E Shtunë, 31 Tetor 2026

I nderon ‘Azem Shkreli’

Çmimi Kombëtar Letrar ‘Azem Shkreli’ dhe çmimet vjetore letrare të MKRS-së, në një ceremoni zyrtare, iu dhanë laureatëve, veprat fituese të të cilëve u vlerësuan lartë. Nga Alfred Beka më 16 shkurt 2011 në ora 14:51

Në ambientet e Ministrisë së Kulturës, të martën, u mbajt ceremonia e dhënies së Çmimit Kombëtar Letrar “Azem Shkreli” dhe çmimeve vjetore letrare të MKRS’së.

Sami Piraj, udhëheqës i Departamentit të Kulturës në MKRS, tha se Ministria e Kulturës po bën përpjekje për zgjerimin e mundësive stimuluese për krijuesit e procesit letrar.

Ndërkaq, vendimin e jurisë për dhënien e çmimeve e lexoi kritiku letrar Nysret Krasniqi, i cili theksoi se Akademik Sabri Hamiti, i cili është vlerësuar me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Azem Shkreli’, tashmë është i njohur për mbarë opinionin letrar si autori që bëri kthesë në letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, qoftë në shkrimin e të gjitha formave letrare moderne fiksionale, qoftë në studimin sistematik të letërsisë shqipe, që nga fillimet e deri në modernitet.

“Autor i më shumë se tridhjetë e gjashtë veprave, në të gjitha zhanret, ai tashmë është referencë e patejkalueshme në kuadër të letërsisë shqipe dhe më gjerë”, tha Krasniqi.

Ndërsa në arsyetimet për dhënien e çmimeve vjetore letrare, Krasniqi foli për secilin autor veç e veç. “Ardian Haxhaj, me romanin Kujtimet e një çifuti, ka arritur të na ofrojë një botë poetike të sajuar mbi kujtesën etnografike e historike, por gjithnjë duke arritur ta ruajë pavarësinë fiksionale të romanit”.

Për fituesin e çmimit për librin më të mirë në poezi, Krasniqi vlerësoi se Ndue Ukaj, me librin poetik Godo nuk vjen, realizon këndshëm një tip poezie që mban lidhje intime me historinë, teologjinë dhe filozofinë antike, por gjithnjë duke i sfiduar këto në të mirë të artit poetik.
“Anton Berishaj, me studimin Letërsia per-formative, i shton kritikës letrare shqiptare një studim dhe interpretim të veçantë për letërsinë e vjetër shqipe, duke hapur debatin më tutje për statusin e letërsisë mesjetare shqiptare, gjithnjë duke ia shtuar kësaj edhe dimensionin e pranisë së ritualit”, u shpreh Krasniqi për laureatin e çmimit për librin më të mirë për kritikë dhe eseistikë.

Ndërkaq, për fituesin e çmimit për vepër të përkthyer, Krasniqi tha se “Avdi Visoka, me veprën Njeriu i revoltuar nga Alber Kamy, e përkthyer nga gjuha frënge, ka sjellë para lexuesit shqiptar mendimin e Kamysë për njeriun e revoltuar, pra analizën e tij rreth ndikimit të omnipotencës së revoltës në histori, filozofi, politikë, arte si dhe në jetën në përgjithësi”.

Në emër të laureatëve foli shkrimtari Sabri Hamiti, i cili tha se është i nderuar me mirënjohjen e lartë që i bëhet veprës së tij letrare dyzetvjeçare. Ai theksoi se mirënjohja ‘Azem Shkreli’ e lidh atë me klasiken moderne të letërsisë shqipe, të cilën Azem Shkreli e krijon me gjuhë, stil e tematika autentike në vepra të formave të ndryshme.

“Duke e njohur Azem Shkrelin si shkrimtar e njeri, dëshmoj dhe ngulmoj që ai shkruante si fliste apo fliste si shkruante, një cilësi që e kanë tepër pak njerëz e krijues. Vlera e veprave të tij rritet përherë, dhe kjo nuk iu ndodh shpesh poetëve. Ky malësor me rebelim të matur, nuk e fshehte një krenari për origjinën, duke parë aty urtinë, meditimin, moralitetin e fjalës vendëse”, vlerësoi Hamiti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›