E Diel, 1 Nëntor 2026

I ndau vajzën, vjehrra qëllon me thikë dhëndrin

48-vjeçarja Bukurie Bajramaj e ka qëlluar dy herë me thikë dhëndrin e saj dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Disa minuta më pas policia e Vlorës e arreston

VLORË Një martesë e shkuar keq dhe e pasur nga një divorc, e ka detyruar një nënë që të hakmerret ndaj dhëndrit të saj për shkak të ndarjes. Bukurie Bajrami e ka qëlluar dy herë 31-vjeçarin teksa ky i fundit ka qenë i ulur në një lokal. Skena është parë nga shumë persona, prandaj dhe kapja dhe arrestimi i 48-vjeçares është bërë shumë shpejt.

Plagosja

Sipas policisë së Vlorës, ditën e djeshme rreth orës 17:45 në sallën Operative të Komisariatit të Policisë Vlorë është marrë një njoftim se në lagjen “Pavarësia”, në afërsi të lokalit “Eko Bet”, një grua ka qëlluar me një mjet të mprehtë shtetasin Saimir R., duke i shkaktuar atij dy çarje në trup dhe më pas është larguar menjëherë.

Zona ku ndodhi ngjarja është e rrahur nga lëvizjet e banorëve, pasi ngjitur me lokalin ka edhe dyqane e njësi të tjera ku ka qarkullim personash, shumica banorë të zonës. Dëshmitarë okularë thanë se kanë parë gruan teksa nxitonte, duke kaluar përmes pallateve të lagjes dhe ndaluar më pas në tavolinën ku qëndronte 31-vjeçari. Atë moment ai po lexonte gazetën dhe ishte i vetëm në tavolinë. Personat janë parë duke debatuar me njëri-tjetrin. Por gruaja nuk është ndalur me kaq. Papritur ajo ka nxjerrë thikën nga çanta. E ka qëlluar dy herë në pjesë të barkut, veprim ky që nuk është parashikuar aspak nga personi përballë. Menjëherë ajo është larguar. Por nuk ka patur vështirësi për identifikimin e saj. Të dy personat e lidhur nga krushqia, banojnë në një lagje, ndaj njihej raporti ndërmjet tyre. Kjo ka bërë që edhe kapja e gruas të ketë qenë në një kohë të shkurtër.

Arrestimi

Në policinë e Vlorës, ku është përcjellë më pas, gruaja nuk ka pranuar të flasë shumë. Ajo ka qenë e shokuar, por edhe më vonë nuk ka sqaruar detaje e rrethana. Personat që janë pjesë e hetimit të çështjes thanë se ajo ka qenë mjaft e rezervuar në deklarimet e saj, ndërsa ka pohuar shkakun. Arsyeja ishte se 31-vjeçari kishte ndarë të bijën, me të cilën kishin pak kohë të martuar. Fqinjë të familjeve pohojnë se çifti kishte disa kohë martuar. E reja, për të lidhur këtë martesë, kishte prishur një të mëparshme, ndërkohë që një divorc i dytë është përjetuar keq nga e ëma e saj. Nga veprimet e mëtejshme hetimore ka rezultuar se autorja e kësaj ngjarjeje dhe i dëmtuari kanë lidhje krushqie me njëri-tjetrin (vjehërr - dhëndër) dhe se motivi i kryerjes së krimit ka qenë për shkak të konflikteve familjare. Aktualisht shtetasi S.R. vjeç 31, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal Vlorë, ndërsa mbi 48-vjeçaren rëndon akuza e “vrasjes me dashje” e mbetur në tentativë.

Ervin Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›