E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Të pezullohet privatizimi i ARMO-s

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje që të pezullohej procesi i privatizimit të kompanisë ARMO. Deputeti Dritan Prifti u shpreh kundër privatizimeve korruptive, kundër strategjisë që ndërmarrjet gjigante shtetërore duhet të shkatërrohen me vjedhje. Sipas tij, privatizimi i ARMO-s po bëhet pas një strategjie të ndjekur për shkatërrimin gradual të kësaj kompanie. "Shkatërrimi si proces vazhdon deri në ditët e sotme, kur drejtues të lartë të shtetit vjedhin pasurinë publike në mes të ditës dhe në mes të natës, vetëm për ta shkatërruar këtë kompani dhe pastaj për ta shitur atë si kompani të pashpresë dhe pavlerë", nënvizoi Prifti. Ai shtoi se edhe kontrata e lidhur me kompaninë "Banker‘s" është tepër abuzive, sepse ajo lejon për puset që bien nën një nivel të caktuar nxjerrjeje, t‘i kalojnë kësaj kompanie në administrim. "Kështu ka ndodhur që dhjetëra puse me rezultate të larta nxjerrjeje, të ulen në kuota prodhimi shumë të ulëta, vetëm që ato t‘i jepen kompanisë ‘Banker‘s‘ në administrim dhe pas pak ditësh çuditërisht këto puse nafte trefishojnë prodhimin e tyre", vlerësoi Prifti. Duke u ndalur tek abuzimet, deputeti i LSI-së sqaroi se "në Patos është hapur vjedhurazi një rubinet në tubin e naftës, ku natën cisternat e familjarëve të Policisë së Fierit furnizohen me naftë, të cilën e shesin dhe paratë i fusin në xhepat e tyre". LSI-ja shton se kjo vjedhje nga policia bëhet në bashkëpunim me zyrtarët e lartë të ARMO-s dhe "Albpetrol", sepse që të ketë naftë në tubacione natën duhet të hapen dhe pompat për ta shtyrë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›