Sipas prokurorisë, kjo dëshmi është mjaft e rëndësishme dhe do të ketë një peshë të madhe në konkluzionet përfundimtare të çështjes.

Ndërkaq dy britanikët e tjerë, Dino Christodulou dhe Robin Arnold, janë në pritje të nisjes së procesit ndaj tyre. Pas komunikimit të masës së sigurisë, pritet caktimi i datës për nisjen e procesit. Çështja e tyre u nda nga ajo e David Brown, për shkak të rrezikut të mbarimit të afateve të paraburgimit për këtë të fundit. Kjo pasi në momentin e nisjes së procesit Christodulou dhe Arnold ishin të arrestuar në Angli dhe në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›