E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi i kërkon homologut turk ekstradimin e Aldo Bares

Kreu i policisë shqiptare i kërkon homologut turk ekstradimin e Aldo Bares. Në një takim mes tyre, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar që homologu i tij në Policinë e Turqisë të ndihmojë në ekstradimin e Alfred Shkurtit, kreu i Bandës së Lushnjës. Ndërkohë, ky nuk ka qenë i vetmi objekt diskutimi, por janë theksuar një sërë çështjesh të tjera. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se me ftesë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë drejtori i Policisë së Stambollit, Celalettin Cerrah. Prençi falënderoi drejtorin e Policisë së Stambollit që pranoi ftesën për të ardhur në Tiranë. Prençi theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy policive është në nivele shumë të larta dhe Policia e Shtetit është e vendosur për të vazhduar bashkëpunimin me Policinë e Turqisë edhe në zhvillimin e projekteve të tjera të binjakëzimit. "Bashkëpunimi policor me Turqinë ka filluar që në vitin 1992, kur është firmosur edhe marrëveshja e parë policore ndërmjet dy vendeve dhe më pas kjo marrëveshje ka ardhur duke u rifreskuar. Policia turke ka dhënë një ndihmë të madhe si në shkollimin e punonjësve të policisë ashtu edhe në trajnimin e tyre në fusha të ndryshme. Në Turqi kanë mbaruar shkollën e oolicisë rreth 85 oficerë, të cilët tashmë ndodhen në strukturat e Policisë së Shtetit dhe falë shkollimit kanë një profesionalitet të lartë", theksoi Prençi. Më tej, ai shtoi se një bashkëpunim i shkëlqyer është ai ndërmjet departamenteve të hetimit të krimit, ku një sistem on line me kryeqytetin e Turqisë, Ankara, bën të mundur kalimin në kohë reale të të dhënave për personat me precedentë penalë. "Drejtori i përgjithshëm përmendi si bashkëpunimin më të mirë ndërmjet dy policive arrestimin e Alfred Shkurtit (Aldo Bares), i akuzuar për disa vepra penale në Shqipëri", thanë burimet zyrtare të Policisë së Shtetit. Nga të dhënat mësohet se më tej Prençi ka marrë informacion më të detajuar në lidhje me çështjen e ekstradimit të tij. Për më tepër, Ministria e Brendshme, shpesh herë ka kërkuar me ngulm ekstradimin e Bares në Shqipëri. Ndërkohë, veç këtij problemi, dy krerët e policisë diskutuan edhe mbi ekstradimin e personave të tjerë, siç është edhe Izet Haxhia. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i propozoi drejtorit të Policisë së Stambollit se duke qenë se Stambolli është një metropol dhe është një urë lidhëse ndërmjet Azisë dhe Evropës, të bëhet dhe krijimi i një lidhjeje on line ndërmjet dy policive, e cila do të bënte të mundur një luftë më të mirë dhe të shpejtë ndaj krimit të organizuar. "Stambolli vizitohet shumë nga qytetarët shqiptarë dhe krijimi i lidhjes on line do të bënte të mundur shkëmbimin e informacionit dhe identifikimin e personave të inkriminuar në kohë reale. Në këtë mënyrë, lufta ndaj krimit të organizuar do të bëhej më e suksesshme", tha Prençi. Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Stambollit, Celalettin Cerrah, pasi falënderoi drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit për ftesën dhe mikpritjen, bëri një ekspoze të shkurtër të strukturës dhe punës së kësaj policie. Cerrah theksoi se duhet rritur bashkëpunimi në tri fusha, në luftën kundër terrorizmit, trafikut të narkotikëve, si dhe në luftën kundër trafiqeve të qenieve njerëzore. Në këtë takim nga pala shqiptare ishin të pranishëm edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Hetimin e Krimeve, Agron Kuliçi, drejtori i Drejtorisë së Luftës Kundër Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj dhe shumë funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›