Pronat-Kolonjë, Braçe e Dalipi denoncojnë shkeljet
Në vijim të publikimit të fakteve, që kanë të bëjnë me cenimin e së drejtës së pronësisë, si dhe përfitimit të padrejtë të pronësisë, deputetët e Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Alfred Dalipi, njohën dje mediat me një tjetër rast flagrant. Bashkë me deputetët në këtë komunikim me mediat kanë qenë dhe dy përfaqësuesit e 33 familjeve të prekura, Tomorr Mezini dhe Kujtim Cane, të dy nga Rrethi i Kolonjës, nga fshati //////////////Vrëpckë. Nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, solli në vëmendje se edhe në publikimin e fundit, sondazhi për korrupsionin, pronat zë vendin e parë si shqetësim i qytetarëve ende i pazgjidhur dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave zë vendin e parë si institucioni jotransparent dhe i korruptuar. "Vijmë te faktet konkrete. Më 1999-n, AKK e pronave në Kolonjë, së bashku me Gjykatën e Shkallës së Parë, kanë marrë vendim për t‘i dhënë rreth 700 ha pyje dhe kullota pyjore vetëm dy personave nga fshati Vrëbckë", theksoi Braçe. Sakaq, deputeti Dalipi shtoi se veprimtaria abuzuese është bërë tashmë fenomen dominues jo vetëm në Qarkun e Korçës, por edhe në Qarkun e Gjirokastrës, e atë të Vlorës. "Nuk ka pëllëmbë të malit të Gramozit që nuk i është dhënë individëve, duke futur në konflikt komunitete të tëra dhe fshatra të tëra", theksoi ai.