I nderojnë dëshmorët

(E plotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në shënim të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka bërë homazhe pran Shtatores së Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti.
Haradinaj, së bashku më krerë të AAK-së, fillimisht kanë vendosur kurora me lule në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.
AAK-ja kurora me lule ka vendosur edhe te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve të Kombit në Prekaz e pran Varrit të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
..............................
Presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, sot së bashku kanë bërë homazhe në Prekaz, te varrezat e familjes Jashari në pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ata thanë se janë në Prekaz për të nderuar jetën dhe veprën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrificën e Familjes Jashari.
Presidentja tha se liria dhe pavarësia e Kosovës, themelet i ka pikërisht në punën dhe veprimtarinë e këtyre kolosëve, të cilët nuk kursyen asgjë që shteti i Kosovës të jetë i lirë dhe sovran, transmeton RTK.
Ndërkaq, kryeministri Thaçi, tha se sot po bëjnë nderime shtetërore, për ata që kanë dhënë shumë për lirinë e vendit. Ai po ashtu tha se janë aty të gjithë së bashku, që të marrin energji ër angazhimin e tyre për të ardhmen e vendit.
...................................
Zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike, bashkërisht, kanë qëndruar në Klinë dhe kanë nderuar figurën e Komandantit të UÇK-së në Klinë, Mujë Krasniqi. Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, zyrtarja e AKR-së Mejzene Selmani, kanë vendosur kurora lulesh të busti i Mujë Krasniqit në sheshin e këtij qyteti që mban emrin e këtij dëshmori.
Vizita është bërë me rastin e 17 Shkurtit, 5 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në përbërje të delegacionit pothuajse ishin komplet kabineti qeveritar i Kosovës dhe kryetarë komunash.
Në delegacion nuk ka qenë kryeparlamentari Jakup Krasniqi por as lideri i AAK-së Ramush Haradinaj. Pasi kanë nderuar Mujë Krasniqin dhe përshëndetur me babin e dëshmorit, ata pa dhënë ndonjë deklarate për media janë larguar nga Klina në karvanin e gjatë të automjeteve, njofton korrespondenti i Kohës Ditore.
Aktivitetet kryesore për shënimin e 5 vjetorit të pavarësisë janë parapare të dielën. Do të ketë seancë solemne, vizita të varrezat e dëshmorëve dhe aktivitete tjera kulturore e sportive. /Indeksonline/